Rama dhe QKR-ja emërojnë administratorë fiktivë’/ Meta: CEZ-DIA, një skemë që fsheh 479 milionë euro dëm për shqiptarët
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar në lidhje me deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të PL, Tedi Blushi, mbi çështjen e kompanisë DIA dhe marrëdhëniet e saj me CEZ.
Meta ka ngritur akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve të regjistrimit të bizneseve, duke u shprehur se bodigardi i Niko Peleshit është emëruar administrator i kompanisë DIA, e cila sipas tij ka qenë e përfshirë në një skemë me përmasa të mëdha financiare.
Në deklaratë, Tedi Blushi ka folur për atë që e cilëson si një “histori mafioze” të lidhur me DIA dhe CEZ, duke përmendur një marrëveshje që sipas tij ka sjellë një dëm prej rreth 479 milionë euro për taksapaguesit shqiptarë. Ai shprehet se në këtë proces janë përfshirë aktorë politikë dhe se janë përdorur, sipas tij, individë të tretë si administratorë formalë të kompanisë
Blushi ka cituar edhe dëshmi të një personi të identifikuar si Ali Cena, i cili ka deklaruar në gjykatë se nuk ka pasur rol real në veprimtarinë e kompanisë DIA dhe nuk ka qenë i përfshirë në dokumentacionin apo administrimin e saj.
Nga ana e Partisë së Lirisë, këto zhvillime janë cilësuar si pjesë e një skeme që kërkon të mbyllë hetimet mbi çështjen CEZ–DIA dhe të shmangë përgjegjësinë e personave që ata i konsiderojnë përgjegjës kryesorë
Postimi i plotë:
Vetëm Edi Rama dhe QKR-ja e tij mund të emërojnë si “administrator” të një kompanie amerikane si DIA, me miliona euro, një bodigard të një vartësi të tij.
Për më tepër një bodigard që brenda një minute u bë “administrator” dhe që e merr vesh nga media se çfarë përfaqëson kompania që ai medemek “administron”.
Kjo është siguria mafioze juridike, që ofron Kreu i Organizatës.
Të rejat sapo kanë filluar! Të tjera edhe më të rënda do të shohim!
Vetëm durim…!




