Ai që vjedh çdo ditë, nuk e ka për gjë të gënjejë çdo ditë…
Nga Belind Këlliçi/
Në mënyrë të përsëritur, Edi Rama po gjen fajtorë të tjerë për bllokimin e integrimit, ndërkohë që është ai në mënyrë ekskluzive pengesa për kalimin e fazës së parë të kapitullit themelor, që ka të bëjë me shtetin ligjor. E bëri këtë në mënyrë të vetëdijshme, nën paralajmërim, kur vendosi të mbrojë në Kuvend me 82 vota, korrupsionin 1.1 miliardë euro.
Me zë e me figurë, me akt konkret, me fytyrën e tij, ai ktheu mbrapsht SPAK-un, dhe ndaloi drejtësinë para aferave më të rënda të 35 viteve, ku padyshim është vetë i përfshirë.
Ishte Brukseli në Tiranë, me gojën e McAllister që i tha: “Rasti Balluku është test për Shqipërinë”. E dëgjuan të gjithë. Çfarë bëri Edi Rama? E dinë shqiptarët. Në mes të marsit ai urdhëroi votat mjerane të shumicës së tij, dhe e shpalli veten të pahetueshëm.
Ktheu mbrapsht drejtësinë, ktheu mbrapsht Shqipërinë.
Ndaj, ato që thotë sot pa turp, janë thjesht gënjeshtra, njësoj si mashtrimi që ngriti edhe në fushatë sikur Shqipëria vetëm me atë do të shkonte në BE.
Opozita e kundërshtoi dhe e luftoi këtë moment që solli ngrirjen e integrimit. Me çdo mjet që kishte në dorë. Ne kërkuam nga dita e parë që e ardhmja europiane të mos mbahej peng nga interesat e Rama-Ballukut. Por ai refuzoi të merrte këtë mesazh dhe nga ndërkombëtarët, dhe nga PD dhe nga shqiptarët.
Opozita vijon të qëndrojë në këtë betejë, duke qënë e vetmja shpresë për të ndalur projektin personal të Edi Ramës që është rehatia, pushteti e pasurimi i tij, edhe nëse kjo sjell rënien e Shqipërisë në greminë.
Një njeri që nuk ka moral dhe turp për t’i bërë vendit këtë gjëmë, pse duhet të ketë moral dhe turp që ta pranojë përgjegjësinë?!
Ky soj është i fundit që do të kishte raport me të vërtetën. Ai që ka ndërtuar këtu narkoshtet, që ka qeverisjen më të korruptuar në kontinent, që pi verë 33 mijë euro shishja, që falimentoi kompaninë ajrore me udhëtimet e tij personale, që cakton koordinator për bandat, nuk e ka fare për gjë që të gënjejë çdo ditë, se ka për dert të gjejë e të shpalllë fajtorë ngado.
Çdo ditë, përveçse me aktet konkrete, Edi Rama po i sfidon shqiptarët dhe me fjalët e me sjelljen e tij. Deri ku mendon ai se do të pranohet kjo, deri sa do ta durojnë njerëzit?!
Koha po i shkurtohet. Fundin e tmerrshëm po e kërkon vetë.
Me 17 prill njerëzit do të bashkohen në shesh, të motivuar e me kurajo për të ndalur këtë të keqe.




