Investigimi/ Korrupsioni ‘metastazë’- Si po i justifikon Edi Rama vjedhjet e qeverisë
Mirëmbrëma! Po fillon Plug! Në emisionin e sotëm do të ndalemi tek një tjetër rast abuzimi. Ku personazhe të njohur të lidhur me pushtetin befas rezultojnë investitorë, ndërtues e përfitues projektesh energjetike. Një prej këtyre personazheve është edhe futbollisti Igli Tare, një figurë e dashur për sportadashësit, por që tashmë rezulton një figurë e dashur për Edi Ramën dhe Belinda Ballukun.
Nuk do të kishte askush dyshimin më të vogël, nëse një personazh i tillë do ti futej biznesit, do të investonte apo do të përfitonte nga aktiviteti i tij. Por në këtë rast, jemi përballë shfrytëzimit të aseteve dhe pasurisë shtetërore, nga një grup shtetarësh, që Shqipërinë po e zhvasin si plaçkë të tyre.
Emisioni Plug që në fillim nisi me një qëllim, transparencën. Misionin që opinioni publik ja beson me ndjekjen e tij.
Profesionalisht, gazetaria investigative nuk gjen fajtorë, nuk ngre akuza, por publikon fakte, ngre hipoteza që konfirmomimin e marrin nga vetë opinioni publik, nga institucionet e drejtësisë, apo edhe nga vetë personazhet objekt investigimi që kanë të gjithë të drejtën e qëndrimit kundërshtues, siç ka ndodhur në jo pak raste.
Deri më sot kemi bërë transparencë mbi disa prej rasteve, që SPAK i ka konsideruar si aferat më të mëdha korruptive në vend.
Çdo episod i këtij emisioni ka treguar jo vetëm korrupsionin galopant në Shqipëri por edhe një skemë të mirëmenduar për të zhavatur paratë dhe pronat publike. Ndërkohë që denoncimet vazhdojnë, kryeministri Edi Rama përpiqet që korrupsionin ta trajtojë si një problem të shoqërisë dhe jo të tij apo qeverisjes.




