Ia çove firmat e shqiptarëve një legeni burokrat”, Bushati debat me Shehajn: I përdorën si letër higjenike…
Andi Bushati, ka debatuar me kryetarin e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, pasi ky i fundit mblodhi 100 mijë firma në Shqipëri pro SPAK-ut dhe drejtësisë, të cilat më pas i depozitoi në Departamentin e Shtetit në SHBA.
Të ftuar në emisionin Të Paekspozuarit, Bushati deklaroi se të mbledhësh 100 mijë firma shqiptarësh, është sipas tij mungesë e theksuar respekti ndaj çdo qytetari që ka hedhur firmën, që ato ti depozitosh, siç thotë ai, te një legen burokrat i DASH, që i përdor si letër higjenike.
Në përgjigje Shehaj ka kundërshtuar duke thënë se, sipas tij, përfaqësuesit e DASH, ndihmojnë vendin dhe nuk janë ata pengesë.
Debati:
Andi Bushati: Unë mendoj se të mbledhësh 100 mijë firma shqiptarësh, është mungesë e theksuar respekti ndaj çdo qytetari që ka hedhur firmën, që ato ti depozitosh, te një legen burokrat, që i përdor si letër higjenike, pra ajo ka vlerë në Shqipëri, por kur ti mbledh 100 mijë shqiptarë dhe ia çon një zari burokrat atje, që nuk ka asgjë në dorë, kjo më duket ofendim, për çdo njeri që ka hedhur firmën. Kjo vjen nga një mendësi provinciale që ne do na i zgjidhin hallet amerikanët dhe europianët. Më mirë ti çonim në SPAK, në Kuvend, edhe aty do ti grisnin, por nuk i ankohemi 100 mijë shqiptarët, një të huaji, që ore shiko ç’hall i madh na ka gjetur ne po lexoje edhe ti. Në këtë kuptim, si nismë politike më duket si përbuzje e atyre njerëzve që kanë firmosur.
Agron Shehaj: Ai thotë kam takuar një legen dhe kam përbuzur firmën e 100 mijë qytetarëve. Mendoj Bushat, se ti ata i quan legena, unë nuk i quaj legena. Mendoj se ata këtë vend me aq sa munden, e ndihmojnë, nuk janë ata pengesa.
Andi Bushati: Pengesa jo, por indiferentë.
Agron Shehaj: Nuk janë as pengesa, as probleme dhe as zara. Unë jam krenar, bashkë me anëtarët e Mundësia, kemi bërë një punë të jashtëzakonshme.
Andi Bushati: Deri këtu shkëlqyeshëm por ku i çon?
Agron Shehaj: Ju jeni këtu, hidhni baltë mbi një punë tre mujore që është bërë në të gjithë Shqipërinë, nuk ju pëlqen, por ata 100 mijë veta e kanë parë të arsyeshme që atë deklaratë ta firmosin. Unë mendoj se kjo është iniciativë shumë e mirë.




