Mesazhet e gabuara të ministrit Ferit Hoxha për diplomacinë shqiptare në rajon!

Mesazhet e gabuara të ministrit Ferit Hoxha për diplomacinë shqiptare në rajon!

Nga Enver Bytyçi/

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, mbajti të premten e kaluar një konferencë shtypi. Ishte risi, sepse për herë të parë një ministër në qeverisjen 13 vjeçare të Edi Ramës jep konferencë për mediien nga selia e ministrisë së tij. Deri më sot të gjitha daljet në publik të ministrave kanë qenë në selinë e kryeministrisë. A ishte kjo leje për ministrin Hoxha një favor për kryeministrin Rama dhe nëse po, pse?

Së pari, paraqitja nga selia e ministrisë së Punëve të Jashtme u bë me shumë bujë. Studio televizive u instaluan në oborrin e kësaj ministrie, sepse mediet e pushtetit do e jepnin konferencën për medie të Ferit Hoxhës direkt, live. Ndërsa kamerat e mikrofonët ishin të shumtë. Ministri vetë ishte përgatitur me shumë seriozitet dhe nuk ngeci në asnjë rast. Duhej të prezantohej si “diplomat i aftë, mundësisht më i afti për detyrën e kryediplomatit” dhe si “njeriu i duhur” për atë post! Deri diku kësaj performance ia arriti, sidomos për sytë e mediokrëve. Por leja kësaj konference shtypi jashtë sallës së kryeministrisë kishte të bënte me një synim tjetër: – Duhej krijuar përshtypja se shefi i diplomacisë shqiptare po fliste me kokën e tij. Po thoshte gjëra që nuk ia dikton kryeministri. Në fakt ishte e kundërta.

Së dyti, gjithmonë kur në politikën mashtruese duhet fshehur thelbi dhe për fshehejn e thelbit përdoret gëzofi. I mbështjell me gëzofin e “të pavarurit” në mendim, ministri Hoxha në këtë konferencë shtypi na bëri me dije se ka marrë përsipërnë fakt zbatimin e axhendave të Edi Ramës në çeshtjet e diplomacisë shqiptare, sidomos për rajonin. Për këtë nuk kam pasur asnjë dilemë. Dikur kam denoncuar faktin se Ferit Hoxha si ambasador i Shqipërisë në OKB lobonte me porosi të kryeministrit të Shqipërisë për ndarjen e Kosovës. Gjithnjë në margjinat e kësaj organizate panplanetare dhe jozyrtarisht.

Ndërsa në konferencën për medie të së premtes së kaluar ai dha të kuptojë se është i angazhuar t’i çojë deri në fund projektet diplomatike e politike të kryeministrit të Shqipërisë, veçmas në marrëdhëniet me Serbinë dhe Greqinë. Sa i përket Serbisë ai tha se “Shqipëria nuk ka aleance” me këtë vend, madje pa ia kërkuar askush këtë. Por ama foli për konsideratën se Serbia dhe Shqipëria nuk kanë probleme midis tyre. Të thuash se Shqipëria nuk ka aleancë me Serbinë nuk do të thotë se ke ndërtuar ndonjë strategji ndryshe përtej vëllazërisë Rama-Vuçiq me këtë vend. Një deklarim i tillë i pakërkuar më së shumti shërben si mbulesë për marrëdhëniet e ngushta të nëndheshme midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit.

Ndërkohë që Ferit Hoxha dhe çdo shef tjetër i diplomacisë shqiptare që do ishte e ka dhe do ta kishte për detyrë të fliste se çfarë mekanizmash diplomatikë do të përdorë Shqipëria për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës, marrjen e statusit kandidat për në Bashkimin Europian, njohjen e saj nga katër vendet e Bashkimit Europian, si dhe vende të tjera. Kjo është ajo çfarë pret Kosova nga Shqipëria, e cila ka hequr dorë prej vitit 2015 e këtej nga kjo politikë mbështetëse për shkak se qeveria shqiptare ka ndjek dhe ndjek edhe sot axhendën serbe të ndarjes së Kosovës ose krijimit të një Republika Srpska në veri të saj. Ferit Hoxha nuk flet për këto objektiva diplomatikë. As për strategjinë e pranimit të Kosovës në NATO, sepse nuk janë këto në axhendën politike e diplomatike të shefit të tij, Edi Rama. Nuk i vendos dot këto piketa në objektivat e veta, sepse nuk e lejon këtë shefi i tij i lidhur me Beogradin.

Ndërsa me Greqinë dhe për Greqinë shefi i diplomacisë shqiptare ishte krejt i qartë. Do ta zbatojë detyrën që i ka dhënë Edi Rama për të plotësuar kërkesën e përbashkët shqiptaro-greke që çeshtja e kufijve detarë midis dy vendeve të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, edhe pse është i bindur se në atë gjykatë fjalën e fundit do ta thotë pala greke për shumë arsye. Për këtë, tha zoti Hoxha, se ishte në kontakt me palën greke. Në fakt prej dhjetë vitesh projekti për ta dërguar çeshtjen e detit në Hagë është mbi tavolinën e Edi Ramës dhe kryeministrit të Greqisë. E di se ky projekt ishte bllokuar për pak vite nga ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta. Por nuk e di pse nuk u dërgua pas largimit të Metës nga funksioni i kreut të shtetit. Ndoshta se ministrat e Jashtëm të këtyre kohëve nuk qenë në një mendje me kryeministrin?!

Sidoqoftë Ferit Hoxha u zotua se ai është shumë i gatshëm t’i shërbejë pushtetit të Edi Ramës, duke marrë përsipër këtë iniciativë anti-shqiptare. Në kushtet kur kryeministrit tonë po i shteron mbështetja ndërkombëtare, sidomos ajo europiane, kur ai ndodhet në prag të katastrofës korruptive, kur ka nevojë edhe për një fije kashtë për t’u mbajtur në pushtet, në këto kushte Ferit Hoxha i vjen atij në ndihmë me gatishmërinë e tij për të fal territor ujor të Shqipërisë, vetëm e vetëm që shefi i tij të gjej një aleat të ri në rajon dhe në Bashkimin Europian. Greqia duket të jetë aset i pazevendësueshëm në këtë aleancë. Aq më tepër kur marrëdhëniet e Edi Ramës me presidentin turk, Erdogan, janë rrënuar. Kësisoj Ferit Hoxha do të bëjë atë që nuk e bëri Igli Hasani dhe Elisa Spiropali!

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :