Miku i Zelenskit që u shndërrua në lake të Trumpit
Nga Andi Bushati
Nëse ka një pasqyrë të veçantë ku mund të shihen me gjithë kaosin e tyre orientimet e politikës së jashtme të Edi Ramës, ajo është intervista që ai i ka dhënë gazetares Franceze, Anne Nivat. E dërguara speciale e revistës së përjavshme Le Point i ka drejtuar atij pyetje bazike, shpesh cinike, që mëtojnë të kuptojnë thellbin e zgjedhjeve që ka bërë Shqipëria. Mos vallë rreshtimi pas linjës së ashpër të Izraelit dhe Uashingtonit po e kërcënon sikurinë e vendit? Mos qëllimi është thjeshtë një pëlqim i Trumpit? A po e rrezikon pjesmarrja në Bordin e Paqes rrugën e integrimit të Shqipërisë? Kë do të zgjidhte Rama mes dy projekteve të së ardhmes së BE-së, atë të Makronit apo atë të Orbanit? A vazhdon ai të jetë po i njëjti mbështetës si dikur i Ukrainës…
Eshtë dëshpëruese të lexosh se si këto pyetje mbeten në ajër dhe herë pas here marrin përgjigje evzive. Aq sa në një moment gazetarja ia kthen bashkëbiseduesit: “Unë ju pyes për SHBA-në, ju më përgjigjeni për Rusinë”.
Mjafton të shikosh versionet që jepen për të sjellurit më katolik se papa, lidhur me një luftë që zhvillohet në lindjen e mesme, dhe ku Shqipëria ka më shumë për të humbur sesa për të fituar. Edi Rama njëherë thotë se e ka bërë zgjedhjen kundër Iranit, pasi ky vend është treguar i pari armiqësor kundër nesh, pastaj se ne si shqiptarë nuk i honepsim dot diktaturat vrastare dhe më tej shpalos një argument të ri, se Irani përbën një kërcënim për fqinjët e vet. Ajo që nuk thuhet me fjalë kuptohet lehtë: dëshira për ti’u servilosur Trumpit dhe për të rekuperuar në Uashington të njëjtin pozicion që Rama kishte më parë me administratën demokrate.
Gazetarja nuk ia lë mangut. Ajo i kujton Edi Ramës dëshirën për të rënë në sy të presidentit amerikan, në momentin kur në Bordin e Paqes ai mbajti fjalim kundër OKB-së.
Por, për atë që dikur e quante “turpi i civilizimit”, “kërcënim për botën” dhe mardhëniet shqiptaro amerikane, sot kryeministri ynë e ka ndërruar pllakën. Ai thotë vetëm fjalë të mira për qasjen e Trump ndaj OKB-së, luftës së hapur në kundërshtim të ligjit ndërkombëtar kundër Iranit dhe tërheqjes së mbështetjes për Zelenskin dhe Ukrainën. Kur i duhet të përgjigjet se me pjesmarrjen në këtë tryezë diktatorësh ai rrezikon të bëhet një kalë troje i SHBA, në Evropë, Edi Rama nuk përdor tonet triumfalist që i shiti publikut shqiptar për pjesmarrijen në Bordin e Paqes. Kjo prani tani më nuk është një nderim për Shqipërinë dhe as një arritje e paimagjinueshme vetëm pak vite më parë, por thjeshtë respektimi i një ftese “që do ishte çmenduri ti thuhej jo”.
Nga ana tjetër Ukraina është një pikë ku diplomacia shndërrohet në komedi. Kush e kthen filmin disa vite më pas, e mban mend Edi Ramën, të marshonte krenarisht përkrah Zelenskit gjatë samitit të liderve Evropianë në Tiranë. Ai vizitoi triumfalisht Kievin duke paketuar në avionin personal edhe atë kryeministrin kukull të Podgoricës, që e përdorte për Ballkanin e Hapur. Aq radikal ishte Rama në mbështetje të betejës kundër Putinit, sa e detyroi ambasadën ruse në Tiranë të zhvendosej, duke urdhëruar riemërtimin e rrugës ku gjendej selia e saj “Ukraina e Lirë”.
Po sot, kur erërat në Uashington duket se kanë ndryshuar? Edhe skifteri ynë është shndërruar në pëllumb. Radikali i dikurshëm pohon me gojën plot se Viktor Orbani kishte të drejtë kur kërkoi armëpushim në frontin ruso-ukrainas, por liderët evropianë bën gabim që se dëgjuan.
Të ndryshosh mendim është njërëzore si për Trumpin po ashtu edhe për Ukrainën, por ama Edi Rama këtë e bën me një lehtësi për ta pasur zili, fiks ashtu sikurse e kërkon situata. Vetëm se kur e habitur gazetarja franceze e fton të zgjedhë mes modeleve të Makronit dhe Orbanit, ai nuk ka përgjigje dhe kamuflohet pas miqësisë për këta dy burra, që kanë në fakt këndvështrime diametralisht të kundërta, si për botën, po ashtu edhe për të ardhmen e kontinentit tonë.
Pikërisht për këto pirueta, kjo intervistë është një nga ato që nuk duhen humbur. Sepse për të gjithë ata që interesohen për politikën e jashtme, ajo tregon se sa e paparashikueshme, e personalizuar dhe jo serioze është diplomacia e një njeriu që e shet ata si medalje që i ka bërë bashëkombasit e tij të ndihen krenarë. Në fakt është e kundërta: duke mos vënë në bazë të saj, as traditën historike, as parime të qarta, Edi Rama e ka shndërruar politikën e jashtme në një karikaturë që i shërben vetëm interesave të tij të momentit. Ai sillet si një kameleon që ndryshon gjithçka për të mos ndryshuar vetëm pushtetin e tij.
Dhe kulmi i bashkëbisedimit arrin kur udhëheqësi i vendit më të vogël dhe më të varfër të Evropës shpërndan receta se si ajo duhet të sillet me Kinën dhe Rusinë. Sipas Edi Ramës Evropa sot mungon në tryezën e të mëdhejve sepse nuk ka ditur të flasë me Putinin dhe Xi Jimpingun.
Por kur Anne Nivat e pyet “naivisht” nëse ai është idhtar i parimit se duhet folur me të gjithë kryeministri i përgjigjet se vetëm me terrorristë si ata të regjimit iranian kjo nuk mund të bëhet.
Tani mbetet të shpresohet që Donald Trumpi të mos vendosë shpejt për një marëveshje përfundimi lufte, sepse ne do të shohim të sfilojë para syve tanë, partizani më i flaktë i një pakti të domosdoshëm me Teheranin./Lapsi.al




