Rruga në BE kalon nga “Gysët”, Agas-Yeffeti
Nga Basir Collaku
Integrimi i Shqipërisë nga duart e qeverisë e të shoqërisë, vërshoi në rënie të lirë në duart e dy Gysëve, shqip dhe anglishtfolës, duke marrë tatëpjetën e pariparueshme. Pavarësisht votimit në parim të një raporti në Parlamentin Europian, ku dështimet janë brenda në çdo kapitull, fuqia kombëtare dhe ndërkombëtare e Edi Ramës janë në ecje në kah të kundërt me efekte të dëmshme. Tashmë integrimi europian i vendit tonë, është thjesht shprehje gjuhësore për lakime leksikore të qeverisë. Prej një viti, blerja e kohës shtesë, për të marrë minuta nga shembja përfundimtare, me tendera e lobingje ka hyrë në zonën e kuqe.
-Dy Gysët
Gys Agasi koordinatori i grupeve e bandave dhe shefi i AKSHI-t në kërkim, pra një vartës i Ramës, ende në vendimmarrje dhe Gys Ron Yeffet Agasi, ose Gysi anglishtfolës
Bizneset, koncensionet e shërbimet eksluzive në duart e Gysit të dytë, natyrisht me sy-shkelje kryeministrore, sa vinë dhe shtohen.
Te “gys anglishfolësi” janë?
-Tregtia e armëve !
-Banka digitale Jet Bank ?!
Kompania shtetërore e karburanteve, lajmëruar nga Rama se do të themelohet së shpejti, duke katranosur bizneset vendase të hidrokarbureve?!
Ndoshta një dorë edhe te smart city ?!
Pa bërë hesap tendera kusur nëpër bashki e ministri të ndryshme, gjithnjë nën logon përzgjedhëse si njeriu i KM
Ron Yeffet, miku i Edi Ramës, është i paditur disa herë për mashtrim në SHBA, më e fundit është e datës 6 mars 2026, ku kallzuesi, biznesmeni amerikan Mark Faist, pretendon se Yeffet i ka marrë 7.6 milionë euro përmes premtimeve për investime, shumë e pakthyer sipas kritereve të nënshkruara në një kontratë. Kujtojmë më herët projektet si ai për ‘Air Albania’ ku anglishtfolësi mori 23% aksione dhe rrëshkiti një muaj më pas. Apo fabrika e municioneve me kompaninë KAYO, ku Edi Rama ishte zëdhënës për këtë biznes. Tjetër kompani TIMAC ku ka 49 përqind të aksioneve dhe gjezdis nëpër tendera në Shqipëri. Pa harruar kryeveprën Rama-Yeffet të dështuar nga refuzimi ish-ministrit të financave Arben Ahmetaj, për dhënien e borxhit Gys-anglishtfolësit në vitin 2018-të. Fakt ky i deklaruar në një nga intervistat e Ahmetaj teksa shprehej se Rama ia kish kërkuar këtë shitje borxhi te miku i tij izraelito-amerikan. Një tjetër mesele miliardash. Një tjetër përpjekje madhore korruptive, se cilës prokuroria ia ka qëndruar fatkeqësisht larg.
Gys Agas-AKSHI
Ky është një libër më vete, ku thesaret e përgjimeve, shërbimeve, investimeve, krimeve, ndërmjetësimeve me krimin e administratën e çdo niveli, është një netflix-albania i pakonkurrueshëm. Ai ishte në Kryeministri te Edeni i Ramës me verën 33 mijë euro shishja. Ishte drejtuesi kryesor i AKSHI, me asistente Karçanajn, ku tenderat shkonin ku donte shtatgjatësia dhe nazet e konkurrentëve urtoheshin me pengmarrje e mjete bejzbolli. Linda e shtëpisë është andej rrotull. Ishte, drejtues i Kadastrës ku çdo tapi e firmosur krasitej me përqindjen e zyrës së tij në Bllok, Ishte shefi i dytë i vettingut me kohë të pjesshme, sepse Agaçi gjendej dorë e parë, për reformën në drejtësi, ku prokurorë e gjyqtarë të çdo niveli kolliteshin në dritaren e nën kamerat e tyre. Dihej se ishte edhe emëruesi i drejtuesve të policisë nga kryepolici te shefat nëpër qarqe, natyrisht sipas konkluzioneve e dakordësisë emër për emër të Bordit të Mafias. Rezulton njohës dhe ndikues andej nga Shërbimet Sekrete në nivele pakujdesshmërisht cënuese të Sigurisë Kombëtare, nën bekimet e shokut KM. Nuk shahej si shpërndarës korrekt i lejeve të investimeve strategjike, kullave e hoteleve skaj më skaj të detit e maleve, pasi ujdisej me Ramën, për grupe kriminale të kthyera në biznese, duke futur në një thes parate e korrupsionit të kokainës e buxhetit.
Me këta dy “Gysë” të Ramës, si ai nga Durrësi apo ai anglisht-folësi nga Izraeli, integrimi është thyer në mes e nuk ka union, lobing, mashtrim, apo pengmarrës ta ngjisë.
Ndaj, poshtë Gysët, rrofshin Gysët…!



