Raporti i PE/ Xhixho: Edi Rama dhe qeveria e tij, pengesë reale për avancimin e Shqipërisë në BE
Partia e Lirisë ka ngritur shqetësimin, lidhur korrupsionin, zgjedhjet jo të lira, ashtu sikurse kapjen e sistemit të drejtësisë që sipas zëvendëspresidentes Erisa Xhixho po mban peng integrimin e Shqipërisë në BE.
Në një deklaratë për mediat, Xhixho tha se raporti vjetor për Shqipërinë nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian vulos atë që sipas saj, tashmë nuk ka zgjedhje në Shqipëri, por vetëm një parti-shtet që deformon vullnetin e qytetarëve.
Ndërhyrjet politike në drejtësi dhe standardet e dyfishta në çështje si imuniteti parlamentar, sipas saj, janë prova më e qartë se drejtësia po përdoret në mënyrë selektive: e ashpër me qytetarët dhe opozitën, e butë me pushtetin.
Ndaj kjo është arsyeja kryesore, theksoi ndër të tjera zyrtarja e lartë e PL, pse Shqipëria nuk avancon dhe pse raporti IBAR mbetet i bllokuar.
Deklarata e Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho.
Të nderuar qytetarë!
Raporti vjetor për Shqipërinë nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian i vë vulën se zgjedhje nuk ka në Shqipëri, por vetëm një parti-shtet që deformon vullnetin e qytetarëve. Raporti tregon qartë se sistemi i drejtësisë është i kapur dhe funksionon me regji dhe korrupsioni galopant i shtrirë në çdo nivel qeverisjeje vjedh çdo ditë qytetarët.
Shqipëria sot paraqitet në këtë raport si një vend ku zgjedhjet deformohen, ku administrata përdoret si instrument partiak, ku vota blihet dhe qytetarët intimidohen,
Kjo nuk është më demokraci funksionale.
Raporti nxjerr në pah paralizimin e Parlamentit dhe përjashtimin e opozitës nga vendimmarrja, duke treguar qartë se pluralizmi është cenuar rëndë dhe institucionet nuk janë funksionale. Institucioni më i lartë i vendit është kthyer në noter të qeverisë, kontrolli parlamentar është goditur dhe opozitës i refuzohet çdo nismë me forcën e kartonit.
Akoma më tronditëse janë gjetjet për korrupsionin. Rënia dramatike me 11 vende në indeksin e Transparency International nuk është më statistikë, është pasqyra e një qeverie që ka dështuar dhe që refuzon të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta. Ndërsa Bashkimi Europian kërkon rezultate konkrete, qeveria është kthyer në mburojë politike për zyrtarët e saj të korruptuar.
Ndërhyrjet politike në drejtësi dhe standardet e dyfishta në çështje si imuniteti parlamentar janë prova më e qartë se drejtësia po përdoret në mënyrë selektive: e ashpër me qytetarët dhe opozitën, e butë me pushtetin. Kjo është arsyeja kryesore pse Shqipëria nuk avancon dhe pse raporti IBAR mbetet i bllokuar.
Çështja “Balluku” nuk është më një çështje e brendshme, por një çështje që po bëhet pengesë serioze për integrimin e vendit. Këtë e pamë edhe në qëndrimin e kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, David McAllister, i cili e cilësoi publikisht rastin një”test kritik” për rrugëtimin e vendit drejt BE-së. Kërkesa për heqjen e imunitetit dhe ndjekjen penale të numrit dy të qeverisë Rama nuk lë hapësirë për interpretime, por shumica e ka kthyer Parlamentin në bunker personal për Ballukun. Sepse çështja Balluku në fakt është çështja Rama.
Raporti flet qartë edhe për presionet ndaj drejtësisë. Çdo përpjekje për ta dobësuar apo kontrolluar sistemin është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës dhe një sinjal alarmi për partnerët ndërkombëtarë.
Po kaq e rëndë është panorama për lirinë e medias, ku raporti dënon hapur gjuhën armiqësore dhe sulmet ndaj gazetarëve. Një qeveri që sulmon median është një qeveri që ka frikë nga e vërteta.
Abuzimi me fondet IPARD që ka penalizuar fermerët shqiptarë evidentohet në raport, ku kërkohet llogaridhënie e menjëhershme. Raporti “shpreh shqetësim për parregullsitë serioze të identifikuara nga OLAF në zbatimin e programit IPARD II në Shqipëri; thekson rëndësinë e sigurimit të transparencës së plotë, llogaridhënies dhe mekanizmave efektivë tëkontrollit në përdorimin e ndihmës financiare të BE-së.
Nga korrupsioni tek mjedisi, nga fondet e BE-së tek të drejtat e qytetarëve, ky raporttregon një realitet të hidhur: Shqipëria po rrëshqet në drejtim të kundërt me standardet europiane.
Ky nuk është më një paralajmërim, është një alarm i kuq.
Besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga kushtëzimi i rreptë, progresi i bazuar në meritë dhe zbatimi efektivi reformave, në vend vetëm të miratimit formal të legjislacionit; duke qenë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet nga reforma të qëndrueshme, të thella dhe të pakthyeshme në çështjet themelore, duke filluar me sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve demokratike; duke qenë se cilësia e reformave të nevojshme të një vendi përcakton afatin kohor për anëtarësim.”
Fatkeqësisht, sot jemi shumë larg këtij standardi dhe në vend që t’i afrohemi po i largohemi përditë e më shumë.
Përgjegjësi i vetëm i kësaj situate është Edi Rama dhe qeveria e tij që nuk përmbushin detyrimet që kemi ndaj procesit të integrimit, por tashmë janë kthyer në pengesë reale për avancimin e këtij prioriteti kombëtar.
Faleminderit!




