Blushi: Komunikimi mes drejtuesve të DIA-s vërteton se Ilir Meta ka zero lidhje me aferën CEZ-DIA

Blushi: Komunikimi mes drejtuesve të DIA-s vërteton se Ilir Meta ka zero lidhje me aferën CEZ-DIA

Deputeti, njëherësh sekretari i përgjithshëm i Parisë së Lirisë, Tedi Blushi gjatë një deklaratë për mediat të mbajtur mesditën e sotme ka publikuar prova të reja, që rrëzojnë pretendimet e SPAK në lidhje me akuzat ndaj presidentit të PL-së, Ilir Meta.

Deklarata e Tedi Blushit:

Në vijim të sqarimit publik lidhur me të vërtetën e vetme se ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë ka ZERO fakte dhe ZERO prova penale që e lidhin atë me aferën CEZ-DIA, do vijojmë sot me publikimin e provave të reja ligjore.

Deri më tani kemi bërë vetëm 8 nga të paktën 800 fakte, dokumenta, shkresa dhe dëshmi që e provojnë se kompania DIA, ishte që para se të lindte dhe derisa u mbyll, një krijesë amerikane dhe se kontrata CEZ-DIA u lidh falë, jo vetëm lidhjeve që kishin amerikanët e DIA-s me CEZ-in, përvojave të kompanive amerikane në Çeki që ata ofruan si garanci, por edhe falë garancive që ata ofruan në emër të kompanisë mëmë, Debt Advisory International LLC, ku tre aksionerët ishin amerikanë.

Ndër këto dokumenta që kemi publikuar, unë po ju rikujtoj, vetëm një, dokumentin zyrtar shtetëror të regjistrimit të DIA-s në Shqipëri, ekstraktin e marrë nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ku provohet de jure, se pronari i vërtetë i DIA-s, ishte Znj. Rebecca Gaskin.

Dua t’ju sqaroj edhe njëherë se jo vetëm DIA por edhe marrëdhënia e saj me kompaninë CEZ, ishte dhe mbetet një histori mafioze, ku është përfshirë drejtpërdrejt, Edi Rama dhe ku është konsumuar afera e madhe korruptive e faljes së 479 milion eurove të shqiptarëve CEZ-it.

Por vijojmë sot, si përherë, mbështetur vetëm mbi prova ligjore, publikimin e fakteve të reja.

Më konkretisht, komunikimin midis drejtuesve të DIA-s, dega Shqipëri, që dëshmojnë se pronarja amerikane e DIA-s, Znj. Rebecca Gaskin, jo vetëm ishte në dijeni të problemeve të kompanisë, të presioneve që ushtroheshin ndaj saj nga dega e CEZ-it në Shipëri, por që vërtetojnë edhe se sa të forta ishte lidhjet e saj me drejtuesit e CEZ-it, sa jo vetëm nuk i llogariste shqetësimet e tyre por siç ka pohuar edhe vetë lidhjet e saj me CEZ-in ishin aq solide sa ajo pretendonte të blinte edhe degën e CEZ-it në Shqipëri.

3 / 3
PrevNext
Vijojmë konkretisht.

Më datën, 9 nëntor 2011, Drejtori rajonal i DIA-s, Oligert Kume i dërgon një e-mail administratorit të DIA-s, Z. Kastriot Ismailaj ku e informon për presionet dhe fushatën e shpifjeve sipas tij që po ndërmerren ndaj DIA-s nga përfaqësuesve të CEZ-Shqipëri.

(E-mail bashkëlidhur i OLIGERT KUME – 9 nëntor 2011)

Më datën 10 nëntor 2011, Administratori i asaj kohe i DIA-s, Z. Kastriot Ismailaj, i kthen një e-mail drejtorit rajonal të kompanisë, Z. Oligert Kume, në lidhje me histerinë sipas tij që ka nisur ndaj DIA-s dhe stafit të saj, duke i bërë me dije se përgjigjen po ta kthej në gjuhën angleze në mënyrë që edhe pronarja e kompanisë, pra Znj. Rebecca Gaskin të krijonte një pasqyrë të saj.

(E-mail bashkëlidhur i KASTRIOT ISMAILAJ – 10 nëntor 2011)

Vijojmë tani me faktin më interesant.

Brenda ditës, dhe fiks 28 minuta pas email-it të Z. Ismailaj për Z. Kume, vetë pronarja e DIA-s, Znj. Rebecca Gaskin, i kthen përgjigjen e saj drejtorit rajonal të DIA-s, ku jo vetëm e qetëson dhe e këshillon të mos shqetësohet fare për sulmet e CEZ-Shqipëri, por i evidenton dhe argumentin bindës.

Dhe argumenti i saj janë pikërisht, ato që edhe ajo shkruan vetë, lidhjet e saj shumë shumë të forta me CEZ-in në Pragë, madje aq të forta sa ajo është gati të blerë edhe degën e CEZ-it në Shqipëri.

(E-mail bashkëlidhur i REBECCA GASKIN – 10 nëntor 2011)

Ky email, vërteton, natyrisht për çdo njeri që ka sytë në ballë dhe jo për ata prokurorë të tredhur që ua ka lidhur sytë Edi Rama që te vettingu, se Znj. Rebecca Gaskin, jo vetëm ishte në dijeni të problemve që kishte DIA, të presioneve që kishte për këto arsye nga CEZ-i i Shqipërisë, por ajo tregon që kishte lidhje kaq të forta me drejtuesit e lartë të CEZ-, sa jo vetëm nuk i llogariste kritikat e tyre, përkundrazi ishte aq e plotfuqishme sa pretendonte që DIA të blinte edhe CEZ-in e Shqipërisë.

Aq e plotfuqishme, siç e lexuat, do e blinte CEZ-in e Shqipërisë me çmimin që do caktonte kjo, jo me atë mund të kërkonte CEZ në Prag.

Madje, kaq e plotfuqishme ishte Znj. Gaskin, sa në bashkëpunim shumë të ngushtë me Edi Ramën, mori një badigard të Niko Peleshit, e caktoi si ‘administrator’ të DIA-s, e regjistroi edhe në QKR, dhe ndërkohë në emër të tij, pa dijeninë e tij, firmoseshin shkresa, vuloseshin dokumenta, ndërkohë që badigardi i Peleshit, jo vetëm që nuk dinte anglisht dhe as kishte firmosur gjë, se as vulë nuk kishte parë, por nuk dinte as ku ishte selia e DIA-s dhe as se me çfarë punësh merrej kompania ku ai ishte ‘administrator’, që siç e ka pohuar edhe vetë para gjykatës e mori vesh kur plasi skandali në media.

Faktet janë asgjësuese, të kristalta në dritë të diellit, që Ilir Meta nuk ekziston asgjëkundi, ka zero prova dhe lidhje me DIA dhe e gjithë kjo lojë mafioze e SPAK-ut me regji është në funksion vetëm të mbylljes së aferës korruptive të faljes së 479 milion eurove të shqiptarëve CEZ-it.

Ndaj SPAK nuk ka patur kurrë vullnetin të hetojë realisht historinë mafioze të kompanisë DIA dhe marrëdhënies së saj me kompaninë CEZ, sepse e vërteta të çon vetëm te Edi Rama dhe askund tjetër.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :