Kalkulimet e Ramës për pushtetin e tij – Krahasime me sjelljet e diktatorit Hoxha!
Nga Enver Bytyci
Ka kaluar pa u vënë re një deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Rusinë e Vladimir Putin. Rama i thoshte portalit “Politico” të Brukselit para disa ditësh nga Athina se “Bashkimi Evropian ka bërë një gabim strategjik, duke ndërprerë kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit me Moskën për shkak të luftës kundër Ukrainës”! Më tej ai ka theksuar se mungesa e kontaktit me Rusinë mund ta dobësojë pozicionin e BE-së në përpjekjet e ardhshme diplomatike për zgjidhjen e konfliktit. Këtë qëndrim të tij shefi ynë i ekzekutivit e përligji me faktin se “Shqipëria nuk ka varësi nga gazi rus”! Ndërkohë që gjithkush e di se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë pa infrastrukturë të shpërndarjes së gazit natyror e për pasojë nuk mund të ketë asnjë lloj varësie për diçka që nuk mund ta shërbesh për qytetarët e tu.
Por cila është intriga e kryeministrit Rama me këtë kthesë 180 gradësh nga qëndrimet e mëparshme ndaj luftës në Ukrainë?! Të gjithëve na kujtohet “spektakli” i mbledhjes së Këshillit të Sigurimit nën drejtimin e Edi Ramës, mbledhje në të cilën ky i fundit imitoi diktatorin Hoxha në qëndrimin e tij ndaj ambasadorit rus në OKB dhe ftesës që i bëri presidentit ukrainas, Volodymyr Selensky për të folur në atë mbledhje. Më pas pamë se si kryeministri ynë u bë nikoqir i Mbledhjes së shefave të Evropës për Ukrainën. Pamë pritjet së paku dy herë të presidentit ukrainas në Tiranë. Ndërkaq mediet pro-qeveritare u investuan në “rolin e jashtëzakonshëm të liderit suprem në mbështetje të Ukrainës e kundër agresionit rus”! Ishte një investim i jashtëzakonshëm atëherë i Edi Ramës në servilizmat e tij ndaj politikave sorosiste të administratës Biden për Ukrainën.
Është interesant se si na përsëritet historia ne shqiptarëve. Kur Enver Hoxha i prishi marrëdhëniet e tij me Titon, shënoi rekorde në diskursin e tij për kultin e Stalinit. Më vonë, kur ai u prish me Hrushovin, shënoi rekorde të reja me lëvdatat për Mao Ce Dunin, Çu En Lain dhe Republikën Popullore të Kinës. Nëse dikush do ta studionte me vëmendje sjelljen e Edi Ramës, ve re lehtësisht se sindroma e Enver Hoxhës e shoqëron atë në kohët e sotme. Në rastin konkret, sa kohë që administrata Biden ishte e vendosur kundër Rusisë dhe agresionit të saj ndaj Ukrainës, Edi Rama ishte radikali më i madh i qëndrimeve anti-ruse në Europë. Ndërsa sot, kur administrata Trump është gati neutrale dhe jo kritike ndaj agresionit rus në Ukrainë, Edi Rama ka ndërruar kursin e tij politik në mbështetje të linjës trampiste ndaj Moskës.




