Spitalet e rrënuara’ – Alizoti: Para se t’i hipë avionit e të shkojë te ndeshja e NBA, Rama të shohë Onkologjikun
Ligjvënësi demokrat, Tomorr Alizoti hodhi akuza të forta në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, duke vënë në kontrast udhëtimet e këtij të fundit për të ndjekur evente sportive luksoze me gjendjen e vështirë të sistemit shëndetësor në vend, veçanërisht atë të spitalit onkologjik.
Gjatë fjalës së tij, Alizoti tha se para se kryeministri të shikonte ndeshje të NBA apo futbolli nëpër stadiumet e Italisë, do të ishte më mirë të vizitonte spitalin onkologjik dhe atë të pediatrisë për të parë nga afër “gjendjen e mjerueshme ku është Shqipëria”.
Në spitalin onkologjik, ku luftohet për jetën, mungojnë ilaçet, u shpreh ndër të tjera deputeti i PD, ndërsa Ministrja e Shëndetësisë prej muajsh nuk ka denjuar të përballet me situatën dhe të japë llogari para qytetarëve.
Ne jemi republikë parlamentare dhe kryeministri dhe çdo ministër është i detyruar në bazë të kushtetutës të përgjigjet dhe të japë llogari para njerëzve. Më ngacmoi fjala e zotit Hoti, para se kryeministri të shikojë edhe me shumë kolegë të tjerë deputetë ndeshjet nëpër stadiumet luksoze të Italisë dhe të botës dhe të shikojë ndeshjet e NBA-t, do bënte mirë të shikonte onkologjikun, të shikonte spitalin e pediatrisë së fëmijëve, të shikonte gjendjen e mjerueshme ku është Shqipëria. Shqipëria është shumë larg Europës. Ai onkologjiku i famshëm ku ka jetë njerëzish, që s’ka ilaçe dhe ku ministrja e Shëndetësisë ka muaj e muaj, nuk, nuk denjon. Mbase dhe nuk e kupton.
Unë kam përshtypjen që e kupton, por nuk denjon të vijë t’i përgjigjet qytetarëve të vet. Se një njeri që ka një të sëmurë në Shqipëri, nuk është i sëmurë vetëm ai, po është e sëmurë e gjithë familja. Se sëmundja e kancerit është sëmundja më e kushtueshme. Dhe unë kam pasur përvojë familjare tek onkologjiku, por dhe tek pediatriku. Nuk janë të gjithë shqiptarët që i çojnë njerëzit nëpër Viena, nëpër Parisra, nëpër Anglira. Atje është i gjithë populli shqiptar që e ka zënë një hall i madh. Dhe kur kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i partisë suaj, i hypën avionit dhe sheh NBA-in dhe i bëjnë dhurata, është etike dhe morale dhe mos u mërzisni.
Nuk bëhet demokracia me recitime, me lavdërime. Demokracia është kritikë. Ju rrini të gjithë në rresht, sepse është thënia e famshme e Stalinit se nga ajo parti vini, që thoshte, besnikëria është e përkohshme, por frika është e përhershme. Atëherë do ishte, pse unë ju quaj zoti Peleshi, me respekt për ju dhe nuk ju quaj zoti kryetar, sepse kryetari i kuvendit nuk është dikush që merr mesazhe, por ai e drejton kuvendin e Republikës. Dhe të jesh kryetar kuvendi është një institucion, është një pozicion shumë i rëndësishëm. Do hyni në histori, kjo është jeta juaj personale, por dhe politike, që drejtoheni këtë parlament siç drejtohet. Ky nuk është oborri i Partisë Socialiste. Dhe ka, më bën një gjë përshtypje që nuk është, është shumë e turpshme edhe për njerëzit dhe për publikun, që, që përjashtohen non-stop vetëm opozitarët.




