Tabaku: Po miratoni ligje në kundërshtim me BE, po bllokoni integrimin e Shqipërisë!
Deputetja e PD, Jorida Tabaku, në fjalën e mbajtur në Kuvendin hodhi akuza në drejtim të mazhorancës, ku tha se Parlamenti po miraton në mënyrë sistematike ligje që bien ndesh me direktivat e Bashkimit Europian.
Sipas Tabakut, kjo praktikë, e vërejtur rëndom gjatë tre muajve të fundit, po minon seriozisht procesin e integrimit të vendit.
“Së pari të përsëris kërkesën e opozitës që parlamenti duhet të ketë një proces i cili nuk miraton ligje të cilat shkelin, siç po flasim e siç po diskutohet, direktivat e Bashkimit Europian. Kjo ka ndodhur në tre muajt e fundit rëndom. Në pothuajse prej të gjithë, secilin prej grup kapitujve ka një ligj i cili shkel direktivat europiane. Këtë e thotë edhe raporti që Komisioni i Jashtëm në fakt do të miratojë.
Dhe tre çështje për të sqaruar opinionin publik sepse këtu në fakt u thanë shumë të pavërteta. E para, raporti i kërkon parlamentit shqiptar të përfshijë opozitën në procedurat parlamentare ashtu siç i takon. Ky raport nga ana tjetër i kërkon qeverisë që të ketë një proces ligjor të plotë, transparent, jo nga ato që bëni vjet orë ku miratohen ligjet shkel e shko pa asnjë debat parlamentar.
I kërkon po këtij parlamenti të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, i kërkon të mos cenojë reputacionin e SPAK-ut me presion politik, dhe së fundmi kërkon këtij parlamenti që çështjet e imunitetit për hetimet e korrupsionit të trajtohen pa pasur mbrojtje politike. Ajo që ndodhi këtu në këtë parlament dy muaj më parë, sigurisht që nuk është në mbështetje të procesit të integrimit.
Ne kënaqemi shumë në fakt dhe e vlerësojmë shumë faktin që Mali i Zi është duke nisur të hartojë marrëveshjen për mbylljen e negociatave. Ashtu siç e vlerësojmë shumë që ka 14 kapituj të mbyllur, por shqetësimi jonë është Shqipëria. Shqetësimi jonë është procesi i integrimit në Shqipëri, që fatkeqësisht ka 12 vite që mbetet i bllokuar”, u shpreh Tabaku.



