Abilekaj: Nëse sulmohemi nga Irani jemi jetimë, s’kemi shtet të na mbrojë
Gazetari Enton Abilekaj, ka ngritur alarmin për nivelin e ulët të sigurisë së vendit, nëse Shqipëria rrezikon të sulmohet nga Irani, një alarm i ngritur së fundmi nga ambasada amerikane në Tiranë përmes një njoftimi të pazakontë.
I ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri TV, Abilekaj teksa rrëfeu historinë e dy shtetasve sudanezë që fshihen në shpella në Shqipëri në tentativë për të shkuar në një nga vendet e BE, pa dijeninë e autoriteteve shqiptare, teksa nxori në pah një realitet shqetësues për sigurinë në Shqipëri, duke e përshkruar vendin si një “han pa porta”.
Sipas Abilekajt, nëse refugjatët mundën të fshiheshin me kaq lehtësi, një celulë terroriste e financuar mirë dhe e kualifikuar mund ta shfrytëzojë këtë mungesë kontrolli për të planifikuar dhe kryer akte të rënda pa u vënë re.
Abilekaj u shpreh gjithashtu se qytetarët janë jetimë dhe të pambrojtur, në rast sulmesh, pasi shteti dhe qeveria duket më e shqetësuar për imazhin e turizmin, më shumë se sa kërcënimi i madh që i kanoset vendin nga jashtë.
“Disa sudanezë, kishin ikur nga lufta, kishin rrezikuar me me varkë për të ardhur në Greqi, nga Greqia në Shqipëri, dhe nga Shqipëria në Mal të Zi për të shkuar drejt Francës, se kishin ëndërr Francën. Kishin gjetur një shpellë andej nga mali, kjo tregon të vërtetën, se çfarë hani pa porta është ky. Këta sudanezët të shkretë që s’kanë dy lekë, që ajo lufta i ka shkatërruar dhe i ka mbaruar, vijnë dhe gjejnë një vend, han pa porta ku mund të jetojnë, është Shqipëria. Imagjinoni ju tani një grup terrorist, apo një shtet terrorist, i cili paguan terroristë të kualifikuar, me shumë para, me shumë mjete financiare e të tjera e të tjera, të tentojë të vijë në Shqipëri dhe të bëjë një kasapanë. A e bën dot? Me këtë han pa porta? Sigurisht që e bën.
Dhe këtë alarm nuk e jep asnjë institucion shqiptar, se nuk e kanë idenë fare çfarë ndodh. Nuk ka institucion shqiptar. Ne kemi një kryeministër që me t-shirt, ditën që ka parlament, mbledh studentët dhe i heq nga shkolla, i mbledh aty dhe fillon dhe u bërtet. Ne kemi një president, një shërbëtor të këtij kryeministrit kështu që është si me t-shirt, i cili thotë, nuk do ndodhë gjë, thotë, unë s’e mbledh Këshillin e Sigurisë se kam folur me amerikanët. Kemi një ministër të Jashtëm, i cili thotë në parlament, kemi folur ne dhe me amerikanët dhe me europianët, nuk do ndodhë gjë.
Ministri i Jashtëm na thotë neve, nuk do ndodhë gjë thotë, se kemi folur ne. Ministri i Brendshëm na thotë ne, jo ne me partnerët kemi marrëdhënie shumë të mira, nuk do ndodhë gjë. Të dëgjohet një njeri i vetëm nga këta të qeverisë të thotë se neve kemi institucionet tona, kemi forcat tona të armatosura, kemi kundërzbulimin tonë, që na garanton se nuk do ndodhë gjë? Jo po. Dhe nuk e mblodhën as në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të ndarë disa informacione dhe për të kuptuar në çfarë situate vigjilence të paktën është kjo që kemi. Minimumi.
S’kemi as parlament, as ndërgjegje për këtë gjë. Dhe çfarë thonë? Del aty Erjon Braçe, që bën sikur është i rebeluar ndaj Ramës dhe thotë, kjo po bëhet ka disa vite thotë që po luftohet turizmi në Shqipëri. Pra ambasada amerikane punon kundër turizmit në Shqipëri. Dhe ne bëjmë deklarata të forta për të luftuar Iranin, ndërkohë që Serbia nuk bën asnjë deklaratë për të luftuar Iranin, por kompanitë amerikane dhe gjithë ekonomia amerikane shkon zhvillohet në Serbi. Kompanitë japoneze, kineze, turke, zvicerane, italiane, të gjitha i bëjnë zyrat qendër të Ballkanit në Serbi. Këtu, këtu mbillet vetëm varfëri dhe propagandë.
Pra, ky shtet prej letre, ky s’ekziston fare. Nuk pranon as të reflektojë, as të bëjë sikur kur është fjala për opozitën. Dhe kur i thuhet, o burrë merreni seriozisht se e kanë bërë amerikanët, ai thotë ‘çmendësi’ moj, kryetari i parlamentit. Erjon Braçe thotë këto janë sulme kundër turizmit shqiptar. Turizmi shqiptar po trondit Ballkanin. Apo po trondit Europën. Po të vëresh shifrat e turizmit shqiptar dhe ndikimin e turizmit shqiptar në ekonomi është turp. Janë si karkalecat, vijnë ata, shkatërrojnë ekonominë dhe bujqësinë dhe ikin.
Domethënë turizmi është dëmi më i madh që i bëhet Shqipërisë. Po ta marrësh ekonomikisht. Dhe këta po na shesin turizmin se nuk kuptojnë fare nga asgjë. Jo nuk kuptojnë, po as dinë, vetëm dinë të bëjnë propagandë dhe retorikë. Kështu që problemi këtu është ky, që ne jemi jetimë. Që në qoftë se ata vijnë na bëjnë një sulm në publik, në një qendër tregtare për shembull, siç do ishte, mjerë shqiptarët e shkretë të pambrojtur”,- tha Abilekaj.



