Porti i Durrësit po falet’, Igli Cara: Një mendje kriminale dhe anti-kombëtare pas projektit
Porti i Durrësit, një aset strategjik me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, po i nënshtrohet një transformimi që është cilësuar si një akt “anti-kombëtar” dhe produkt i një “mendjeje kriminale”. Gjatë një takimi me ekspertë dhe përfaqësues politikë, u hodhën akuza të rënda mbi projektin aktual, duke pretenduar se ai po “shuhet” për t’i hapur rrugë ndërtimit të pallateve, në një veprim të paprecedentë që përshkruhet si “falja e portit për një mik”.
Deputeti demokrat Igli Cara tha se, projekti aktual për portin më të madh në vend, në vend që ta zhvillojë, po e shkatërron funksionin e tij themelor. U theksua se ky port nuk është thjesht një pikë tranziti mallrash që lidh transportin detar me atë rrugor, por një motor ekonomik dhe një pikë kyçe strategjike për Shqipërinë, Ballkanin dhe si vend anëtar i NATO-s. “Ky vend ka qenë gjithmonë në vëmendjen e të gjitha qeverive, por çuditërisht pas vitit 2013 nuk është më,” u tha gjatë fjalës, duke aluduar për një ndryshim rrënjësor të qasjes politike ndaj këtij aseti.
Sipas deputetit demokrat qeveria aktuale po sakrifikon portin për interesat e një investitori privat, të cilit i referohen si “Alabari”. Plani parashikon përgjysmimin e kapacitetit të hyrjes rrugore të portit, nga gjashtë korsi në vetëm tre. Kjo, sipas Carës, do të krijonte një “hinkë” kaotike për më shumë se 80% të fluksit tregtar të Ballkanit që kalon përmes Durrësit. “Si ka mundësi që një port me gjashtë korsi do të përgjysmohet në tre? Pse? Se do të ndërtojë Alabari pallate,” u shpreh ai me tone akuzuese.
Më tej, ai theksoi se ky veprim është i pashoq në botë, duke u përmendur shembulli i Hamburgut, ku qyteti hoqi dorë nga një pjesë e tij për t’ia dhënë hapësirë portit. “Tek ne ndodh e kundërta, hiqet porti për të ndërtuar pallate. Përveçse një mendje e çmendur dhe anti-kombëtare, unë nuk di çfarë t’i vë emër tjetër”.
Igli Cara: Në fakt, ky takim i sotëm më ka pëlqyer shumë mbi të gjitha, sepse sot u prekën të gjitha aspektet, si teknike, që në nisje të korridorit tetë me zotin Gorea, mbledhjet që pati Bashkia e Durrësit pikërisht me portin e Durrësit për ta kthyer në një mënyrë të rëndësishme, me përfaqësues teknikë, inxhinierë, juristë, me ato që kanë vepruar në gjykatë e me radhë. Por në finale, po bëj një përmbledhje.
Çfarë është porti? Për të gjithë ata që na ndjekin. Është një vend i cili bën tranzitin e transportit detar dhe e bashkon me atë rrugor. Pikërisht portet këtu e kanë rëndësinë, sepse fluksin tregtar dhe fluksin e qytetarëve e transformon në një fluks me të ardhura, si në ekonomi dhe me radhë me të ardhura me benefite për vendin.
Pse është i rëndësishëm Durrësi? Sepse Durrësi pikërisht ka portin, se ndryshe do të ishte si një, si çdo qytet tjetër në Shqipëri. Ky vend, që siç u tha, është i bekuar nga Zoti dhe një vend strategjik. Ka qenë gjithmonë në vëmendje nga të gjithë qeverive pa diskutim, por çuditërisht në vitet e fundit pas vitit 2013 nuk është më. Ndërkohë Berisha preku dhe, në fakt do më lejoni t’ju kujtoj që është e vërtetë, ne kishim parashikuar dhe portin e peshkimit, siç tha Klodi, kishim parashikuar dhe marinën detare, dhe lëvizjet. Në qoftë se do ju kujtohet, pikërisht dhe depozitat e karburantit, që kanë qenë një problem shumë i madh për qytetin e Durrësit në atë kohë, është marrë vendim i asaj qeverie për t’u transferuar në Porto Romano. Por kurrsesi nuk kishim menduar që portin e Durrësit, këtë aset kaq të madh kombëtar, siç e thashë jo thjesht në vlerën ekonomike, por mbi të gjitha strategjike, se mos harrojmë që ne jemi dhe një vend i NATO-s. Dhe si një vend i NATO-s kuptohet që neve nuk mund të marrim vendime kaq të rëndësishme, të heqim një port kaq të rëndësishëm, që mund të shërbejë në momente krize, dhe ta transferojmë dhe të ngelem dhe pa një port kombëtar. Dhe ndodhi ajo në fakt që mendoj që asnjë qeveri e majtë, e djathtë, po mendoj dhe asnjë qeveri kudo në botë nuk e ka bërë. Nuk ka ndodhur kurrë në Europë, nuk ka ndodhur as në vendet fqinje. Dubrovnik, Bari, Ancona, kudo në botë. Nuk ka ndodhur që të merret një port dhe t’i falet një miku. Dhe kjo u bë në vitin 2020, në atë kohë me atë opozitën fallco, siç ishte Adriana, në vitin 2020, nëntor të 2020-ës dhe u transferua. Por çfarë bën Rama me këtë? Dhe këtu, përveç aspektit ekonomik që e përmendi dhe Ardi, pa diskutim, janë shumë para, është një vlerë që është 3 deri në 4 miliardë. Janë 231 milion euro taksa të papaguara, janë kreditë. Janë dhe investimet që po bëhen aktualisht. Sot sa më sollën tani, edhe energjinë elektrike paguan, lidhet infrastruktura, 288 milionë lekë e paguan qeveria shqiptare. Dhe ujësjellësin nesër do ta paguajë qeveria shqiptare. Po edhe rrugën, siç e deklaruan dhe dje në parlament, po e merr Alabari.
Po si ka mundësi që një port i cili ka gjashtë kursi do përgjysmohet, do ketë tre kursi dhe gjithë ky fluks i madh tregtar që është mbi 80%, jo vetëm i Shqipërisë, po i tërë Ballkanit, tanimë do të ketë një hinkë ku do të kalojë vetëm një mjet gjatë gjithë kohës. Kjo, përveç arsyes së abuzimit të tmerrshëm dhe do të thoja një mendje, do më falni për termin, kriminale, abuzuese, anti-kombëtare, nuk kam çfarë t’i them tjetër. Se unë e kuptoj që çdokush mund të bëjë gabime, por t’i bësh këto dhe të avancosh në këtë mënyrë ku, siç dhe tha dhe kolegu im lart, ne aktualisht nuk kemi filluar procedurat për portin e ri.
Si mund ta shuash një port? Kur ne mund të kemi një moment krize pas gjashtë muajsh. Por si mund ta lësh portin pa hyrje? Po ka aks më të rëndësishëm rrugor më të madh se ç’është hyrja e korridorit tetë, hyrja e fluksit tregtar që na lidh me Kosovën, me vendet e Ballkanit, se porti i Durrësit? Nga gjashtë kursi do kalojë në tre. Pse? Se do ndërtojë Alabari pallate. Po në gjithë botën, dhe unë kam pasur fatin të jem dhe në Hamburg.
Hamburgu ka një eksperiencë të vlefshme kur ato u mblodhën dhe kuptuan që një pjesë të qytetit e hoqën për t’ia dhënë portit. Tek ne ndodh e kundërta, hiqet porti për të ndërtuar pallate. Përveç se një mendje e çmendur dhe anti-kombëtare, unë nuk di çfarë t’i vë. Se si mund të ndërtosh pallate në vend të një porti, sepse mos harrojmë që neve mund të jemi një vend i cili nuk do të kemi më një port kombëtar, kur Shqipëria është e rëndësishme dhe në mënyrë strategjike sepse kemi portin që na lidh me Ballkanin. Sepse jemi në konkurencë dhe me vendet fqinje. Pa diskutim.
Pra në këtë kontekst, për të mos u zgjatur, unë do t’ju falenderoj të gjithëve. Faleminderit doktor Berisha. Është e vërtetë që ne do të vazhdojmë betejat tona ligjore, siç i kemi bërë zakonisht, nuk do të rreshtim së vazhduari betejat tona.




