Nga Ilir Meta: Premtim-mashtrimin e “shëndetësinë falas” e varrosin faktet.
Nga Ilir Meta
Sot shqiptarët, qytetarët më të varfër të Europës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bankës Botërore paguajnë rreth 60% të shpenzimeve nga xhepi ose mbi 750 milion euro në vit.
Rreth 300 milion euro u paguan nga xhepi i qytetarëve të varfër shqiptarë për të përballuar pandeminë COVID-19.
Rënia me 17 vende e Shqipërisë për përkujdesin shëndetësor, sipas NUMBEO, në raport me vitin 2013 kur Edi Rama erdhi në pushtet është rezultati dramatik i premtim-mashtrimit shkatërrimtar të “Rilindjes” për shëndetësinë falas.
Asnjë surprizë sa kohë për Edi Ramën sistemi i shëndetësisë është konsideruar, jo si një mundësi për t’u shërbyer me dinjitet shqiptarëve, por si një sektor për të plaçkitur fondet me koncesione korruptive dhe klientelizëm, që kanë destrukturuar të gjithë sistemin shëndetësor.
Tryeza e sotme e Partisë së Lirisë për Shëndetësinë, ofroi një panoramë të qartë jo vetëm të dëmëve të mëdha që ka bërë “Rilindja” por edhe të zgjidhjeve që ne propozojmë për sistemin shëndetësor.
Mirënjohje ekipit të mrekullueshëm të mjekëve dhe personaliteteve të nderuara në fushën e shëndetësisë në Partinë e Lirisë për hartimin e këtyre propozimeve të shpalosura në Tryezën për Shëndetësinë:
🇦🇱✅ Të rritim shpenzimet për Shëndetësinë në mesataren e rajonit në nivelin 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
🇦🇱✅ Të dyfishojmë pagat e mjekëve dhe infermierëve duke i dhënë fund largimit dramatik të tyre nga vendi.
🇦🇱✅ Të sigurojmë pasurimin e tregut të barnave me shumë më tepër ilaçe se sa aktualisht, si dhe t’i japim goditje asgjësuese kontrabandës, duke krijuar të gjithë premisat për rikthimin e kompanive farmaceutike prestigjioze brand-name në Shqipëri.
🇦🇱✅ Të konsolidojmë dhe zbatojmë Sistemin e Referimit për t’i dhënë fund kaosit, radhëve shumë të gjata dhe pritjes me muaj të tërë i pacientëve si dhe korrupsionit që gjeneron ky kaos.
🇦🇱✅ Të bllokojmë të gjitha koncesionet korruptive në shëndetësi, që rrëmbejnë taksat e shqiptarëve.
🇦🇱✅ Ringritje e shërbimit cilësor të Mjekut të Familjes dhe Shërbimit Parësor në tërësi.
🇦🇱✅ Të kryejmë Hartimin e Plan-Veprimeve Kombëtar për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve me vdekshmëri të lartë, sëmundjet e zemrës dhe tumorët, të shoqëruara me Plan-Financimin e çdo etape.
🇦🇱✅ Të hartojmë strategjinë e trajtimit të komplikacioneve të Covid-19 dhe plani i financimit të këtij trajtimi.
🇦🇱✅ Të realizojmë me vendosmëri autonominë e shërbimit spitalor si rruga e vetme për një shëndetësi efikase në të gjithë vendin dhe pranë qytetarit.
🇦🇱✅ Të realizojmë Plan-Veprimin Kombëtar kundër pandemive me një vend të veçantë për edukimin dhe parandalimin.
🇦🇱✅ Decentralizimin e kompetencave të Ministrisë së Shëndetësisë për të ofruar shërbimin sa më pranë banesës të qytetarëve dhe për të fuqizuar sistemin shëndetësor në të gjithë territorin.
🇦🇱✅ Mbulim i plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore.
🇦🇱✅ Mbulim i të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për pensionistët me probleme shëndetësore.
🇦🇱✅ Dhënia e shërbimit mjekësor me prioritet për pensionistët për evitimin e pritjeve të gjata në qendra shëndetësore apo spitale.
🇦🇱✅ Sigurimi i shërbimeve mjekësore pa pagesë për reabilitimin dhe fizioterapinë për pensionistët me sëmundje invalidizuese.
🇦🇱✅ Sigurimi pa pagesë të materialeve mjekësore të trajtimit të pacientëve pensionistë në banesë si dhe të artikujve mjekësor (paterica, karroca, shtretër ortopedikë), që mundësojnë lëvizjen dhe pavarësimin jetësor të pensionistëve.
🇦🇱✅ Zbatimin e detyruar të protokolleve të geriatrisë në qendrat shëndetësore për pacientët pensionistë.




