‘Kjo nuk është drejtësi, por narkoregjim’/ Xhixho: Procesi ndaj Metës, gjyq politik dhe shkelje e të drejtave themelore
Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës, duke e cilësuar atë si një “proces politik të paligjshëm” dhe një “shkelje të çdo të drejte themelore të njeriut”.
Sipas Xhixhos, ajo që nisi një vit e gjysmë më parë me atë që ajo e përshkruan si “rrëmbim kriminal”, ka vijuar me një seancë gjyqësore që, sipas saj, ka cenuar hapur standardet e një procesi të rregullt ligjor. Ajo deklaroi se seanca është zhvilluar në izolim, pa transparencë dhe me kufizim të qëllimshëm të së drejtës së fjalës për ish-Presidentin Ilir Meta.
Kjo nuk është kurrën e kurrës drejtësi. Ky është thjesht dhe vetëm një narkoregjim,” shprehet Xhixho në reagimin e saj.
Në deklaratën e saj, Xhixho akuzon qeverinë se po përdor institucionet për të goditur kundërshtarët politikë, duke pretenduar se shqiptarët panë mënyrën se si, sipas saj, trajtohen kundërshtarët në Shqipëri. Ajo theksoi se Ilir Meta, si ish-President, ish-Kryetar Kuvendi dhe ish-Kryeministër, është mbajtur i izoluar, pa komunikim me publikun dhe median, në atë që ajo e konsideron një shkelje flagrante të të drejtave themelore.
Xhixho e cilësoi situatën si “gjyq politik” dhe “krim politik”, ndërsa shtoi se mungesa e transparencës dhe kufizimi i fjalës janë, sipas saj, tregues të frikës nga e vërteta.
Postimi i Xhixhos:
Një proces politik i paligjshëm dhe shkelje e çdo të drejte themelore të njeriut që po i bëhet Ilir Metës.
Ajo që nisi një vit e gjysmë më parë me një rrëmbim kriminal, vijoi sot me një seancë gjyqësore që shkeli hapur çdo standard të një procesi të rregullt ligjor. Një seancë e zhvilluar në izolim, pa transparencë dhe me kufizim të qëllimshëm të të drejtës së fjalës për një ish-Kryetar Shteti.
Kjo nuk është kurrën e kurrës drejtësi. Ky është thjesht dhe vetëm një narkoregjim.
Sot, shqiptarët panë se si trajtohen kundërshtarët politikë në Shqipërinë e Edi Ramës: ata izolohen, keqtrajtohen në burgje, u mohohet fjala dhe mbahen larg publikut, sidomos kur janë figura si Ilir Meta, që njeh të vërtetat që i dhembin narkoregjimit.
Ish-Presidenti i Republikës, ish-Kryetari i Kuvendit dhe ish-Kryeministri i vendit, Ilir Meta, u mbajt i mbyllur, pa mundësi komunikimi me publikun dhe median, në një shkelje flagrante të të drejtave themelore sipas një skenari mafioz të organizuar në zyrat e qeverisë.
Kjo është filozofia e një narkoregjimi mafioz që, kur nuk blen dot kundërshtarët, përpiqet t’u mbyllë gojën me çdo mënyrë.
Mungesa e transparencës sot nuk ishte thjesht problem procedural — ishte provë e një frike të thellë nga e vërteta dhe bunkerizimi i sallave të gjyqit u bë për të dënuar në mënyrë të paligjshme kundërshtarët politikë.
Ilir Meta nuk i është shmangur asnjëherë drejtësisë. Ai ka përballuar çdo betejë me dinjitet dhe deri në fund.
Ky nuk është thjesht një gjyq politik. Ky është një krim politik.
Mohimi i transparencës, kufizimi i fjalës dhe izolimi i qëllimshëm janë shenjat më të qarta të një regjimi të kalbur dhe që ka frikë shumë të madhe.
Fjala e Ilir Metës diskrediton plotësisht ata që sajuan një dosje të manipuluar, pa prova, fakte e dokumente, por vetëm me urdhër politik.
Dhe kur një regjim ka frikë nga e vërteta, ai nuk prodhon më drejtësi, por vetëm padrejtësi me regji.
Ilir Meta do ta fitojë pa as më të voglin dyshim edhe këtë betejë, por sistemi i drejtësisë së “re” është damkosur shumë rëndë si i kapur dhe në krah të antiligjit.



