Berisha: Për gazetarët kam respektin më të madh, përsa i përket pronarëve ky është vetëm fillimi!

Berisha: Për gazetarët kam respektin më të madh, përsa i përket pronarëve ky është vetëm fillimi!

Osman Stafa, News24: Z. Berisha, ju keni deklaruar se vazhdimisht, që kur keni ardhur në krye të Partisë Demokratike, se me Edi Ramën në zgjedhje, pra në garë me të nuk fitohet sepse ai votat ua vjedh. Thoni që mbroni votën, por edhe këto ua vjedh Rama se kështu keni ju argumentin kryesor, se ai vjedh votat, prandaj ju nuk vini dot në pushtet dhe s’ka garë. Thoni se protesta është e vetmja rrugë për të rrëzuar Edi Ramën, po deri më tani Edi Rama nuk është rrëzuar. Do shkoni në 22 maj për t’u rikonfirmuar si kryetar i Partisë Demokratike. A keni një strategji? E keni këtë garë për të qëndruar në krye të opozitës, apo e keni këtë garë për të mundur Edi Ramën? Pyetja e parë.

Sali Berisha: Këtë garë e kam kundër narkodiktaturës, Edi Ramës dhe narkodiktaturës. Dhe në qoftë se, sigurisht ti ke ndjekur deklaratat e mia. Nuk kam thënë kurrë se do i mbroj me pushkë. Kam deklaruar gjithnjë se, nuk i mbroj me kallashnikov. Por në rast se është bërë ndonjëherë mbrojtje vote në historinë e këtij vendi, është bërë mbrojtje vote këto dy vitet e fundit. Ja ku i ke, ja ku janë këtu. Kjo është mbrojtja.
Një minutë. Mbrojtje vote, ja ku i ke. Zgjedhjet, Osman, kam shkruajtur në atë kohë dhe e kam ballin hapur sot, u plaçkitën dhe në 2021-shin. Por ai që ishte, kishte zgjedhur të hynte në qeveri me Edi Ramën. U plaçkitën me dokumente. Kurrë nuk mund të rrëzosh një zgjedhje pa dokumente. Është beteja më DonKishoteske që mund të ndërmarrësh.
Dhe në 21-shin kishim dokumente të plota. Me qindra e qindra, mijëra fatura thesari të disbursuara në 12.000 familje, në muajin prill. 130 milionë euro. Po ai zotëria, ai kishte rënë dakord që të hynte në qeveri, dhe nuk e ndoqi. Bëri atë që bëri në zgjedhjet lokale.
‘Libri i Zi’ ia nxiu faqen këtij. Dhe ja ku janë, këto gjëra shumë të rënda. Mos harro! Pra, mbrojta votën. Por, për një gjë, që opozita të fitojë ka një kusht. Pa të cilin opozita s’fiton kurrë. Nuk gënjen opozitën. Opozita nuk fiton farsa elektorale.
Duhet të ketë zgjedhje. Po s’pati zgjedhje, opozita nuk fiton. Farsat i ka gjithmonë autokracia.

Osman Stafa: Për t’u rikthyer tek numrat. Basha i shitur sipas jush në zgjedhjet e vitit 2021, Basha i shitur në zgjedhje…

Sali Berisha: Po pse ai për groshë shkoi me Taulant Ballën tek Desada? Po për ndonjë groshë te Desada? Më thuaj mua pak. Se ka qenë mbrapa kjo.

Osman Stafa: Pra, Basha i shitur sipas jush në zgjedhjet e vitit 2021, Partia Demokratike dhe LSI-ja e asaj kohe kanë qenë minus 38.000 vota larg Partisë Socialiste. Ndërkohë Partia Demokratike në koalicion, e drejtuar nga Sali Berisha, vetëm me votat e, pra jo diaspora, është në 2025-ën minus 240.000 sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Atëherë, Rama ka vjedhur më shumë Bashën apo juve, se ju thoni ne kemi bërë betejë më të madhe.

Sali Berisha: Atëherë, i nderuar zotëri, Basha nuk u arrestua në fushatë elektorale, në vitin elektoral. Ilir Meta nuk u arrestua në vitin elektoral. Fatmir Mediu nuk u akuzua në vitin elektoral. Edi Rama nuk përsëriti Zajedin e Tunizisë në vitin elektoral. Një.
Dy. Edi Rama nuk dekretoi 29.000 hektarë kanabis në vitin elektoral. Tre. Edi Rama nuk fali 2.1 miliardë euro gjoba dhe kamata me impakt tek 210.000 familje dhe 84.000 biznese aktive, Osman.
Një minutë, se desha të jap një sugjerim. Edi Rama nuk u dha pensionistëve 100 euro në mes të fushatës elektorale. Dha 12.000 familjeve, disbursoi euro apo para për nga tërmeti. Kaq bëri dhe thashë vota vdiq pa hyrë në kuti. Kurse të gjitha këto të tjerat bënë që sot ky raport i firmosur nga socialistët, nga edhe të majtë fare, jo vetëm të djathtë, të thotë që linja midis shtetit dhe partisë u fshi.
Ndaj dhe, domethënë, duhet të dish një gjë. Ku është fatkeqësia? Fatkeqësia është se përdoret në mënyrë automatike termi zgjedhje, që duhet të ishte termi farsë në të vërtetë. Unë, që the ti, rikandidoj, po. S’do rikandidoja kurrë po të kishte patur zgjedhje të lira, kurrë.
Ta them haptazi, dhe e kam provuar unë këtë. E kam provuar unë këtë. Nuk ka njeri që ka dhënë dorëheqjen sa unë. Asnjë. Por farsa jo. Farsa nuk është zgjedhje. Nuk legjitimoj farsën unë. Problemi është se ju duhet të realizoni, të paktën këto që thonë, jo ato që thotë opozita, po këto që thotë Komisioni Europian, Parlamenti Europian. Kjo është.

Osman Stafa: Dhe pyetja e fundit. Se më thatë që ka gazetarë që më kanë thënë që BalkanWeb paska publikuar 16 lajme në katër orë. Po kjo është e numëruar. Atëherë, unë si gazetar i asaj medie, në qoftë se ju keni një provë, e nxirrni me screenshot-e, me çfarë do të tjetër, por unë ju siguroj që për askënd, se nuk ka as Salianji, as kush tjetër 16 çështje për të diskutuar dhe nuk ka aktivitet politik për ta mbaruar, për t’ju bërë pyetjen, ju lutem. Dhe Sali Berisha që del në konferencat me gazetarët në orën 12, mbledh grupin parlamentar në orën 13:30, bën dhe një takim në orën 18:00 që transmetohen të gjitha në News 24. Por dhe të thoni ju që News 24 merr urdhëra nga zyra e Ramës, teksa gazetarët janë nxjerrë në 6 të mëngjesit nga zyrat e tyre, apo bizneset që mbajnë në këmbë News 24-ën janë shembur hotele e të tjerë dhe merr urdhëra, a ju bën juve të pabesueshëm në sytë e publikut?

Sali Berisha: A mund të të jap një këshillë? Lëre Fanen të marrë avokatët e tij. Mos e krahaso veten me të.

Osman Stafa: Z. Berisha, unë s’jam avokat. Unë avokat i kujt nuk bëhem kurrë.

Sali Berisha: Po ja pra, të them unë ty. Prit një minutë. Dhe po të tregoj disa fakte. Në qoftë se ju keni fakte të tjera, jam dakord për t’i dëgjuar. Të them unë ty.
Atij zotërisë i është thënë, unë s’kam komunikuar kurrë me të. As me telefon, me as me gjë. Jo. Ja ç’them. Ai zotëria, meqë më thua tani, e gjen një ditë të përlotur atë Alesian. Ç’ke moj, i thotë? Ja thotë, s’po më japin hapësirë pune. Eja thotë. Eja te unë. Po çfarë je ti? Ajo foli si përfaqësuese e shtetit. Nënkryetare e forumit thotë.
E marrin në telefon Osman, prit tani se desha të them. E marrin në telefon kryetari i forumit. dhe i thotë, zotëria, ajo nuk ka një funksion. S’ka asnjëfarë, nënkryetare ajo. Tjetër, e merr në telefon sekretari i përgjithshëm. Po, po. Unë s’e kam marrë kurrë, ta them haptazi.
Vazhdonte, e servirte nënkryetarja e Forumit Rinor. Këto Osman duhet të mbajë gojën këtu para jush dhe para shqiptarëve, se meritojnë çdo epitet. Dhe nuk kam unë me, shiko, ka të tjerë që sillen si ai dhe më keq dhe unë s’merrem më. Por ka disa gjëra që s’mund t’i bëjë kurrë njeriu. Jo, ka këtë s’mund ta bëjë kurrë. Se pastaj, në qoftë se hyn në këto, hyn në gjëra që s’duhet të prish gojën këtu dhe e lamë me kaq. Po.

Osman Stafa: Z. Berisha, po të kërkoni në media, po të kërkoni në Google, Alesia Balliu, nënkryetare e FRPD-së, përpara se këtë ta nxirrte News-i, që është një lapsus i atyre gazetarëve… Me ç’rast e ka shkruajtur? Po. Pra, ka qenë një lapsus i atyre gazetarëve që ju zbardhin juve dhe për tre orë dhe që nuk ka për, të paktën për asnjë lloj qëllimi. Po të shikoni mediat e tjera e kanë publikuar, dhe është referuar atyre, por nuk mendoj se News 24 e cila në asnjë moment nuk i ka mohuar zërin opozitës apo çdo kritiku tjetër, apo çdo individi që ka dashur, të cilësohet për një lajm të tillë që dezinformon.

Sali Berisha: Tani, Osman, për një gjë të jesh i sigurt ti. Domethënë, unë kam treguar në mënyrë konstante respekt për gazetarët dhe tregoj. Për këtë të jesh i sigurt. Ndërsa, përsa u përket pronarëve, nuk është vetëm fillimi ky që po bëj.
Vetëm fillimi, po ta them këtu. Pse? Se absolutisht, mbroj interesin publik. Dhe s’bëj asgjë tjetër, s’mbroj fare Sali Berishën. Po interesin publik do ta mbroj gjer në fund. Dhe unë atë që u bëjnë, censurën. Ja e pe ti. Censurohet ai lajm?
Shqipëria e censuron, kush nuk e censuron në botë këtë lajmin. Kështu që, nuk kam unë një betejë me gazetarët unë. Nuk kam betejë me gazetarët. Beteja ime është me mafien më të rrezikshme, mafien e fjalës së lirë.
E thotë Konfuci: Kur fjalët humbasin kuptimin, njeriu nuk është më i lirë. Dhe tani po të marrësh, e keqja banale që ka, që është shtrirë në shoqërinë tonë, ka mënyrat, ka mjetet me të cilat shtrihet.
Nuk impresionohem unë kurrë nga asgjë për të mbrojtur atë që besoj. Dhe unë besoj se hapësira, se qytetarët shqiptarë duhet të kenë një hapësirë komunikative të drejtë. Valët janë të tyre, jo të pronarëve, jo të qeverisë, janë të publikut dhe ato valë duhet t’i informojnë ata si duhet.
Faleminderit dhe suksese!

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :