Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën zyrtare për ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Kërkesa, e firmosur nga jo më pak se 1/4 e deputetëve, i është drejtuar kryetarit të Kuvendit dhe synon kontrollin e ligjshmërisë së funksionimit të AKSHI-t, vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Deputetët demokratë argumentojnë se AKSHI administron infrastrukturën më kritike digjitale të vendit, përfshirë platformën e-Albania dhe të dhënat personale të qytetarëve, ndaj funksionimi i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.
Në kërkesë përmenden edhe zhvillimet e fundit hetimore nga SPAK, ku janë ngritur akuza për një skemë të dyshuar kriminale që lidhet me tenderat e AKSHI-t, si dhe raste të mëparshme të rrjedhjes së të dhënave dhe sulmeve kibernetike që kanë prekur sistemet shtetërore.
Sipas opozitës, këto ngjarje ngrenë dyshime serioze për keqmenaxhim, mungesë kontrolli institucional dhe rrezik të mundshëm për sigurinë digjitale të vendit.
Komisioni Hetimor i propozuar do të ketë për objekt verifikimin e procedurave të prokurimit të AKSHI-t për periudhën 2014–2026, analizimin e aksesit të kompanive private në sistemet shtetërore, hetimin e rrjedhjeve të të dhënave dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale.
Gjithashtu, synohet vlerësimi i përputhshmërisë me standardet e NATO-s dhe propozimi i masave ligjore për forcimin e sigurisë dhe transparencës në administrimin e infrastrukturës digjitale.
Sipas draftit, komisioni do të përbëhet nga 11 anëtarë, ku kryetari dhe 4 anëtarë do të jenë nga Partia Demokratike, ndërsa 6 anëtarë nga Partia Socialiste.
Ngritja e këtij komisioni mbështetet në nenin 77 të Kushtetutës dhe Rregulloren e Kuvendit, që i jep të drejtë një të katërtës së deputetëve të kërkojnë hetim parlamentar për çështje të veçanta.
Dokumenta bashkëngjitur




