Pasuritë e ngrira të klanit “Çopja” që s’i prek askush

Pasuritë e ngrira të klanit “Çopja” që s’i prek askush

Rezidencat elitare pranë TEG-ut, apartamente në zemër të Tiranës, toka në Qeparo dhe projekte ndërtimi në Farkë përbëjnë vetëm një pjesë të pasurive të sekuestruara të familjes së vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, të cilët akuzohen si krerët e njërës prej organizatave kriminale më të përfolura në vend, të përfshirë në vrasje, trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe skema komplekse të pastrimit të parave.

Në total, vetëm një segment i dokumentuar i këtyre aseteve arrin rreth 10 milionë euro, ndërsa vlera reale mendohet shumë më e lartë.

Por pas një viti që prokuroria e Posaçme njoftoi sekuestrimin e këtyre pronave, pjesa më e madhe e tyre janë thjesht nën ruajtje, por askush nuk është ofruar, edhe pse ndërtesat janë super luksoze apo pronat, kryesisht arë, ndodhen në zona turistike.

Zyrtarë të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara thonë se pronat janë futur në proces dhënieje me qira, por interesi ka qenë minimal. Hezitimi për t’i marrë në përdorim këto prona lidhet drejtpërdrejt me emra të njohur të botës së krimit të organizuar. Askush nuk guxon t’u afrohet.

Hetimet mbi klanin “Çopja” tregojnë një rrjet të sofistikuar ku paratë e trafikut të kokainës janë kanalizuar drejt ndërtimit, pronave luksoze dhe investimeve në Shqipëri dhe jashtë saj.

Raporte të ndryshme të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve shtetërore konfirmojnë se sektori i ndërtimit dhe ai i pasurive të paluajtshme janë ndër kanalet kryesore për pastrimin e parave të krimit të organizuar. Arsyeja kryesore është mundësia për të qarkulluar shuma të mëdha cash, për të fryrë vlerën e pronave dhe për të fshehur origjinën reale të fondeve përmes kontratave dhe investimeve ndërtimore.

Një studim i Fondacionit Friedrich Ebert për Shqipërinë thekson se gjatë periudhës 2015–2024, një pjesë e madhe e bumit të ndërtimit nuk justifikohet nga burime të ligjshme financimi, duke ngritur dyshime të forta për kapital me origjinë të padeklaruar ose kriminale.

Po ashtu, një raport i Global Initiative Against Transnational Organized Crime vlerëson se rreth 1.6 miliardë euro janë pastruar përmes tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri vetëm në një periudhë disa vjeçare, duke e bërë ndërtimin një nga sektorët më të ekspozuar ndaj krimit financiar.

Në kërkim të lingotave të arit

Mëngjesin e 2 prillit të 2025 një grup i forcave speciale u paraqit në hyrje të vilës trekatëshe në lagjen 5 Maji në Elbasan. E ndërtuar fillimisht si një shtëpi e thjeshtë përdhese në vitet ’90, godina në rrugën “Demir Sula”, forcat operacionale u përballën me një rezidencë moderne e rrethuar me kamera sigurie në çdo kënd.

Brenda, gjithçka është e ndarë në mënyrë të rregullt dhe të kuruar. Në katin e parë një sallon i madh i mobiluar, një kuzhinë moderne, një dhomë gjumi dhe tualet, ndërsa një garazh i brendshëm lidhet me sistemet e sigurisë. Ngjitur me shkallët, kati i dytë të çon në dy dhoma gjumi të mëdha, secila me tualet dhe garderobë, dhe mbi të një tarracë që është kthyer në një hapësirë të ndarë e të mobiluar për qëndrim. Poshtë, në katin nëntokë, gjendet një palestër e pajisur dhe një depo, ndërsa në pjesën e pasme, përmes një dere të jashtme, hapen garazhe shtesë dhe një godinë e vogël që përdoret si zyra.

Është një nga pasuritë e sekuestruara të Franc Çopjas, për të cilën thuhet se kurrë nuk ka jetuar aty. Por forcat speciale nuk ishin aty në kërkim të Francit, as njerëzve të tjerë të kërkuar nga drejtësia, por në kërkim të lingotave të arit.

Nga komunikimet e zbuluara në hetim, rezulton se në janar të vitit 2021 Franc Çopja ka shfaqur interes të veçantë për blerjen e arit të pastër 24 karatësh, ndërsa personi që merrej me sigurimin dhe qarkullimin e tij ishte kambisti Maklen Mici. Sipas dosjes, në një prej episodeve Mici dyshohet se i ka siguruar Çopjes rreth 10 kilogramë flori, ndërsa më pas i është kërkuar edhe një sasi shtesë prej 30 kilogramësh, e cila rezulton të jetë sjellë në Shqipëri.

Hetuesit kanë dokumentuar gjithashtu komunikime dhe materiale fotografike që tregojnë lingota ari, të cilat sipas vlerësimeve arrijnë në rreth 15.4 milionë euro. Në këto komunikime, Mici shfaqet si personi që ka siguruar dhe transportuar këtë sasi ari për llogari të Franc Çopjes.

Referuar këtyre bisedave, grupi i forcave speciale u urdhërua të gërmojë pothuajse të gjithë sipërfaqen rreth 350 metra katrorë që rrethon vilën.

Aksioni i 2 prillit dështoi, por pas ikjes së policëve askush nuk ka vënë më këmbë në vilën e fortifikuar, e cila është marrë nën administrim nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara. Procedurat e këtij institucioni për dhënien me qira të rezidencës kanë dështuar, ashtu siç kanë dështuar çdo tentativë për çdo objekt që i përket klanit Çopja.

Është një nga ato prona që, siç shprehet kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, konsiderohet me risk të lartë. Për të parandaluar çdo të papritur, agjencia ka preferuar thjesht të administrojë këto prona, të paktën derisa Gjykata të japë vendimin final, t’i konfiskojë, apo t’ia kthejë pronarit në rast se shpallet i pafajshëm.

“Ne si Agjenci, pasi na kalon lista e pronave që do të marrim në administrim, fillimisht bëjmë verifikimin e tyre në terren. Më pas kemi një procedurë tjetër që është ajo e riskut. Disa pasuri të paluajtshme, për të cilat vlerësojmë se janë me risk, ne i mbajmë në administrim, pasi është e vështirë që dikush të pranojë të jetojë aty me qira, përgjithësisht kur janë të sekuestruara, apo t’i blejë kur janë të konfiskuara”, thotë Risena Xhaja.

Bazuar në të dhënat e raportuara nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjatë vitit 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arrin rreth 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 43.49 milionë euro përfaqësojnë asetet e sekuestruara, që përbëjnë afërsisht 96% të totalit, ndërsa rreth 1.91 milionë euro përfaqësojnë asetet e konfiskuara, ose rreth 4% të vlerës së përgjithshme.

Të dhënat tregojnë se pjesa dërrmuese e pasurive mbetet e sekuestruar dhe jo e konfiskuar përfundimisht, çka nënkupton se ato janë ende nën hetim ose në proces gjyqësor.

Por një investigim i më hershëm i “shteg.org” ngrinte pikëpyetje sa i përket menaxhimit të pronave nga agjencitë shtetërore.

Ekspertët thonë se asetet e sekuestruara dhe të konfiskuara lihen qëllimisht drejt degradimit për të ulur vlerën e tyre në shitjet me ankand, ndërsa procedurat e ankandeve janë pezulluar me një urdhër verbal pasi qeveria ka plane strategjike për shfrytëzimin e këtyre pronave.

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, e lidh këtë situatë me nevojën për të analizuar pronësinë de facto, duke theksuar se kontrolli real mbi asetet shpesh nuk përputhet me pronësinë formale dhe se vetëm përmes hetimit të rrjedhës së parave, vendimmarrjes dhe përdorimit të pasurisë mund të kuptohet se kush i ushtron realisht këto të drejta mbi pronat e sekuestruara.

“Sa i përket konceptit të pronësisë de facto, ai mbetet një nga instrumentet më të forta të analizës së kontrollit real mbi pasurinë, por kërkon hetim të thelluar. Ky koncept synon të identifikojë jo personin që figuron ligjërisht si pronar, por atë që ushtron kontroll real mbi pasurinë. Prova të këtij kontrolli përfshijnë rrjedhën e parave, vendimmarrjen, përdorimin real të pasurisë, lidhjet personale dhe komunikimet. Parimi themelor është se pronar është ai që e kontrollon pasurinë, jo ai që figuron në dokumente.” – thotë Beci.

Pasuritë që s’i prek askush

Në vitin 2021, në zonën rezidenciale elitare Dubai Hills, një projekt ndërtimi u publikua në faqen e kompanisë “Trans Fast Building Contracting”. Projekti përfshinte një vilë luksoze me arkitekturë moderne, pishinë private dhe hapësira të mëdha banimi. Çmimi i saj arrinte deri në 7.8 milionë euro. Në fund të prezantimit të projektit ishte shënuar edhe pronari, Franc Gergely.

Por sipas hetimeve dhe dokumenteve të siguruara nga autoritetet shqiptare, ky emër ishte një identitet i përdorur nga një prej figurave qendrore të një prej organizatave kriminale më të fuqishme të viteve të fundit në Shqipëri, ajo e vëllezërve Franc Çopja.

Dubai nuk ishte zgjedhur rastësisht. Kush mund të përballojë të zhvendoset në Emirate ka avantazhin të mos paguajë taksa. Mund të udhëtojë pa nevojë për vizë pothuajse kudo në botë, të blejë prona dhe të hapë llogari bankare me lehtësi. Megjithatë, ligji emirat parashikon që ai mund të dëbohet për çështje të “interesit publik” ose “sigurisë publike”.

Një hetues italian e përkufizon Dubain si “vendin e mrekullive të pastrimit ndërkombëtar të parave”. Vendi i përsosur për të pastruar qindra miliona që vijnë nga trafiku i drogës, në një bashkëjetesë paradoksale me atë retorikë të mungesës së kriminalitetit dhe sigurisë mbi të cilën Dubai ka ndërtuar imazhin e vet.

Franc Çopja dyshohet se ka jetuar në Dubai nga viti 2020 deri në dhjetor 2023, kur u ekstradua në Belgjikë nën akuzën se kishte urdhëruar një vrasje të lidhur me prishjen e pazareve të drogës.

Sipas hetuesve, gjatë qëndrimit të tij atje ai ka drejtuar nga distanca një rrjet bashkëpunëtorësh të angazhuar në pastrimin e parave në Shqipëri dhe ka ndërmjetësuar marrëveshje të ndryshme financiare, duke u shfaqur si investitor i tërthortë në disa projekte ndërtimi në Tiranë.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se në vitin 2020 Çopja ka sjellë në Shqipëri të paktën 7.5 milionë euro të thata, të cilat u investuan në ndërtimin e një pallati pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në blerjen e apartamenteve të shtrenjta në disa prej kullave të Tiranës si dhe dy vilave në kompleksin “Mandarine Drive” pas qendrës tregtare TEG, e ndërtuar nga kompania e themeluar nga Merkaj.

Të lidhura me vëllezërit Copja është edhe një resort agroturizmi i ndodhur mes Elbasanit dhe Tiranës, i quajtur “Solis Farm”.

Ky resort agroturizmi administrohej nga Petrit Lakatos, por u vendos nën sekuestrim pas arrestimit të Lakatos dhe zbulimit të lidhjeve së tij me organizatën kriminale të Çopjave.

Një vit pas sekuestrimit, resorti është drejt degradimit, edhe pse aktualisht vijojnë të jenë të punësuar 4 persona. Klientët janë të paktë dhe duket se ka humbur shkëlqimin e dikurshëm që kur organet ligjzbatuese vendosën në shënjestër organizatën që shtrihej në disa vende të Bashkimit Europian dhe kultivonte lidhje me grosistët e kokainës në Amerikën Latine.

Komiteti Ndërministror, që vendos për fatin e pronave të sekuestruara ende nuk ka një vendim për resortin e agroturizmit, por Edval Zoto, ekspert për rreziqet e krimit ekonomik, e sheh si barrë të shtuar për administratën menaxhimin e këtyre pasurive me rreziqe kaq të larta. Eksperti zgjeron fjalinë e tij për viktimat e krimit të organizuar ose përdorimin e tyre nga administrata shtetërore.

“Unë besoj se vendi ynë ka shumë nevojë për ambiente të tilla. Kemi shumë institucione që marrin me qira objekte private për aktivitetet e tyre dhe një përdorim shumë i mirë do të ishte për qëllime institucionale dhe ulje të kostos administrative”, shprehet Edval Zoto.

Hotel “Domus”, i ndodhur pas Piramidës në qendër të Tiranës, është një ndërtesë disakatëshe që përfshin hapësira akomodimi dhe ambiente për aktivitet tregtar, e sekuestruar dhe aktualisht nën administrimin e AAPSK që prej shtatorit 2024.

Prona, e cila ka kaluar disa herë në duar të ndryshme dhe lidhet me persona të përfshirë në hetimet ndaj organizatës kriminale të Çopjave, është e pajisur me strukturë funksionale për hoteleri dhe biznes, por pavarësisht kësaj, nuk është dhënë ende me qira. Ajo thjesht administrohet dhe hoteli po degradohet dita-ditës.

Nën administrimin e AAPSK ndodhen edhe dy projekte ndërtimi në zhvillim, të regjistruara në emër të Dorian Dylit, një tjetër emër i lidhur me hetimet për pastrim parash në kuadër të dosjes së organizatës “Çopja”.

Të dyja pasuritë ndodhen në zonën e Farkës së Madhe në Tiranë dhe përfaqësojnë komplekse ndërtimi të papërfunduara, me sipërfaqe të mëdha trualli dhe struktura që ende janë në fazë karabine.

E para përfshin një truall prej 4,540 m², nga të cilat rreth 2,064 m² janë ndërtesë në ndërtim, e lënë në gjendje të papërfunduar, pa energji elektrike dhe bosh në brendësi, me një vlerë të konsiderueshme të ndarë mes truallit dhe objektit.

E dyta ka një sipërfaqe prej 5,500 m² truall dhe një ndërtesë 523 m², gjithashtu në fazë të ngjashme ndërtimi dhe pa funksionim aktual.

Asnjëra prej tyre nuk është dhënë me qira dhe mbeten të rrethuara dhe të paaktivizuara ekonomikisht, pavarësisht potencialit të lartë zhvillimor që kanë në letër.

Në total organizatës kriminale të Çopjave u janë sekuestruar 44 pasuri, ndërsa nga hetimet Prokuroria ka mundur të dokumentojë aktivitetin kriminal të grupit që drejtohej nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, të dyshuar si përgjegjës për 6 vrasje dhe 17 tentativa të tjera për ekzekutime të kundërshtarëve, ndodhur në Shqipëri në vitet 2018–2020.

Ata dyshohet se janë të përfshirë edhe në grabitjen e miliona eurove të një dërgese parash në aeroportin e Rinasit, ngjarje e ndodhur më 9 prill 2019, çka ia ndryshon shumë rrjedhën asaj ngjarjeje, ku nën akuzë për grabitjen janë persona të tjerë dhe emri i tyre nuk është përmendur kurrë më parë.

Përveç vrasjeve dhe një mori atentatesh të dështuara, grupi sipas të dhënave hetimore, ka arritur të rekrutojë jo vetëm punonjës policie, të cilët iu kanë shërbyer për vite me radhë, por edhe punonjës të gjykatës së Elbasanit.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka aktualisht në administrim 11 pasuri të lidhura me atë që njihet si klani “Çopja”.

Në këtë listë janë tre vila në kompleksin “Mandarin”, pranë qendrës tregtare TEG, si dhe disa apartamente në zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshirë Rrugën e Elbasanit dhe Rrugën e Kosovarëve.

Një prej apartamenteve luksoze në Rrugën e Elbasanit, me vlerë rreth 28 milionë lekë të rinj, së bashku me një tjetër apartament në Rrugën e Kosovarëve, të dy të regjistruar në emër të Dorian Dylit, janë tashmë të dhëna me qira nga AAPSK.

Procesi i administrimit nuk ka qenë i thjeshtë, pasi, sipas përfaqësuesve të agjencisë, disa prej pronave kanë pasur sisteme të avancuara sigurie, duke përfshirë dyer me brava elektronike që kanë kërkuar ndërhyrje të specializuar për t’u hapur dhe zëvendësuar.

“Dyert e jashtme ishin të pajisura me brava elektronike dhe na u desh kohë që fillimisht të hapnim dyert dhe më pas të bënim zëvendësimin e bravës”, tregon administratori i AAPSK.

Pronat e sekuestruara sidomos ato që kanë lidhje me krimin e organizuar duket se janë shndërruar në një barrë për agjencinë. Pak kush ka guxim që të banojë në shtëpitë e një bosi të krimit të organizuar.

E vetmja zgjidhje duket se është përdorimi i tyre social.

“Në rast se Gjykata vendos konfiskimin e tyre, ne shohim alternativat më të volitshme. Për përdorim social, për viktimat e trafikut, apo edhe për vetë institucionet shtetërore”, shprehet kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja.

Raporte të institucioneve ndërkombëtare dhe studime akademike tregojnë se ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme janë ndër sektorët më të ekspozuar ndaj pastrimit të parave të krimit të organizuar.

Sipas vlerësimeve të publikuara nga Global Initiative against Transnational Organized Crime dhe dokumenteve të analizuara nga organizata të ndryshme, paratë e trafikut të drogës shpesh kanalizohen drejt apartamenteve, kullave dhe projekteve ndërtimore, pasi ky sektor lejon qarkullimin e shpejtë të kapitalit dhe fshehjen e origjinës së tij përmes investimeve dhe kontratave komplekse.

Edhe raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe studime të tjera mbi Shqipërinë theksojnë se ndërtimi është kthyer në një “parkim kapitali” për fondet e dyshimta, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të pronave dhe zgjerimin e pakontrolluar urban në qytetet kryesore. Në disa raste, mungesa e transparencës financiare dhe përdorimi i parave cash e bëjnë të vështirë gjurmimin e burimit të fondeve, duke forcuar dyshimet për lidhje të drejtpërdrejta mes ekonomisë së ndërtimit dhe rrjeteve kriminale.

Nga ekzekutimet në Bruksel tek investimet në Tiranë

Më 27 nëntor 2020, pak para orës 18:00, Ardit Spahiu u gjet i pajetë në një hapësirë të gjelbër në një cep të një lagjeje rezidenciale në Molenbeek-Saint-Jean, Bruksel.

Ai u gjet i shtrirë përmbys, me trupin e përshkuar nga disa plumba në shpinë, çka sipas hetuesve tregon një tentativë të dëshpëruar për të shpëtuar.

Në vendngjarje u gjetën 18 gëzhoja të kalibrit 9 mm dhe të paktën gjysma e tyre kishin goditur viktimën, duke sugjeruar se ai ishte shënjestruar nga dy persona të armatosur.

Ngjarja ndodhi pranë zonave që autoritetet belge i konsiderojnë “hotspots” të trafikut të drogës në Bruksel, ku prej vitesh grupe kriminale përplasen për kontrollin e tregjeve të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Megjithatë, sipas hetimeve, vrasja e Ardit Spahiut lidhet me një rrjet më të gjerë të trafikut ndërkombëtar të kokainës, ku përfshihet edhe organizata kriminale e drejtuar nga vëllezërit Franc Çopja dhe Hajdar Çopja.

I njohur me nofkën “Arjani i vogël”, për shkak të shtatit të shkurtër, sipas të dhënave hetimore, ai kishte mbërritur në Belgjikë në vitin 2019. Në Bruksel, Spahiu dyshohej se ishte përfshirë në laboratorë të fshehtë për përpunimin dhe prerjen e kokainës.

Deklarimet e një bashkëpunëtori të drejtësisë, së bashku me analizën e mijëra mesazheve të platformës së enkriptuar SKY ECC, u bënë bazë kryesore e hetimit për lidhjen e vrasjes me organizatën kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc Çopja dhe Hajdar Çopja.

Këto komunikime zbuluan një rrjet të organizuar kriminal, me role të ndara mes informatorëve, logjistikës, ekzekutorëve dhe porositësve të vrasjeve me pagesa që arrinin qindra mijëra euro.

Hetimet lidhin organizimin e atentatit me një konflikt të hershëm mes grupeve kriminale nga Elbasani. Në njërën anë qëndronin familjet Alibej dhe Spahiu, ndërsa në anën tjetër klani Çopja, i drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.

Ky konflikt, sipas dosjeve hetimore, është ndezur fillimisht nga vjedhja e një ngarkese prej rreth 50 kilogramësh kokainë në Londër në vitet 2017–2018 dhe më pas është përshkallëzuar në një seri hakmarrjesh dhe vrasjesh në disa vende të Europës.

Hetimet tregojnë se klani “Çopja”, me origjinë nga Elbasani, ka ndërtuar një strukturë të mirëorganizuar kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, me shtrirje në disa vende të Europës dhe lidhje direkte me rrjetet e furnizimit nga Amerika Latine. Sipas SPAK dhe dosjeve hetimore, gjatë periudhës 2018–2020 kjo organizatë dyshohet se ka qenë e përfshirë në vrasje dhe atentate ndaj rivalëve, si pjesë e luftës për kontrollin e tregut të kokainës.

Përveç aktivitetit kriminal, hetimet evidentojnë edhe një dimension të gjerë ekonomik të kësaj strukture, ku fitimet nga trafiku i drogës janë kanalizuar në investime në ndërtim, pasuri të paluajtshme dhe biznese në Shqipëri.

Sipas dosjeve hetimore, miliona euro të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm janë injektuar në kompani ndërtimi, projekte rezidenciale në Tiranë dhe zona bregdetare, si dhe në blerje apartamentesh e tokash të regjistruara shpesh në emra të tretë për të fshehur pronësinë reale.

Brukseli, sipas hetuesve, ka shërbyer si nyje qendrore e rrjetit kriminal: si pikë hyrëse e drogës drejt Europës përmes portit të Antverpit, si qendër logjistike për përpunim dhe shpërndarje, dhe si hapësirë ku menaxhoheshin edhe flukset financiare të grupit.

Në këtë mënyrë, aktiviteti ekonomik i organizatës nuk kufizohej vetëm te trafiku, por shtrihej edhe në ndërtim dhe pastrim parash përmes sektorit të pasurive të paluajtshme.

Sipas SPAK, organizata “Çopja” konsiderohet ndër më të fuqishmet shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës, me aftësi për të menaxhuar sasi të mëdha droge dhe për të orientuar investime të konsiderueshme në ekonominë formale.

Këto fitime, sipas hetimeve, kanë financuar një cikël të vazhdueshëm dhune, zgjerimi dhe infiltrimi ekonomik.

Egen Beci, thekson se kombinimi i ekonomisë cash, strukturave formale të pronësisë dhe përdorimit të ndërmjetësve krijon hapësira të mëdha për fshehjen e burimit të fondeve.

“Ekonomia e bazuar në cash, kontrolli formal i pronarit përfitues, përdorimi i personave të tretë dhe mungesa e verifikimit real të burimit të fondeve në ndërtim krijojnë hapësira të konsiderueshme për rrezik financiar. Aktualisht, sistemi identifikon kryesisht transfertat bankare të dyshimta, ndërsa ka vështirësi në kapjen e parave që hyjnë drejtpërdrejt në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme. Kjo e bën sistemin më shumë reaktiv sesa parandalues.”- shpjegon Beci.

Franc Gergely (Franc Çopja), i ekstraduar në vitin 2023 nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka mohuar përfshirjen në vrasjen e Spahiut. Megjithatë, hetimet bazuar në komunikime të enkriptuara dhe dëshmi të bashkëpunëtorëve e lidhin ngjarjen me një sistem më të gjerë kriminal ku trafiku i drogës dhe investimet ekonomike në ndërtim funksiononin si dy anë të të njëjtit rrjet financiar.

Në Belgjikë ai është dënuar me 25 vjet burg me akuzën e vrasjes, ndërsa në Shqipëri, Gjykata e Posaçme ende nuk ka dhënë një vendim final, qoftë për drejtuesin apo pjesëtarët e organizatës kriminale “Çopja”. /Shteg.org

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :