Pas Ballukut, Anila Denaj ‘vihet në rresht’, detyroi doganat të ndalin veprimet ndaj Bankers Petroleum
Pasi Belinda Balluku, kreu detyrën e saj, duke bërë eksperten e naftës dhe ligjeve fiskale, tashmë brenda së njëjtës ditë edhe Ministrja Anila Denaj arrin të analizojë të gjithë parashtrimet e Ballukut dhe të abuzojë me detyrën e saj duke iu drejtuar Doganave që të ndalin çdo vendimmarrje kundër Bankers.
Brenda së njëjtës ditë, më datë 17 korrik 2019, Ministrja e Financave Anila Denaj i drejtohet me shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ku që në kokë të saj kërkon pezullimin e procedurës administrative deri në marrjen e një vendimi. Denaj shprehet në fillim të shkresës se kjo çështje është shumë komplekse dhe se ka volum shumë të madh paraje dhe informacioni. Ndryshe nga sa janë shprehur më parë koleget e saj ministra të Financave Arben Ahmetaj apo Erion Luçi, që çështja ishte shumë e qartë, sipas ligjit Bankers duhet të paguajë akcizë për holluesin. PIKE
Ndodhur në kushtet kur nga shqyrtimi i materialeve të sipërpërmendura rezulton se kemi të bëjmë me:
Një problem shumë të rëndësishëm dhe të ndërlikuar qoftë nga shifra e konstatuar, qoftë nga shtrirja kohore e tij apo edhe zhvillimet e mëparshme administrative/gjyqësore ndërmjet Administratës Doganore nga njëra anë si dhe Bankers Petroleum Albania nga ana tjetër. Kompleksitetin dhe volumin e kësaj çështjeje, ku konstatohen një volum i gjerë, specifikat dhe ndërlikimet që ajo paraqet, si dhe koha e shkurtër në dispozicion(sipas neneve 97,98,99 të ligjit 61/2012
Më pas Denaj i vë përfundimisht shkelmin ligjit dhe merr funksione apo autoritet që bazuar në Kodin Doganor apo ligjit për akcizat, e ka vetëm Administrata Doganore.
Si dhe në kushtet kur për këtë çështje janë investuar edhe Avokatura e Shtetit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe pritet një interpretim/vendim përfundimtar në lidhje me dispozitat e ligjit 61/2012 “Për akcizat në R.Sh” të ndryshuar, çmohet e domosdoshme pezullimi i procedurës administrative për marrjen e vendimit nga Autoritetet Doganore.
Sa më sipër e bazuar në nenin 66/1 të ligjit nr.44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të republikës së Shqipërisë”, Autoriteti Doganor të procedojë me pezullimin e procedurës administrative deri në marrjen e një interpretimi/vendimi përfundimtar për këtë çështje dhe të njoftojë operatorin ekonomik.
Anila Denaj siç shihet dhe nga kjo shkresë që nuk përmban brenda saj asnjë bazë ligjore, nen, vkm, udhëzim etj urdhëron Doganat të pezullojë veprimet dhe të mos i vendosë gjobën Bankersit. Në shkresë citon se dikush do marrë një vendim por pa përcaktuar se cili autoritet do e marrë këtë vendim dhe kur. Për ta kamufluar disi shkeljen e saj ligjore Denaj citon një nen të kodit të procedurës administrative që në fakt nuk ka asnjë lidhje me rastin në fjalë. Kjo shkresë e Ministreshës së Financave i përcillet me urgjencë në të njëjtën ditë Administratës Doganore e cila e gjendur nën presion nga kjo e fundit, po brenda një dite merr vendim duke pezulluar vendosjen e gjobës së Bankers.
DREJTORIA E DOGANAVE – sërish me shkresë
Vendim datë 17.07.2019
“Për pezullimin e procedurës administrative”
Në vijim të vendimit të ndërmjetëm nr.3202/3 prot datë 17.06.2019, pranë Degës së Doganës Fier, ndër të tjera janë administruar shkresat:
Nr.659/1 prot datë 12.06.201 dhe nr664/1 prot datë 18.06.2019 të operatorit Bankers Petroleum
Nr 13659/2 prot datë 16.07.2019 të DPD…
Nr.13646 prot datë 17.07.2019 të Ministrit të Financave
të cilat janë në lidhje me procedurën e ndjekur deri tani me operatorin Bankers Petroleum Albania, si dhe në zbatim të shkresës nr.13646 prot datë 17.07.2019 të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë ….
Vendosa:
Autoriteti Doganor- Dega Doganës Fier të pezullojë procedurën e ndjekur me operatorin ekonomik Bankers Petroleum Albania deri në marrjen e një interpretimi/vendimi përfundimtar sipas shkresës së ardhur nga MFE.
Anila Denaj me një vendim në shkelje flagrante të ligjit detyroi Doganën Fier që të mos kërkonte pagesën e akcizës te Bankers, akcizë që shkonte në dhjetra milion euro. Deri në këtë datë e gjithë administrata shtetërore ishte e qartë dhe nuk kishte nevojë për interpretime të tjera. I qartë ishte në shkresën e tij Arben Ahmetaj. I qartë ishte edhe Erion Luçi. E qartë ishte edhe Administrata Doganore e drejtuar nga Elisa Spiropali kur nisi kontrollet. Siç e tregoi edhe koha, e qartë ishte dhe Gjykata e Lartë kur vendosi në mars të vitit 2022 të rrëzonte pretendimet e Bankers. E qartë më pas në korrik të vitit 2022 ishte dhe Gjykata Kushtetuese kur rrëzoi padinë e Bankersit. Por të paqarta ishin vetëm dy ministret Belinda Balluku dhe Anila Denaj që me vendimmarrjen e tyre personale bllokuan gjobitjen dhe marrjen e taksave nga Bankers Petroleum.




