Veladoni i Ndrecës që sfidon SPAK dhe GJKKO

Veladoni i Ndrecës që sfidon SPAK dhe GJKKO

Nga Boldnews.al

Kryebashkiaku “de jure” Erion Veliaj nuk përbën më lajm, kur duhet të ishte kryelajm. I akuzuar nga Prokuroria Speciale (SPAK), për 9 vepra penale, përballja me drejtësinë e njeriut më të fuqishëm politik dhe jo vetëm pas Ramës, padyshim që ngjall edhe interes pulik, jo vetëm si “proces juridik”. Vëmendjen, si “hirushja” e një balloje brenda teatrit të absurdit, e ka marrë avokati i tij, Plarent Ndreca, edhe ai vetë nën akuzë për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.

Këtë të mërkurë, Ndreca kishte seancën e radhës gjyqësore në procesin ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë, por preferoi të ishte në një sallë tjetër, si avokat i kryebashkiakut Erion Veliaj. Çudia, deri në një sfidë dhe përbuzje ishte se nuk preferoi as të dërgonte avokatin e tij në çështjen që e prek drejtëpërdrejtë dhe detyroi GJKKO-në të shtyjë seancën për në datën 19 maj, gjithnjë duke parë edhe agjendën e të pandehurit avokat.

Një shembull ekselent sesi sistemi politik në pushtet, i veshur ndonjëherë edhe me veladonin e avokatit, jo vetëm sfidon hapur, por kapërcen edhe kufirin brenda kornizës juridike në një proces gjyqësor.

Së fundmi ka dalë në një sfidë të hapur qëndrimesh në sallën e gjyqit me Ols Dadon, një nga prokurorët e çështjes Veliaj. Ish-deputeti i PS-së, sekretar i Përgjithshëm në tri ministri, përfshi edhe atë të Brendshme dhe anëtar i Këshillit Bashkiak, tashmë zyrtarisht është në mbrojtje të Erion Veliajt, duke lënë pas çështjen e tij.

Asgjë e paligjshme në mbrojtje të një të pandehuri, edhe kur vetë është i pandehur në një çështje tjetër, por fija e hollë mes ligjit dhe moralit, është këputur me kohë. Aktualisht Ndreca është në përballje gjyqësore në shkallën e parë për një akuzë që lidhet me paracaktimin e tenderave për rikonstruksine komisariatesh, por në krahasim me çfarë mund të rrezikonte, kjo akuzë duket fort e lehtë për një “avokat të njohur”.

Tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit në kohën kur Ndreca ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, zbuloi aferë të frikshme në vlerën 23 milionë euro, që më vonë u trajtua si meme, ku vetë hartuesit e këtij tenderi, me siguri gajaseshin nga hetimet e SPAK në atë kohë. Uniforma e një polici u tenderua për rreth 2700 euro, ku vetëm kapelja vlente 180 euro…

Tashmë Ndreca përballet me akuzën e lehtë të “shkeljes së barazisë në tendera”, për një çështje tërësisht periferike për “staturën e lartë” të avokatëve që po tregojnë si djall drejtësinë, madje me arrogancë dhe shpërfillje të dukshme, edhe pse shprehja e famshme ka tjetër emërtim: “avokati i djallit”. Çështja e madhe mbetet mbrojtja e Veliajt, ajo e vogla fare pret, madje të shtyhet në kohë pa kohë. E sigurt që shfaqja do vijojë, sa në një sallë në tjetrën. Pushteti politik nën veladonin avokator po degradon drejtësinë e re që pretendon se ka është e pavaruar, aq “e pavarur” sa edhe avokatët e sfidojnë…!

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :