70% e shërbimit i paralizuar në QSUT’, Profesori: Okulistika ka falimentuar, pacientët prej muajsh pa lente
Shërbimi i Okulistikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ndodhet prej muajsh në një paralizë totale, duke lënë pacientët pa ndihmën e nevojshme mjekësore.
Profesor Pajtim Lutaj, i ftuar ditën e sotme në ‘Kafe Shqeto’ ka denoncuar publikisht situatën e rëndë, duke e cilësuar atë si “të tmerrshme” dhe duke fajësuar një kontratë monopol për bllokimin e furnizimit me materialet thelbësore mjekësore.
Sipas mjekut, që prej datës 1 Tetor, furnizimi i klinikës me lente dhe materiale të tjera është ndërprerë, duke e bërë të pamundur kryerjen e operacioneve dhe ndërhyrjeve të tjera. Kjo situatë ka shkaktuar kaos, pasi rreth 70% e aktivitetit të shërbimit është i bllokuar.
Pacientët e planifikuar për operacione kthehen mbrapsht në dyert e spitalit në momentin e fundit, pa marrë asnjë njoftim paraprak.
Paradoksi më i madh, sipas mjekut, qëndron në faktin se pagesat për këto materiale janë kryer nga shteti në kuadër të një kontrate Partneriteti Publik-Privat (PPP).
Deklarata e plotë:
“Në radhë të parë falenderoj për ftesën. Jeni i vetmi, domethënë gazetar apo televizion që e keni marrë artikullin në fjalë dhe kërkoni që ta bëni më me dije publikut.
Unë jam me një edukim francez dhe në bazë të formimit tim, është fakti që në punën tënde, në jetën tënde, të flasësh për gjërat që nuk shkojnë, ndryshe nga gati edukata që është bërë këtu, sidomos nga politika, që flasin vetëm për arritje.
Është e vërtetë që unë jam shumë i angazhuar në profesionin tim, por unë jam prononcuar në mënyrë sistematike. Po të më shikoni artikujt e mi, çdo dy, tre vjet unë i jap një informacion për gjendjen aktuale dhe zgjidhjen për të.
Unë kam qenë dhe drejtor i QSUT-së për dy vjet në vitet 2000. Më vonë, shefi i shërbimit, shef departamentit, domethënë të gjitha postet i kam provuar dhe një ngërç i krijuar nga administrata e këtij vendi, kur them nga administrata në përgjithësi, por në veçanti unë njoh mirë administratën e QSUT-së dhe të Ministrisë së Shëndetësisë.
Parimi im është që djalli fshihet në detaje. Dhe këtu asnjëherë nuk i shikojnë detajet. Asnjëherë nuk e shikojnë një propozim që bën një profesor, një pacient, një diçka tjetër. Pra, nuk shkon deri në fund.
Prandaj dhe artikullin e kam përqëndruar te mungesa e administrimit të këtij vendi dhe të QSUT-së.
Do të ndalem me detaje në këto katër pikat, të cilat me siguri ia thashë ministres së Shëndetësisë, ia thashë kryeministrit, ia thashë dhe publikut shqiptar që shërbimi universitar i okulistikës në spitalin e vetëm universitar të Shqipërisë ka falimentuar.
Dhe arriti kulmin që të gjitha kontratat, në fund të vitit sikur shtrëngohen dhe pa asnjë të drejtë, ndalohet furnizimi i QSUT-së me lente.
Ka qenë 1 Tetor. Dhe sot, në klinikën okulistike universitare, pacientët shqiptarë nuk marrin ndihmën e duhur.
70% i aktivitetit është i paralizuar dhe ja kemi thënë ministres qysh në muajin Tetor, asnjë përgjigje dhe sot e kësaj dite vazhdon.
Unë kam marrë informacion javën e kaluar dhe vazhdon në këtë gjendje.
Kjo është e tmerrshme që të mos reagosh kur shteti i ka dhënë lekët. Sepse është PPP, është një kontratë. I ka dhënë, nuk duhet të futem në këtë.
Shteti, spitali, shërbimi, nuk nuk ka mundësi që një ditë përpara këta pacientë që janë planifikuar t’i marrin në telefon thotë, ju nesër mos hajdeni se kështu. Po në orën 7:30-8:00 bëhet tmerr aty.
Mua më vjen keq për pacientët dhe në qoftë se flas sot, është sepse është një detyrim i imi. Unë jam profesor i këtij vendi, kam investuar tërë jetën time në spitalin francez
Kam qenë shef, kam qenë drejtor e të gjitha kështu dhe më vjen keq për pacientët. Aq sa më vjen edhe shumë keq edhe për refraktivitetin që ka administrata.
Flet me drejtorin sikur nuk e thonë asgjë. I thua ministrit më keq dhe nuk reagon politika.
Gabimi për mua është vetëm politika dhe administrata. Nuk mundem unë tani që të pranoj një gjendje të tillë. Kjo duhet ndryshuar urgjentisht’.




