Berisha: Me Skënderbeun lindi liria e shqiptarëve, lindi lavdia e shqiptarëve, lindi shteti i shqiptarëve!
Kryetari i PD, Sali Berisha mori pjesë gjatë ditës së sotme në aktivitetin, “Zanafilla e Kombit”, një ceremoni përkujtimore me rastin e datëlindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti -Skënderbeu.
Berisha tha se, me Skënderbeun lindi liria e shqiptarëve, lindi lavdia e shqiptarëve, lindi shteti i shqiptarëve!
Berisha: Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt të gjithëve ju këtu qytetare dhe qytetarë të qytetit dhe rrethit të Krujës, të gjithë banorëve, të gjithë krutanëve kudo që ndodhen sot, por edhe një mirënjohje të pakufishme ndaj jush për mbështetjen tejet të çmuar që ju i dhatë në kushtet më të vështira PD-së. Aleancës opozitare, kandidatëve të saj.
Të nderuar deputetë, drejtues politik i qarkut, Bylykbashi, zoti Strazimiri, zoti Cara, zoti Piroli, zoti Xhelal Mziu, zonja Luku, Andia Ulliri, të gjithë ju miq të pranishëm në këtë takim.
Dua të falënderoj shumë Aulon Kalanë, me shumë mirënjohje, për organizimin e këtij takimi në nderim të figurës më të ndritur të të gjithë historisë tonë kombëtare, të figurës më të jashtëzakonshme, jo vetëm në historinë e kombit shqiptar, por absolutisht dhe në historinë e njerëzimit.
Të një gjeniu të papërsëritshëm në politikë, në ushtri, diplomaci.
Të burrit që u shndërrua me veprën e tij në shtyllë thelbësore të identitetit kombëtar të shqiptarëve, të qenies së çdo shqiptari, Skënderbeut.
Me Skënderbeun lindi liria e shqiptarëve.
Me Skënderbeun lindi lavdia e shqiptarëve.
Me Skënderbeun, 200 vite para Vestfalisë nisi shteti i shqiptarëve, me prijësin e vet legjendar, me flamurin e vet, ndër më të bukurit në botë, me Kushtetutën e vet, me territorin që nuk guxonte kush t’ia prekë.




