Në një postim në rrjetet e tij sociale, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh se avokatët e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë rikonfirmuar se ndaj tij nuk ekziston asnjë provë penale për përfshirje në çështjen CEZ-DIA.
Sipas tij, dëshmitë zyrtare të përfaqësuesve të lartë të CEZ-it hedhin poshtë çdo akuzë ndaj Metës dhe nxjerrin në pah mungesën e fakteve konkrete.
Blushi thekson se këto prova janë mbajtur të fshehta për një kohë të gjatë, duke ngritur dyshime serioze mbi integritetin e hetimit. Ai akuzon organet e drejtësisë për një proces të dirigjuar politikisht dhe standarde të dyfishta në trajtimin e çështjes. Sipas tij, e gjithë kjo çështje synon të godasë opozitën dhe të devijojë vëmendjen nga aferat e qeverisë.
Postimi:
Sot, avokatët e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Kujtim Cakrani dhe Z. Gylsen Zhllima, të mbështetur në prova ligjore dhe dëshmi zyrtare të dhëna nën betim para prokurorëve, rikonfirmuan qartësisht para opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar se ndaj Z. Ilir Meta ekziston zero fakt apo provë penale për përfshirjen e tij në çështjen CEZ-DIA.
Në funksion të transparencës maksimale, sot u publikuan dëshmitë e dy përfaqësuesve çekë më të lartë të CEZ-it, Josef Hejsek dhe shefit të tij, Tomas Pleskaç, të cilët në dëshmitë e dhëna para prokurorëve shqiptarë kanë mohuar përfshirjen e Presidentit Meta në aferën CEZ–DIA.
Konkretisht në dëshminë e Z. Josef Hejsek, dhënë nën betim më 20 dhjetor 2011 para prokurorit, një provë të cilën prokurorët e SPAK-ut u përpoqën ta fshehnin për një kohë të gjatë deri në seancën paraprake deri kur e kuptuan që mbrojtja e dispononte këtë provë ligjore, nuk e përmend në asnjë rrethanë emrin e Z. Ilir Meta dhe të askujt tjetër.
Z. Hejsek në dëshminë e tij pohon të vërtetën e vetme se kontakti i CEZ me DIA-n është rekomanduar nga kompania mëmë DIA e Uashingtonit, me argumentin se sipas tyre kishte përvojë në mbledhjen e borxheve në të gjithë botën në vlerë prej rreth 4 miliard dollar, pa harruar edhe referencat për disa punë që po bënin në Çeki.
Pra në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë emri i Z. Meta nuk përmendet prej tij.
Një provë tjetër, e publikuar sot nga avokatët e Presidentit Meta ishte edhe dëshmia e dhënë nga Z. Tomas Pleskaç i cili ka qenë shefi i Z. Hejsjek në Pragë, ku është marrë vendimi për lidhjen e kontratës CEZ-DIA.
Në përgjigjen e tij me letërporosi dhënë SPAK-ut, ai konfirmon qartësisht se nuk ka asnjë dijeni për ndonjë lidhje mes Ilir Metës, Qazim Tepshit dhe Kastriot Ismailaj.
Më herët, avokatët e Z. Meta kanë faktuar në bazë të fashikujve të vet SPAK-ut, se politikani që përfshihet në aferën CEZ-DIA, është Dritan Prifti dhe jo Ilir Meta.
Në 1 shtator 2010 kur u bë marrëveshja CEZ-DIA, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, ishte Dritan Prifti dhe jo Ilir Meta.
Në tetor 2015, kur Dritan Prifti u “kujtua” se kjo marrëveshje ishte bërë pa dijeninë e tij, ai akuzonte Z. Meta, duke ju referuar Elvis Mataj.
Por Elvis Mataj, drejtori i DIA-s, jo vetëm që në prokurori ka mohuar të jetë takuar apo të ketë patur komunikim me Z. Prifti që nga janari 2005, por në datën 16 prill 2014, e kishte denoncuar vet Dritan Priftin si përfitues të kësaj afere.
Tanimë është e qartë si drita e diellit, se hetimi 6 vjeçar ndaj Presidentit Meta, i nisur nga kallëzues të rremë dhe me probleme me drejtësinë, jo vetëm ka prodhuar zero fakt penal kundër tij, por edhe se standardet e këtij procesi po faktohet se kanë qenë identike me standardet e rrëmbimit kriminal dhe me ato të paraburgimit politik, ku Z. Meta në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën dhe KEDNJ, vijon të qëndrojë në izolim ekstrem për më shumë se 18 muaj.Për çështjen CEZ-DIA, i pari dhe i vetmi njeri, që duhet hetuar dhe duhet marrë i pandehur është Edi Rama, i cili i fali 479 milion euro CEZ-it, duke i shkaktuar një dëm kolosal buxhetit të shtetit, por që afërmendsh as nuk hetohet dhe as nuk merret i pandehur nga prokuroria e tij politike edhe pse ka një padi zyrtare nga KLSH, që vazhdon të “flejë” në Prokurori.
Procesi kriminal, fund e krye politik kundër Ilir Metës, i urdhëruar botërisht nga Edi Rama nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, nuk është asgjë tjetër vetëm akt banditesk nga drejtësia me regji për të mbuluar përgjegjësitë e drejtpërdrejta, personale dhe shumë të rënda të Edi Ramës nga mega-afera e inceneratorit inekzistent që ende vijon, nga TEC-et lundruese të Vlorës që vijojnë të gllabërojnë fonde publike pa prodhuar asnjë ditë asnjë Kv/h, nga PPP-të dhe koncensionet e përbindshme korruptive, nga Porti i Durrësit, tuneli i Llogarasë, rrugët e florinjta, charterat private, afera e AKSHI-t, e Eco Park dhe Durana Park, te mijëra tendera sekretë, që nuk ndalen së zhvaturi taksat e qytetarëve më të varfër të kontinentit.Drejtësia e vërtetë do të vijë dhe askush nuk mund t’i shmanget dot transparencës dhe së vërtetë.
Edi Rama dhe regjimi i tij do të japin llogari përpara ligjit dhe popullit shqiptar dhe krimet e përbindshme të tij kurrë nuk do të mund të amnistohen.




