Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar në mbledhjen e katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, në Barcelonë.
Si në çdo forum apo samit të mbajtur në Europë, prezent në samitin e sotëm në Spanjë ishte edhe Alex Sorosi, miku i kryeministrit Rama.
Edhe këtë radhë, vëmendjen e tërhoqi mungesa e një fotografie të përbashkët mes Ramës dhe Sorosit, një situatë që përsëritet për herë të dytë pas samitit të fundit në Davos, ku të dyja palët u shfaqën sikur nuk kishin kontakt.
Në të kaluarën, ka qenë vetë Soros ai që ka publikuar foto me Ramën nga takime dhe aktivitete të ndryshme në Europë. Por, për herë të dytë radhazi, ai nuk ka ndarë asnjë imazh të tillë me kryeministrin shqiptar.
Kjo sjellje sugjeron një përpjekje të Ramës për të ruajtur një ekuilibër të kujdesshëm në marrëdhëniet e tij ndërkombëtare, veçanërisht në raport me administratën dhe rrethin e Donald Trump.
Duke qenë se Soros konsiderohet një kundërshtar i Trumpit, shmangia e ekspozimit publik me të duket si një zgjedhje e kalkuluar politike.
Mungesa e një fotografie nuk nënkupton domosdoshmërisht se Rama dhe Alex Soros nuk janë takuar në Barcelonë. Megjithatë, ajo reflekton përpjekjen e kryeministrit për të operuar në dy drejtime njëkohësisht, duke menaxhuar me kujdes sinjalet që përcjell në publik.
Duke shmangur daljet e përbashkëta me Sorosin dhe duke treguar hapje për bashkëpunim me rrethin e Trump, Rama duket se synon të ndërtojë kanale komunikimi sa më të qëndrueshme me Uashingtonin.
Në një kontekst ku çdo deklaratë apo imazh mund të interpretohet politikisht, këto zgjedhje marrin peshë të veçantë.
Në këto kohë trazirash globale, mbijetesa politike kërkon fleksibilitet maksimal dhe aftësinë për t’u përshtatur, një rol “kameleoni”, gjë që Rama e ka dëshmuar se di ta luajë mirë.




