Meta: Edi Rama pengmarrësi i drejtësisë dhe i integrimit të Shqipërisë në BE
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”, ku ndër të tjera ka folur edhe për paraqitjen në gjykatë, gjendjen e tij shëndetësore, trajtimin dhe akuzat e ngritura ndaj tij.
Më poshtë intervista e plotë e Kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:
PYETJE: Z. Meta, paraqitja juaj në gjykatë, solli mjaft reagime. Ju dukeshit mjaft i dobësuar. A është çdo gjë “OK” me shëndetin tuaj?
PËRGJIGJE: I dashur Blendi, jam i bindur se përshtypja apo çudia më e madhe ishte paraqitja ime në kafazin me “5 yje”. Ndërkohë e gjithë përpjekja e regjimit sorosist u përpoq të shpërqëndronte vëmendjen e publikut gjoja te paraqitja ime shëndetësore dhe madje edhe te gjendja ime “mendore”. Po, është e vërtetë, që jam dobësuar lidhur me peshën trupore, por kjo vjen për arsyen se çdo ditë bëj me intervale 4 orë stërvitje.
Por, jam shumë më i shëndetshëm dhe i fortë se më parë. Meqënëse nuk të kanë lejuar derimë tani për të bërë një intervistë, kërkoju leje të paktën që të bëjmë një ndeshje ping-pongu dhe po fitove një set do të jesh me shumë fat.
Po kështu, kostumet janë të vjetra se po bëj gati 2 vite në “riedukim” dhe dorëarti i mirënjohur Altin Mici, nuk i di përmasat e reja. Por të lutem, përqëndrohuni te thelbi i çështjes, pra ai i vendimit për t’u gjykuar në “kafaz” duke u bazuar në precedentin e një terroristi maroken që ka vrarë dhjetra francezë para një dekade.
Pra përjashtimin ekstrem të ndodhur në Francë, GJKKO e kthen në standard “europian” të gjykimit.
Pra proceset kundër Nicolas Sarkozy, Alain Jupee, Bernard Tapie dhe 99.99% e qytetarëve francezë, kanë qenë “anormale” për GJKKO-në tonë “speciale”. Këta harrojnë se gjykata jo vetëm duhet të jetë e paanshme, por edhe duhet të paraqitet edhe në formë (jo vetëm përmbajtje) si e tillë. Pra këta as nuk shtiren që të hiqen si të paanshëm.
Së dyti, vendimi për të mos lejuar transmetimin live është absurd, pasi kjo është çështje e interesit publik dhe çdo qytetar që ka interes apo dëshirë duhet ta ndjekë të plotë. Duhet të dëgjojnë pretendimet e akuzës dhe provat apo faktet e saj, por duhet të dëgjojnë edhe argumentat, provat dhe faktet e paraqitura nga unë dhe avokati im.
Cilado palë që nuk respekton rregullat e gjyqit mund të ndëshkohet nga gjykata. Në këto akuza nuk ka asnjë lloj sekreti shtetëror i dashur. Çështja më e përfolur prej 16 vitesh është CEZ-DIA. Është hera e katërt që po gjykohet (rekord guinness).
Herën e parë gjyqi kundër Z. Ismailaj dhe 2 menaxherëve çekë ku asgjëkundi nuk ekziston emri im.
Herën e dytë në Arbitrazh (Vjenë) ku studio ligjore që mbrojti shtetin shqiptar, Clifford Chance, përveç një reagimi zyrtar para përfundimit, është shprehur zyrtarisht pas gjyqit në letrën drejtuar Ministrit Gjiknuri dhe Drejtorit të OSHEE, Adrian Çela, se ishte shumë e keqardhur që u keqpërdor nga mediat emri i të nderuarit Kryetar i Kuvendit dhe se nuk ekziston asnjë evidencë për ndonjë marrëdhënie jotransparente midis tij dhe administratorëve të DIA-s.
Herën e tretë, çështja DIA është hetuar si pjesë e hetimit të Komisionit Parlamentar për CEZ-in në vitin 2016, ku ka qenë i ftuar si dëshmitar edhe kallëzuesi im i mëvonshëm në tetor 2017 kur unë isha President i Republikës.
As në këtë Komision Hetimor Parlamentar, ky person nuk më ka përmendur fare mua, por ka akuzuar përfaqësues të PD, jo vetëm për CEZ, por edhe për CEZ-DIA, madje duke ju referuar Z. Ismailaj dhe amerikanes Rebeça Gaskin.
Po kështu, në atë kohë ka akuzuar publikisht Partinë Demokratike se donte ta vriste .
Çuditërisht pas kallëzimit ndaj meje në tetor 2017, si punonjës i OSHEE (2012-2014 ishte Drejtor i DIA-s), pas tre javësh kërkon statusin e dëshmitarit të mbrojtur duke shkruar në kërkesën e tij se një i dënuar me burgim të përjetshëm kishte dalë disa herë nga burgu natën për ta vrarë, por meqënëse nuk e kishte gjetur, ishte kthyer prapë në burg në të gdhirë.
Vetë prokurorja Donika Prela, në 2019, është shprehur se dëshmia e tij është indirekte, pra e pabesueshme për dhënien e statusit të dëshmitarit të mbrojtur.
Por për prokurorin special, Z. Kraja, statusi i tij si kallëzues i “besueshëm” ishte i mjaftueshëm për të nisur një hetim tashmë 7-vjeçar të ri edhe pse CEZ-DIA ishte gjykuar njëherë në Shqipëri dhe ishin dhënë dënime fajësie.
Çuditërisht, po ky prokuror në vitin 2016 kishte mbyllur hetimet pas padisë zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit për faljen nga Rama të 479 milion eurove CEZ-it.
Kjo padi, përveç auditimeve të specializuara të KLSH, bazohej edhe në konkluzionet e një studioje shumë të njohur ligjore franceze “Derains & Gharavi”, e cila ishte paguar nga Qeveria Berisha për të bërë një bilanc të llogarive midis CEZ-it dhe Qeverisë shqiptare (OSHEE) për të kuptuar gjendjen e detyrimeve reciproke dhe rrugët e zgjidhjes së marrëveshjes.
Ky prokuror as denjoi ta thërriste KLSH në cilësinë e kallëzuesit sipas të dhënave të mia.
PYETJE: A ka probleme me trajtimin tuaj? Avokati i Popullit ka deklaruar se tek ju janë shkelur të drejtat normale të çdo personi në izolim. A është çdo gjë ok?
PËRGJIGJE: Besoj se konstatimet dhe rekomandimet e Avokatit të Popullit kanë qenë të qarta dhe publike për shkeljen e të drejtave të mia.
Së fundmi, pata rastin të vizitohesha në ambientet e ajrimit nga Drejtori i Përgjithshëm i ri i Burgjeve, Z. Adriatik Kupi.
Biseda ishte konstruktive dhe unë do t’ia parashtroj me shkrim kërkesat e mia që bazohen vetëm në të drejtat kushtetuese dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Por është fakt se që nga 2 korriku 2025, kur unë iu përgjigja disa pyetjeve të gazetares Znj. Aida Toncica, jo vetëm që u dënova me izolim ekstrem, por kurrë nuk mu dorëzua vendimi i dënimit në dorë (!!!).
Po e drejta e ankimit a ekziston në Republikën tonë?
PYETJE: Procesi juaj ka nisur. Si e gjykoni?
PËRGJIGJE: Me bindje të plotë ju siguroj se standardet e rrëmbimit që shokuan edhe ish-Kryeministrin, Z. Matteo Renzi e çdo njeri me mend në kokë, kanë qenë edhe standardet e kallëzimit, procedimit, hetimit, gjykimit dhe vetë paraburgimit.
Ju mund të pyesni Avokat Genc Gjokutaj, i cili erdhi vetë te Drejtoria e Policise të Tiranës pas lajmit në media.
Ai mund t’ju tregojë se sa kohë na u desh që të vinte oficeri i policisë gjyqësore për të sjellë urdhërin e ndalimit.
Vetë gjykata më vonë konstatoi diferencën 1 orë e 58 minuta midis kohës së rrëmbimit (12:18) dhe arrestimit të ligjshëm (14:16).
Pra 1 orë e 58 minuta ku isha unë?
As procesverbali i hyrjes e daljes time nga Policia e Tiranës nuk ekziston.
Më e bukura është se dy ditë më vonë kur gjykatësi Erion Çela i pyeti tre prokurorët e pranishëm se si ishte kryer arrestimi, Z. Kraja plot krenari u përgjigj: Sipas ligjit (!!!).
Por edhe gjykatësi, meqënëse nuk e kishte parë në media si Z. Matteo Renzi, nuk pati asnjë vërejtje edhe pse vendimin për arrestimin e kishte marrë ai.
Pastaj ju e dini që hetimet janë mbyllur që në qershor 2025.
Siç e dini besoj se “shorti” për seancën paraprake i ra Znj. Irena Gjoka, e cila jo vetëm ishte në hetim nga prokurori i çështjes time, por e cila kishte gjykuar çështjen DIA në 2016.
Edhe pse ajo e kaloi çështjen për gjykim në themel, përsëri konstatoi mangësi serioze të hetimit, si mospyetja e personit kyç shqiptaro-amerikan që përmendet nga 200 herë në akuzë dhe plot të tjera.
Ndërsa kur kërkesa për rishikim të masës së sigurimit shkon në Gjykatën e Lartë i bie gjithmonë “shorti” Z. Ilir Panda, i cili është dy herë në konflikt interesi pasi jo vetëm është shkarkuar nga unë si Ministër në vitin 2000, por edhe ka qenë relator në gjykimin e çështjes DIA herën e parë.
PYETJE: Duke qenë në izolim dhe nën gjykim, a keni hequr ju dorë nga politika aktive?
PËRGJIGJE: Unë e kisha një plan për t’u larguar nga politika, kur edhe pse me dilema, pranova të bëhem President i Republikës, e nëse nuk do kishin ndodhur çmendurira si komploti për djegien e mandateve dhe marrëzia si betimet te “Lana” të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ndoshta sot do të isha si ambasador në Danimarkën time të preferuar.
Ato që ndodhën e bënë të pashmangshëm rikthimin tim në politikën aktive atje ku mund të ndryshohen gjërat në themel.
Që ditën e parë të largimit nga detyra e Presidentit të Republikës, shpikën një “e-mail” nga SHBA, se gjoja unë kisha qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, një palaçollëk që zgjati nja një vit duke përgojuar persona jopublikë.
Pastaj pasi zbuluan disa telefona të njerëzve pranë meje, u përpoqën që të largohesha vetë me të “mirë”.
Dhe meqënëse unë jo vetëm nuk u largova me të “mirë” dhe nuk u arratisa nga frika e letërporosive që vinin çdo ditë, i ranë shkurt dhe më rrëmbyen në 21 Tetor 2024.
Largimi im nga politika tani, për mua është vetë brektisja e Lirisë, e cila është në ADN-në time.
Ndaj jam më i vendosur se kurrë që të luftoj, jo thjesht për lirinë time, por të të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë.
PYETJE: A rakordoni me procesin tuaj me Znj. Kryemadhi që akuzohet bashkë me ju?
PËRGJIGJE: Ndarja jonë reale politike ka nisur me vendimin e saj të njëanshëm për djegien e mandateve të LSI në shkurt 2019.
Kjo ndarje politike u bë përfundimtare nga 21 Nëntori 2023 dhe më 27 Prill 2024 kur u bë Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë. Djegia e mandateve të LSI më vendosi vërtet në cep pasi mbeta President, i vetëm, përballë një Kuvendi me 122 mandate që çdo minutë mund të më shkarkonte.
Shtoji kësaj situate edhe grupin e strukturuar diplomatik të asaj kohe.
Por atë ditë që vura dorën mbi Kushtetutë si President, u betova se jo vetëm do ta mbroja Kushtetutën me çdo çmim e në çdo rrethanë, por edhe se do ta përfundoja të plotë deri ditën e fundit mandatin ashtu siç ndodhi.
Tani që t’iu përgjigjem pa asnjë ekuivok.
Nuk ekziston asnjë rakordim midis meje dhe Znj. Kryemadhi, as për procesin gjyqësor dhe për asgjë tjetër.
Po kështu, përgjegjësitë tona ligjore janë shumë të ndara edhe pse prokurorët duan të na bashkojnë në këtë proces në mënyrë shumë të sforcuar, sepse përgjegjësia penale është individuale.
Lidhur me çështjen CEZ-DIA, Znj. Kryemadhi nuk ka asnjë lidhje.
Lidhur me lobimet për McKeon Group, ajo nuk ka asnjë lidhje, pasi është çështje ku jam përfshirë vetëm unë me kërkesën dashamirëse të Z. Vangjel Tavo në atë kohë.
Vetë autoritetet amerikane e çmontuan shpifjen e 1 milion dollarëve të botuar nga Mother Jones dhe Austri, etj.
Është provuar se ka vetëm një pagesë të ligjshme 15 mijë dollarë dhe kjo përmes bankës dhe me vendim të Kryesisë së LSI.
Lidhur me marrëveshjen LSI – GSIS ajo është shumë precise dhe unë nuk kam asnjë firmë apo autorizim për pagesa.
Sidoqoftë marr çdo përgjegjësi ligjore për këtë marrëveshje deri në prill 2017 kur kam dhënë dorëheqje nga Kryetar i LSI pas zgjedhjes si President i Republikës, sipas obligimeve të statutit të LSI.
Vetëm prokurorët politikë mund t’u kërkojnë të dhëna autoriteteve amerikane për këtë marrëveshje me LSI, për Ilir Metën, si Kryetar i saj deri në vitin 2018 (!!!).
Po kështu, vetëm prokurorët politikë mund t’i gënjejnë zyrtarisht autoritetet amerikane të drejtësisë siç është letërporosia e 11 Marsit 2025, se gjoja ata kishin provuar se i pandehuri Ilir Meta ka përdorur 3 karta amerikane (!!!).
Nëse ata provojnë gjatë gjyqit se unë kam përdorur ndonjëherë një kartë shqiptare e jo amerikane apo afrikane, ik përgjithmonë nga politika dhe jeta publike. Pra në akuzën prej 220 faqesh janë vetëm 30 faqe për CEZ-DIA plot gënjeshtra dhe asgjë tjetër për mua. Subjekti i posaçëm për deklarimin e shpenzimeve apo pasurisë mban përgjegjësi penale vetëm për ato që deklaron vetë dhe jo personi i lidhur me të, i cili mban vetë përgjegjësi për çfarë deklaron.
Nuk ekziston asnjë shpenzim i padeklaruar nga unë. Znj. Kryemadhi dhe nëna e saj kanë patur shumë të ardhura të ligjshme dhe pasuri të patundshme që janë publike. Unë kurrë nuk jam përzjerë me llogaritë dhe interesat e tyre, aq më tepër të kushërirave dhe kushërinjve të tyre. Sidoqoftë ato kanë avokatët e tyre. Po kështu, asgjëkundi në akuzë pas çështjes CEZ-DIA, nuk ekziston asnjë veprim, e-mail, sms e imja për të gjitha episodet e përfshira.
Thjesht “telefon i prishur”. Natyrisht edhe ëndrra e parealizuar për të krijuar prova penale, këtu përmes izolimit ekstrem e provokimeve ordinere. Sidoqoftë, i falenderoj për vettingun 34-vjeçar që më kanë bërë.
Blendi Fevziu: A keni vetëm një betejë, atë me drejtësinë?
Ilir Meta: Unë nuk kam asnjë betejë me Drejtësinë, pasi kurrë nuk kam shkelur asnjë ligj dhe as kam qenë në dijeni se dikush tjetër ka shkelur ligjin. Kurrë nuk kam bërë as ligje dhe as vendime me porosi si Edi Rama. Kurrë nuk kam favorizuar asnjë kompani apo biznesmen dhe kurrë nuk i kam shkaktuar një qindarkë dëm Buxhetit të Shtetit. Natyrisht kjo është e gjitha një betejë politike ku Edi Rama po përdor si armë politikë drejtësinë e kapur prej tij me mbështetjen e McGonigalëve dhe Mogherinëve.
Unë kurrë as i jam shmangur drejtësisë dhe as e kam penguar atë. Sot është provuar botërisht se Edi Rama është pengmarrësi dhe penguesi i drejtësisë por edhe i integrimit europian ku “shkëlqen” si recidivist.




