Komedia me ca kandidatët formalë e informalë të Ramës për Bashkinë e Tiranës!
Nga Petrit Vasili/
Bashkia e Tiranës është për Ramën dhe rilindjes një minierë parash, interesash dhe influencash dhe asgjekundi një sfidë për një kryeqytet që duhet të administrohet më mirë sepse një e tretë e popullsisë jeton në të.
E shndërruar në një gropë korruptive gjigande Bashkia e Tiranës prej 2 vjetësh është drejtuar nga Rama dhe rilindja.
Bashkia e Tiranës është modeli më negativ dhe i shëmtuar se si nuk duhet drejtuar një institucion i pushtetit lokal.
Sot Edi Rama la filluar një komedi të zezë me kandidatët e bashkisë së Tiranës: ca zyrtarë e të shpallur nga ai vetë dhe ca të tjerë të vetëshpallur e të mbështetur në heshtje nga ai në funksion të të njëjtit skenar.
Komedia ka ndarë edhe rolet ku ca kandidatë bëjnë qeverinë dhe ca bëjnë opozitën. Është kaq qesharake, por edhe kaq e ligë dhe e pandershme.
Kujt i bëjnë opozitë këta?
A kanë pasur edhe bashkinë edhe qeverinë po vetë në duart e tyre?
Tani e panë baderdinë në Tiranë?
Tani u kujtuan për plehrat në Tiranë?
Tani e panë që Tirana u vodh me incenerator që nuk ekziston për turp e për faqe të zeza?
Tani e panë që Tirana u mbyt me kulla dhe u bë keq se Gaza?
Tani e panë që ajri në Tiranë u kthye në një helm që hyn në mushkëri e që vret përditë?
Tani e panë që Tirana ka shërbim urban për faqe të zeza?
Tani e panë që nuk ka shkolla megjithse janë marrë dhjetra milionë euro me taksën e arsimit?
Tani e harruan që e mbështetën për tre mandate Veliajn, ndërsa paguheshin dhjetra këshilltarë, gazetarë e këngëtarë si specialistë Ujësjellsi?
Tani e harruan që u shemb nga bashkia e bërë njësh me mafien e ndërtimit Teatri Kombëtar?
Tani e harruan se si u bë pazari me banesat sociale?
Tani u kujtuan të hapin gojën, po 22 vjet çfarë bënë ku ishin a nuk votuan për plaçkitjen e Tiranës pa u lodhur?
Por sot janë ndarë rolet dhe skenari butaforik i Ramës, që të bëjë shvejkun duke bërë qeverinë dhe opozitën për të zaptuar hapësirën politike, është kaq i qartë por edhe kaq i trashë.
Po turpi nuk ka limit ndër rilindasit.
Megjithatë një gjë nuk e luan topi: Edi Rama është skenaristi dhe regjizori i farsës së kandidimit për Tiranën dhe është po ai që përcakton edhe aktorët e komedisë politike.
Ajo që mbetet është realiteti i një Tirane të plaçkitur e të mbytur në kaosin e trafikut, shërbimeve mizërabel dhe ajrit të ndotur; shkurt e thjesht, një kurth për jetën shoqërore e shëndetin e qytetarëve.
Të tjerat janë dëngla politike plaçkitësish të rinj.



