Unesco: Emigracioni ka boshatisur shkollat, 50% e shqiptarëve janë larguar…

Unesco: Emigracioni ka boshatisur shkollat, 50% e shqiptarëve janë larguar…

Përfundimi i arsimit të mesëm të lartë në Shqipëri është rritur ndjeshëm në dekadat e fundit, megjithatë raporti i UNESCO-s nxjerr në pah probleme strukturore që vazhdojnë të ndikojnë sistemin, nga pabarazitë sociale te emigracioni dhe dobësitë në arsimin profesional.

Sipas raportit, Shqipëria pësoi një rënie të fortë të përfundimit të arsimit të mesëm të lartë nga 49% në vitin 1992 në 42.5% në vitin 2000, gjatë viteve të tranzicionit. Edhe pse më pas pati një rikuperim të shpejtë, duke arritur në 82% në vitin 2018, sfidat nuk janë tejkaluar plotësisht.

Të dhënat tregojnë se mbetet problem pesha e lartë e borxhit të trashëguar në sistemin arsimor dhe ndikimi i faktorëve socio-ekonomikë. Raporti thekson se pabarazitë janë veçanërisht të dukshme tek grupet vulnerabël: në vitin 2017, vetëm 1% e komunitetit rom dhe 5% e komunitetit egjiptian kishin përfunduar arsimin e mesëm të lartë.

Arsimi profesional në rënie

Raporti thekson rënien drastike të arsimit profesional. Në vitin 1990, 72% e nxënësve ishin të regjistruar në shkolla profesionale, por kjo shifër ra në 19% në vitin 2002. Po ashtu, pjesa e të diplomuarve nga arsimi profesional zbriti nga 62% në vitin 1992 në vetëm 13% në vitin 2001, dhe më tej në 7% në vitin 2012.

Edhe pse pas reformave kjo përqindje u rrit në 12% në vitin 2016 dhe rreth 15% e nxënësve në arsimin profesional përfitojnë bursa në vitin 2025, raporti sugjeron se sistemi ende nuk është plotësisht i përshtatur me kërkesat e tregut të punës.

Emigracioni dhe tkurrja e popullsisë

Shqetësim vijon të mbetet ndikimi i fortë i emigracionit në arsim. Që nga viti 1991, rreth 50% e popullsisë shqiptare ka emigruar, duke ndikuar drejtpërdrejt në tkurrjen e popullsisë në moshë shkollore dhe në numrin e nxënësve.

Në të njëjtën kohë, trendi ka ndryshuar: nga emigrimi i punëtorëve të pakualifikuar në vitet ’90, drejt largimit të individëve më të arsimuar, çka ka rritur kërkesën për arsim të mesëm dhe të lartë, por edhe presionin mbi sistemin.

Financimi dhe reformat

Nga ana tjetër, financimi publik për arsimin është rritur ndjeshëm, nga 7% e shpenzimeve publike në vitin 1990 në 14% në vitin 2016, ndërsa pjesa e arsimit të mesëm të lartë në buxhet është rritur nga 6.5% në vitin 2002 në 20% në vitin 2020.

Megjithatë, UNESCO thekson se, pavarësisht reformave, si zgjerimi i arsimit të detyrueshëm në 9 vite në 2012, programet për rikthimin në shkollë dhe mbështetja për nxënësit vulnerabël, faktorë si varfëria, niveli i ulët arsimor i prindërve dhe distanca nga shkolla vijojnë të rrisin rrezikun e braktisjes.

Arsimi i lartë dhe “efekti Bolonja”

Sipas raportit, zhvillim i rëndësishëm është zgjerimi i arsimit të lartë pas anëtarësimit në Procesin e Bolonjës në vitin 2003. Numri i studentëve u rrit me mesatarisht 13% në vit gjatë periudhës 2003–2013, ndërsa shkalla e regjistrimit u rrit nga 16% në 64% dhe arriti në 82% në vitin 2024.

Megjithatë, raporti paralajmëron se këto shifra duhen parë me kujdes për shkak të ndikimit të emigracionit dhe ndryshimeve demografike. /ekofin.al

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :