Arkitektura e pushtetit: Tirana nën hijen e kullave, si po zbehet kujtesa e kryeqytetit
Dokumentari i Citizens.al tregon se si Tirana është kthyer nga një qytet me identitet në një hapësirë të dominuar nga kullat, interesat oligarkike dhe një model zhvillimi që fshin kujtesën dhe përjashton qytetarin.
Nëse do ta shikonim Tiranën si turistë, apo thjesht duke e vëzhguar nga lart, me gjasë se do ta perceptonim edhe ne si ai qyteti tipik në zhvillim.
Vija e drejtë e bulevardit qendror, që lartësohet nga kulla dhe plot projekte që premtojnë modernitet. Një panoramë zhvillimi që duket se të bind se ky qytet është tejet i jetueshëm.
Por qyteti nuk kuptohet nga qielli. Nuk kuptohet si vizitor. Ai lexohet në tokë, nga ata që e jetojnë çdo ditë, në rrugët që janë ngushtuar, hapësirat që janë zhdukur, ndërtesat e vjetra që nuk janë më dhe në historitë që janë fshirë për t’i hapur vend një tjetër vizioni.
Dokumentari “Tirana vertikale: Arkitektura e pushtetit” nuk është thjesht një rrëfim për kullat. Është një dëshmi vizuale mbi mënyrën se si pushteti e ndryshoi kryeqytetin, dhe përmes tij, realitetin.
Ndryshimi u shfaq fillimisht si një vizion përmes Planit të Përgjithshëm Vendor “Tirana 2030,” i cili premtoi një qytet të balancuar: me hapësira publike, unaza të gjelbra, transport të organizuar dhe zhvillim të kontrolluar. Një shkëputje nga kaosi i së shkuarës nën tranzicionin pa rregulla.
Por zhvillimi real ndoqi një tjetër trajektore. Në vend të një qyteti të planifikuar, u materializua një qytet “i negociuar.” Një hapësirë ku plani u shkel vazhdimisht, rregullat u anashkaluan dhe zhvillimi u kanalizua drejt një modeli të vetëm: vertikalitetit.
Në një dekadë, mbi 140 projekte kullash u shqyrtuan ose miratuan. Miliona metra katrorë ndërtim kanë ndryshuar përfundimisht profilin e kryeqytetit duke bërë që të mbizotërojë një konfuzion i thellë: për kë u ndërtua ky qytet?
“Kulla, nuk janë godinat 13-14-15 kate, kulla janë godina që janë mbi 20 kate dhe faktikisht janë pak. E para njëherë, këto kulla i kanë dhënë një energji komplet tjetër qytetit.”
– Edi Rama (Kryeministër i Shqipërisë 2013-2029)
“Premtimi im është që ne të kemi bashkë me qeverinë një moratorium të ndërtimeve, të ndërpresim ndërtimet ashtu siç qeveria ka vendosur dhe të sigurohemi që fillimisht të shpëtojmë të gjitha hapësirat publike për parqe… dhe s’kam ndërmend që të hy në histori si njeri që dha [leje për] pallate, dua që të mbahem mend si një njeri që punoi ta kthente qytetin në normalitet dhe si njeri që do të mbahet mend me një ekip që ndërtoi më shumë parqe se sa pallate.”
– Erion Veliaj (Kryetar i Bashkisë Tiranë 2015-2027):
“Kush është ‘pro’?”
– Aldrin Dalipi (Kryetar i Këshillit Bashkiak, dhjetor 2017).
“Votat e shumicës në Këshillin Bashkiak i çelën dritën jeshile planit të përgjithshëm të kryeqytetit…”
Tirana 2030 u shkrua sipas konceptit të arkitektit italian Stefano Boeri. Një qytet me 6 qendra të reja urbane të mbështetura nga pesë unaza, dy për transportin publik, një unazë e gjelbër, një blu. Të gjitha rreth një kufiri natyror: Pylli Orbital prej 2 milionë pemësh, i konceptuar si mushkria e re e qytetit.
Plani premtonte një shkëputje nga e shkuara. Një qytet që zhvillohet në mënyrë të drejtë, i udhëhequr nga planifikimi, jo nga presioni i ndërtimit.
Për herë të parë, e ardhmja e Tiranës ishte e sigurt…
“Ambicia është që kryeqyteti ynë i 2030-ës të jetë qyteti me hapësirën më të madhe të këmbësorëve ndër kryeqytetet e Evropës Lindore.”
– Rama
“Deri më sot planet urbanistike janë parë me të drejtë si plane zhvillimi, apo plane për lejet e ndërtimit, njolla dhe intensitete ndërtimi, dhe sigurisht pazare të politikës, bashkisë dhe ndërtuesve, por sigurisht kjo nuk ka pikë lidhje me dokumentin që kemi sot…”
– Veliaj
Në vitet që pasuan, plani filloi të marrë formë.
Tirana 2030 u ndryshua, u shkel dhe u përdhos nga vetë hartuesit e saj. Në një dekadë, ndërtimi mori një vrull të pa precedent. Miliona metra katrorë ndërtim, 140 projekte kullash, nga 20 deri në 100 kate, të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, një organizëm me fuqi mbi-ligjore, që shkeli çdo kriter dhe kufi të vendosur në planin urbanistik.
“Ka dy forma se si mund ta zhdukësh historinë, një është duke e fshirë, pra duke zhdukur çdo lloj gjurme dhe vetvetiu njerëzit kalojnë aty çdo ditë dhe e harrojnë që ka qenë një objekt aty. Dhe e dyta është duke e transformuar tërësisht duke e zhveshur nga tiparet identifikuese, karakteristike dhe me kalimin e brezave më pas ajo kthehet si një “ish” fillimisht e më pas riaktivizohet me një emër dhe identitet të ri.”
– Doriana Musai (Arkitekte/Urbaniste)
Sot nuk mund të kuptohet asnjë politikë e kësaj qeverie pa arkitekturën. Pra çdo projekt ka arkitekturë, nuk ka më komunikim administrativ buxhetesh ekonomike, por gjithçka lidhet me arkitekturën. Problemi që kemi ne është që tërë ekonomia është futur, tërë paraja publike private e investimeve është futur dhe tani furnizon këtë arkitekturë, e cila ka shpërthyer në nivele fantazie, në nivele skizofrenike për të justifikuar, po them unë, kanalizim buxhetesh, të cilat normalisht nuk do të justifikoheshin.
– Ervin Goci (Pedagog Komunikimi/Aktivist)
Sot pretendohet se është hapësirë demokratike. Në fakt është më shumë hapësirë e kombinimit politik plus ndërtuesi është më shumë hapësirë oligarkike. Këtu raporti i arkitektit ose i planifikuesit urban minimizohet shumë, pse? Sepse është dëshira e pushtetit, është plus dëshira e ndërtuesit dhe nevoja, kur themi dëshira fusim dëshirën për t’u pasuruar dhe dëshirën për të dominuar dhe pastaj në këtë ansambël, në këtë parajsë arkitekturore që është quajtur Shqipëria, sidomos Tirana, ftohet arkitekti për të shprehur dëshirën e vetë, që mundohet të lexojë dëshirën kryesisht të veten plus të atij që jep lejet e ndërtimit, pra në kombinim dëshirash prandaj del kjo lloj panorame arkitekturore.
– Nebi Bardhoshi (Prof.Dr./Antropolog)
Nga lart, bulevardi duket monumental, një vijë e drejtë që përshkon historinë e kryeqytetit shqiptar. Por qyteti nuk lexohet nga qielli, ai kuptohet e jetohet në tokë, në hapat e njeriut që e shkel.
Për ta kuptuar, duhet të ecim aty ku pushteti ka lënë gjurmët e veta, në segmentin e parë në vetëm pesë vite, tre objekte që përfaqësonin 100 vite histori urbane u shembën, u tjetërsuan ose privatizuan.
Bulevardi Dëshmorët e Kombit është edhe boshti kryesor i qytetit, ai që i dha jetën kryeqytetit, pra e shndërroi Tiranën nga një qytet periferik, ose qytezë siç ishte përpara themelimit të shtetit shqiptar, i dha formacionin e një kryeqyteti, të një qyteti, i cili mund të zmadhohej dhe të krijonte ato pika të forta të shtetit të ri shqiptar.
Nëse do të donim t’i bënim radiografinë e shtetit shqiptar, mund ta merrnim gjithë Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe çdo ndërhyrje që është bërë në të, në fakt është gjurmë e të gjitha sistemeve politike, të gjitha ngjarjeve të mëdha sociale që kanë ndodhur, pra është një historiografi e gjithë zhvillimit të kryeqytetit shqiptarëve dhe shtetit shqiptar në tërësi në kaq pak, në 1 kilometër rrugë.
Stadiumi ishte Monument Kulture Kategori e II-të, ishte brenda zonës së mbrojtur, u desh një vendim qeverie i 2017 ta nxirrte jashtë zonës së mbrojtur që ta bënte të mundur shembjen e tij.
Pra qyteti mori formën e stadiumit të Casamonti-t të Air Albanias apo të kompanisë së ndërtimit që e solli, sesa e kundërta, stadiumi t’i përshtatej Tiranës dhe këtij ansambli. Nuk mund të themi më që ky objekt është objekt publik, ky është një objekt tërësisht privat, i cili menaxhohet herë-pas-here me leje të privatit nga publiku.
Shpesh ne themi që kemi një kullë me një stadium brenda, ose një qendër tregtare me një kullë me një stadium brenda dhe praktikisht mënyra sesi nga hapja dhe deri më sot që është sjellë kemi pasur më pak ndeshje sesa kafene.
– D. Musai
Nga stadiumi simbol i Partneritetit Publik Privat, bulevardi vijon drejt një tjetër monumenti të transformuar me një model të ngjashëm, por aktorë të ndryshëm.
Piramida, dikur muze i diktatorit, nuk u shemb. Ajo u zhvesh nga kuptimi i saj dhe u ripaketua si hapësirë për të rinjtë. Projekti iu besua studios holandeze MVRDV dhe kushtoi rreth 18 milionë euro.
Sot, e rrethuar nga kubat shumëngjyrëshe që strehojnë kafene dhe biznese, ajo qëndron si një shans i humbur për të reflektuar rreth të shkuarës.
Është përfaqësues i tranzicionit, fiks çdo gjë që ne e bëmë gabim Piramida e ka të inkorporuar dhe do të jetojë, si një… mendoj, pra vjen nga diktatura është dhe modeli që ne… jo vetëm diktaturën nuk ditëm as ta njohim, as ta kuptojmë as ta interpretojmë dhe pas t’i shërojmë plagët tona, por i fshehëm, i lustruam dhe bëmë një objekt Frankeshtajn me të cilin nuk dimë çfarë të bëjmë me të tani.
Kur ndodhi në 2018-19 që filloi të diskutohej sërish Piramida, u përjashtuan të gjithë aktorët e tjerë të shoqërisë, nën petkun e një fondacioni amerikano-shqiptar [AADF] u justifikua çdo veprim dhe edhe pse në fakt objekti vetë ishte shpëtuar pikërisht për shkak të reagimit qytetar, qytetarët nuk u përfshinë fare, u përjashtuan. Pra Piramida personifikon edhe një lloj kokëfortësie dhe një lloj autoritarizimi sigurisht sepse është vetë objekti i diktatorit, por edhe të një lloj sjelljeje arrogante të atyre që janë sot në pushtet, një lloj vazhdimësie e një lloj sjelljeje të pushtetit ndaj qytetit ku imponohet një lloj narrative, e cila sigurisht mund të duket e bukur në nivelin e propagandës, por që qytetit i duhet ta tresë ta pranojë dhe sigurisht atë që e ka të tepërt edhe mund ta refuzojë dhe do ta refuzojë.
Kjo ndërtesë nga jashtë mund të kalohet, ndërsa nga brenda edhe vetë modeli që solli AADF-ja është në fakt një model publik-privat, pra nuk ka qenë asnjëherë për të thënë që kjo do të jetë e publikut, tjetër gjë që narrativa është treguar sikur këtë gjë po e bëjmë për interes të publikut.
– D. Musai
Nëse Piramida u riformatua, Teatri Kombëtar u fshi në mënyrë brutale. Teatri y vjetër duhej zhdukur, për t’i hapur vendin të resë. Përfituesi: Një firmë private që këmbente teatrin e ri me truall publik për kulla.
Për gati dy vite, qytetarët e mbrojtën, deri më 17 maj 2020, në agim, godina u shemb.
Ajo natë nuk rrëzoi vetëm teatrin por ndryshoi marrëdhënien mes qytetit dhe pushtetit. Qytetarët u tradhtuan, Teatri u Shemb me dhunë, kontrata me privatin u tërhoq. Sot, teatri po ndërtohet me paratë e qytetarëve. Qeveria gjeti një tjetër mënyrë për ta shitur truallin publik për kullat që kanë nisur të ngrihen.
Mbreti ia bleu familjes Libohova [1938], 10 mijë e kusur metra katrorë tokë për të ndërtuar një teatër dhe për shumë e shumë vite 10 mijë m2 ishin në pronësi të teatrit dhe shtetit shqiptar deri kur filloi protesta dhe ne zbuluam që disa prej metrave katrorë i ishin shitur privatëve nëpërmjet ndërtimeve pa leje që ishin legalizuar në kurriz të teatrit, njëri prej të cilëve më pas, 247 metra katrorë tokë në mos gaboj pretendoi të merrte 10 mijë m2 truall nëpërmjet një ligji special, i cili do t’i jepte atij mundësi të ndërtonte kullat dhe për shpërblim do të na jepte një teatër të qytetit tashmë.
Kjo, ndryshe nga stadiumi, ndryshe nga Piramida, por thuajse identik si ato, sjell një lloj marrëdhënie të imponuar kur shteti tërheq privatin si interlekutor duke përjashtuar publikun, praktikisht duke na imponuar një lloj marrëdhënie kontraktuale ku ai që përfitonte i vetëm, që përfitonte më shumë, ishte gjithmonë një individ në kurriz, të kësaj radhe një prone publike të trashëguar prej 80 vitesh, në një ndërtesë publike me një funksion tërësisht publik dhe në shkëmbim do të na japë një kullë sa 34 kate me një teatër që nuk e dimë se si do të përfundojë, se kush do ta menaxhojë, se sa publik do të jetë dhe sa privat do të jetë, me një gjysmë-sipërfaqe të asaj që kishim, me gjysmë kapaciteti të atij që kishim, kemi të bëjmë me gjysmën e tokës së teatrit, nuk është më në përdorim të teatrit, do të jetë shesh dhe është kthyer në sheshin e kullës së “Fusha shpk” që po ndërtohet nga mbrapa, edhe pse me letra mund të vazhdojë të qëndrojë pronë e bashkisë [Tiranë] tashmë pasi kemi një teatër bashkie nuk kemi më një Teatër Kombëtar.
– D. Musai
Teatri ishte një pikë thyerjeje. Por ajo që pasoi ishte zbulimi i modelit të vërtetë, zhdukja e kujtesës dhe ngritja në vertikalitetit si gjuha e re e pushtetit.
Problemi më i madh është se ne sot e kemi certifikuar që Tirana duhet të jetë tokë fertile e kullave nuk mund të jetë gjë tjetër. Ka njeri sot që mund të thotë se Tirana mund të jetë gjë tjetër?! Është shumë e vështirë… nga opozita nuk e dëgjojmë, ka subjekte të tjera që po pipëtijnë, patjetër, ka një reagim, por nuk të vë njeri në diskutim modelin.
– E. Goci
Sheshi “Skënderbej” është hapësira ku ky model shpërfaqet më qartë. Një histori projektesh që u kthyen disa herë, duke reflektuar kokëfortësinë e rotacionit te pushtetit. Në fund, një operacion urban që kushtoi mbi 30 milionë euro dhe iu besua studios belge “51N4E”.
Në fillim u rrëfye si një hapësirë për këmbësorët, por rreth tij nisën të ngrihen projektet e kullave, fillimisht një, pastaj dy, katër, shtatë; ndërsa të tjera presin formalizimin e lejeve.
Sot, sheshi është një oborr i hapur ku vertikaliteti ekspozohet, një ballkon lodrues për kullat që e rrethojnë.
Për mua diskutimi i qendrës së Tiranës është i karakterit periferik, sepse ne e shikojmë vetëm si një hapësirë të veçuar, ndërkohë që në atë shesh në fakt është krijuar një iluzion optik, i cili ka kërkuar të legjitimojë qoftë edhe nga ana vizuale ndërtimin e kullave të mëdha, pra ti futesh atje dhe nga aty të duket sikur ka hapësirë, në fakt ajo hapësirë, sigurisht është e limituar, dhe ndërkohë ngrihen kulla, sepse kudo thjesht duket sikur kulla ka njëfarë perspektive, por në fakt kulla është shumë afër.
Hapësira e sheshit ta krijon këtë gjë, për mua sheshi është përdorur realisht si një qendër, si një “trick” si një lojë prestigjatori, i cili kërkon të përqendrojë tërë vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve në një pikë, duke e hequr vëmendjen nga kulla, dhe kulla po ta shohësh nga sheshi duket pak larg nuk duket shumë afër, krijon njëfarë frymëmarrje, por ndërkohë po të lëvizësh nga sheshi, çdo gjë ngulfatet pastaj.
Po ta shikosh me kujdes, projekti i Muzeut Kombëtar është goxha transformues dhe flitet që mund të ketë dhe një ndërtim aty në mes, megjithëse nuk është akoma shumë e qartë, te Opera thuhet se do të ketë shembje do të ketë hapje dhe do të ketë transformim rrënjësor. Pra dhe ata që ishin “landmark,” që ishin pika të referencës të sheshit dhe Tiranës, ata nuk janë më ashtu siç ne i kemi menduar dhe siç ne i kemi imagjinuar, por janë në një situatë prekariati që nga momenti në moment presin ndryshimin. Këto godinat e ministrisë shumë shpejt… e kanë humbur atë lloj autenticiteti dhe veçantie për arsye se ngjitur me to janë bërë kulla. Shikoni Sahatin [e Tiranës] si është katandisur mes dy ndërtesave që janë totalisht pa lidhje me atë. Sahati sot mund të jetë ndonjë suvenir që e mban te xhepi i vogël, por nuk ka më lidhje si simbol i qytetit, nuk ka më asnjë lloj vlere.
Unë e kam bindje absolute se sheshi Skënderbej është thjesht hapësira e lirë, nuk po them publike, e kullave. Moketi i ekspozimit të këtyre [kullave], dhe po ta shohësh me kujdes në shesh çdo gjë qëndron dhe çdo gjë ekspozohet përveç njerëzve.
Dhe meqenëse ra fjala, kjo gjë [transformuese] nuk ka mbaruar sepse kullat nuk kanë mbaruar. Kullat vazhdojnë dhe firmosen për ditë, kemi këtu te ish-UFO-ja te “Piazza” kulla, kemi pas Operës kulla, një që po ndërtohet dhe një tjetër që është prapë në plan për t’u ndërtuar dhe çka tjetër ne nuk e dimë, dhe ti e shikon që këtu është rrethuar tani, këtu është bërë një mur është bërë një gardh me kulla dhe e gjithë hapësira e sheshit është një lloj lulishte pa lule e kullave.
– E. Goci
Pas qendrës historike, modeli zgjatet. Ai nuk mjaftohet me transformimin dhe zëvendësimin e së vjetrës, por kërkon territor.
Bulevardi i Ri u prezantua si zgjerim natyror i qytetit. Por në fakt, ai është hapësira ku qyteti nuk korrigjohet, por riprodhohen modelin e vet.
Nëse kemi një pyetje çfarë regjimi politik jemi, bëjmë një xhiro në bulevard dhe kuptojmë që… tregon shumë, kush e lexon arkitekturën tregon shumë se si kemi… çfarë regjimi aktual, çfarë po materializohet, nga fillimi deri në pikëtakimin ku përfundon bulevardi në tentativë, “Bulevardi i Ri”.
Pushteti ka prodhuar vazhdimisht pasiguri për sa i përket pronësisë. Sidomos pas 90-ës, as nuk e kanë të sigurte, shumë ish-pronarë nuk e kanë marrë pronën e tyre të ligjshme dhe dihet e gjithë dinamika brenda Tiranës dhe sigurisht zona ndër më të shtrenjta është bulevardi edhe tensioni ka qenë më i madh për shkak të vlerës dhe presionit për ndërtim. Ndërsa këtu ka një karakteristikë të dytë këtu njerëzit janë të ardhur pas viteve 90-të në publik të gjithë janë paraqitur të gjithë si pushtues, të paktën sot është instrumentalizuar shumë ky si imazh, sepse në radhë të parë nuk është dhënë panorama që këtu ka shumë njerëz që kanë ardhur dhe kanë blerë tokën në fund vitet 88-89-të, kanë ardhur kanë blerë, kanë qenë pjesë të fermave ose ndërmarrjeve shtetërore kur i kanë marrë këto pjesë, pra është më plurale shumë më shumë situata sociale sesa është paraqitur, është stigmatizuar tjetri apo i ardhuri specifikisht.
Me “5 Majin” është dëshmuar dhe është dëshmia jonë kryesore sepse nuk do të duhet ta kishim kaluar aq shpejt, por fatkeqësisht qyteti i Tiranës nuk ka komunitete të forta që flet për këto çështje, sikurse nuk edhe për shumë çështje të tjera, por kjo çështja ka qenë shumë themelore për një arsye të vetme sepse të legalizuarit janë trajtuar prapë si njerëz që kanë marrë një pronë të pamerituar dhe për rrjedhojë u jepka e drejta shtetit për ta shkatërruar, ose për t’ia marrë pronën sa herë që shtetit i interesoka. Nuk ka qenë kjo zgjidhja ligjore dhe tensioni kryesor edhe kur është ndërtuar unaza pastaj dhe në vazhdim edhe sot është se të gjithë i referohen rastit të “5 Majit” si një mundësi se deri nesër shteti mund të abuzojë me shkatërrimin e pronave të tyre, çfarë do të thotë konkretisht, ia kanë humbur atributin kryesor si qytetar dhe lirisë së tyre, sepse ndihen të pambrojtur për këtë. Ky është momenti ku investimet publike në vend që të kthehen në një formë gëzimi publik që po ndodh zgjerimi i qytetit, prania e shtetit e me radhë, në fakt krijohet ankth.
[…] këto ndërhyrje, e gjithë ky kapital, e gjithë kjo energji që është harxhuar në shembjen dhe riartikulim të ndërtesave në Tiranë dhe me kosto shumë të lartë mund të ishin zbatuar, tashmë të kishim qendra të reja, qoftë dhe me këtë propozim arkitekturor, por diku tjetër, dhe ne të kishim shenja, jo se qyteti nuk banohet më shumë, shenja dhe simbolika, por ka qenë krejt e evitueshme dhe do të kishte “win-win” situatë fituese për të dy palët edhe për dëshirën e pushtetarit, edhe për dëshirën e oligarkut, edhe për dëshirën e njerëzve që kanë dëshirë për të shprehur nga ana arkitekturore pasionet e tyre dhe dijen e tyre arkitekturore, ka pasur vende dhe ka vende Tirana për t’i shpalosur këto, pra mund të ishte qytet eksperimental Tirana, por jo qytet i pushtuar…
– N. Bardhoshi
Në kohën kur u miratua, Tirana 2030 dukej si një vizion i largët dhe ambicioz, sot kur plani po i afrohet fundit, premtimet janë harruar.
Trembëdhjetë projekte strategjike të Tirana 2030 janë tretur edhe nga diskutimi publik, unazat e gjelbra dhe blu nuk ekzistojnë, Pylli Orbital prej 2 milionë pemësh ka pushuar së qenuri edhe një gënjeshtër, ashtu si 5 qendrat e reja urbane, oazet natyrore të sistemit bujqësor, korridoret e energjisë apo dhe rrjeti i transportit.
Në vend të tyre Tirana 2030 ka 140 leje kullash, miliona metra katrorë ndërtim, më pak hapësira publike dhe të gjelbra dhe dhjetëra monumente kulture të zhdukura. Qyteti vuan nga të njëjtat probleme që vuante para hartimit të planit, me asnjë premtim apo vizion për t’i korrigjuar ato.
Tirana e sotme mendoj që nuk është as e turistëve as e qytetarëve të Shqipërisë, por mendoj se është e atyre që e kanë ndërtuar, që i kanë vënë çmimet, që fitojnë, që përfitojnë dhe që mbi ndërtimet pastaj kanë ndërtuar dhe një regjim çmimesh, pra çështja është se këta kanë ndërtuar bursën e tyre, në momentin që ti i jep leje pafundësisht, tërë ekonominë e përqendron atje tërë buxhetin e bashkisë e merr nga, 60% e buxhetit të bashkisë shkon nga lejet e ndërtimit dhe nga këto ti praktikisht ke vënë një bursë pra ke vënë një çmim dhe ne paguajmë këtë çmim që e ka vendosur një kartel i njerëzve të politikës, krimit, të oligarkisë që janë përzierë bashkë dhe këta i kanë vendosur një çmim qytetit.
– E. Goci
Në momentin kur projektohet një qytet dhe sillen me modelet, prototipe, këto janë thjesht disa struktura të cilat vendosen dhe kompozohen në një hapësirë që e përjashtojnë njeriun si qenie, pra a do jetë shqiptar a do jetë turk a do jetë maqedonas apo do të jetë grek, nuk e merr në konsideratë, të paktën për mënyrën se si është ndërtuar këtu. Sillet dhe vendoset aty në territor pa kontekstin urban, pa flukset e qytetit, pa interesat e qytetarëve, pa marrë në konsideratë se si është zhvilluar qyteti dhe se si orientohet qyteti, se si djallëzohet ky qytet, se si ajroset.
Pra të gjitha këto kushte urbane që janë në urbaniteti dhe jeta e njerëzve brenda kësaj strukture të ngurtë që është struktura e ndërtuar nuk konsiderohet nga mënyra sesi ndërtohet kjo lloj arkitekture, e cila është agopunturë, pra sillet dhe vendoset në një pozicion të caktuar, dhe më pas të gjitha bashkë ndërtojnë atë si “toteme,” të cilat shohin njëra-tjetrën, por nuk komunikojnë me njëra-tjetrën, sepse nuk komunikojnë me infrastrukturën rrugore, nuk komunikojnë me hapësirën ekzistuese, nuk komunikojnë me njeriun që jeton aty. Pra është një qytet që ka përjashtuar njeriun, rolin e tij, funksionin e tij, shtresat sociale që ka ky qytet, pra cila do të jetë e ardhmja e njerëzve…
– D. Musai
Lartësimi përgjithësisht që ka ndodhur me Tiranën është një materializim i një regjimi të ri politik dhe ekonomik me të cilin do të na duhet të merremi gjatë për ta çuar drejt botës së qytetit më komunitar më pjesëmarrës, më horizontal në marrëdhënie nëpërmjet ndërhyrjeve që do të duhet bërë nëpërmjet rezistencës, nëpërmjet debateve publike, nëpërmjet ndryshimit dhe adresimit të atyre lartësive që janë propozuar, përndryshe deri tani janë simbolikë e një pushteti që të mbivendoset si një formë e pushtimit të qytetit.
– N. Bardhoshi
Qyteti që mbetet nuk është ai që pushtetet kërkojnë të tregojnë me forcë. As qyteti i renderëve, projekteve, vrullit momental të ndërtimeve dhe shitjeve. Është ai që jeton pas zhurmës.
Mbetet në boshllëkun mes ndërtesave dhe hapësirës që ndihet e huaj. Në fund, qyteti është marrëdhënia mes hapësirës dhe njerëzve që e jetojnë atë./citiziens.al




