Prona në Himarë – Dule: Ose duhet t’u dorëzosh përqindjet ose të bashkëpunosh me klientelën e Ramës!
Përtej rrugëve të reja, qëllimi i të cilave duket se është vetëm krijimi i një vitrine, në Himarë fshihet një krim ndaj banorëve dhe pronarëve të ligjshëm të zonës.
I ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, deputeti i PD, Vangjel Dule shprehet se jeta e përditshme në Himarë është një sfidë e vazhdueshme.
Furnizimi i pandërprerë me ujë mbetet një ëndërr, ndërprerjet kronike të energjisë elektrike janë bërë tashmë normë sipas tij, ndërsa menaxhimi i mbetjeve urbane është inekzistent.
Megjithatë, drama më e madhe zhvillohet në fushën e pronësisë. Prej 35 vitesh, thotë Dule, banorët himariotë luftojnë me atë që përshkruhet si “përbindëshi i pushtetit politik dhe të drejtësisë” për të marrë certifikatat e pronësisë për tokat e trashëguara.
Ky proces është kthyer në një gjendje të pashpresë, ku edhe nëse arrihet marrja e një dokumenti përmes “allishverisheve” me klientelën e pushtetit, shfrytëzimi i pronës është i pamundur pa u bërë pjesë e së njëjtës skemë.
Pronarët e ligjshëm, thekson ligjvënësi Dule, gjenden përballë një dileme: ose t’i dorëzojnë pronat e tyre për një përqindje të vogël rrjetit klientelist, ose të mbeten peng i burokracisë dhe presionit politik.
Në këtë kontekst, projektet si “Himara Invest” mbeten në tryezë si një kërcënim i vazhdueshëm, pjesë e një masterplani më të gjerë për të kontrolluar çdo zhvillim në zonë.
Arti i vetëm i zotit Rama dhe i mëkëmbësit të tij në Himarë është ai i grabitjes dhe i mashtrimit. Çdo gjë tjetër është tentativa e krijimit të një vitrine të ndritshme, përtej së cilës ndodh një krim monstruoz. Shikoni gjendjen e pastërtisë, sidomos në muajt e pikut të turizmit dhe të lëvizjes turistike. Apo shkojmë edhe në gjëra më të thjeshta dhe më të vetëkuptueshme. Furnizimi i pandërprerë me ujë nuk ekziston. Pyetni në Palasë. Ose ndërprerjet kronike të energjisë elektrike. Po shërbimi shëndetësor?
Pavarësisht se poliklinika e Himarës në muajt e beharit përforcohet edhe me personel shtesë, duhet të kesh perëndinë më vete po të ndodhi diçka me fëmijët apo ndonjë aksident gjatë periudhës së pushimeve. Gjendja është dramatike. Apo edhe aspekti i trajtimit të mbetjeve urbane. Himara nuk ka trajtim të plotë të mbetjeve urbane. Ujërat e zeza, në masën e 2/3, përfundojnë në det. Ka dy avantazhe Himara. Bukurinë që i fali perëndia dhe profesionalizmin e biznesit të vogël dhe të mesëm. Dhe ka kundër qeverinë, e cila i imponon drejtim lokal në bashki, ka edhe biznesin e madh, të cilët e shikojnë vetëm nga këndvështrimi i shfrytëzimit.
T’ia japësh në përqindje Tangaçit, t’ia japësh Olta Xhaçkës dhe të gjithë klientelës së Ramës, dhe do të vijë faza e dytë, që nuk do të arrish ta shfrytëzosh atë në qoftë se prapë nuk do të bashkëpunosh me klientelën e Ramës. Është një gjendje e pashpresë për banorin Himarës dhe pronarin e ligjshëm. Në një kohë që ndodh një festë, një panair me Tavon dhe tavot e Ramës, të cilët në kurriz të pronës, ndajnë pronat e të tjerëve midis tyre. Ndajnë tavën e Himarës. Shiko ku arrin mashtrimi i këtyre njerëzve. Diçka 600. Për të cilën pati një padi. Ky është një aspekt tjetër. Nga zoti Gjikuria. Sepse kjo është shkelje e hapur, flagrante e ligjit, e prekshme, e pashme prej të gjithëve. Nuk pati asnjë veprim nga prokuroria e posaçme për këtë çështje, në një kohë që për çështjet e tjera iu sulën për të larguar Fredi Belerin nga drejtimi i bashkisë së Himarës.
Po shikoni, çfarë mund të prisni nga këta njerëz? Sot, besoj se e dini që zoti Rama është në një konferencë në Athinë. Kishte një intervistë të dielën në Kathimerini, e cila u përkthye dhe në disa media këtu në Shqipëri. Këta gënjejnë për emrin dhe mbiemrin e tyre. Thotë për Tavon se është shembulli që kërkon Rama në administrimin e çështjeve të komunitetit dhe mashtron deri në atë farë mase edhe për prindërit e Tavos. Tavo, porsi dhe unë, jemi nga e njëjta zonë, me babë dhe nënë të origjinës greke. Rama thotë që Tavo është nga njëri prind me origjinë greke, nga tjetri me origjinë shqiptare dhe për këtë arsye, u shërben edhe njërit komunitet, edhe komunitetit tjetër. Dhe kur i ndryshon identitetin e prindërve dhe për pesë ditë rresht, katër ditë, tjetri nuk e përgënjeshtron, e imagjinon në duart të të cilëve njerëz ka rënë Himara edhe ne të gjithë së bashku në Shqipëri?




