E akuzuar si pjesë e grupit kriminal në AKSHI, Mirlinda Karcanaj del pas dy orësh nga SPAK

E akuzuar si pjesë e grupit kriminal në AKSHI, Mirlinda Karcanaj del pas dy orësh nga SPAK

Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj është paraqitur paraditen e kësaj të mërkure (25 mars) në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

E akuzuar nga organi i akuzës si pjesë e grupit kriminal në AKSHI, Karçanaj ndodhet me masë sigurie “arrest në shtëpi”.

Ajo u mor në pyetje për rreth dy orë dhe më pas la ambientet e SPAK-ut, ndërkohë që gjatë largimit nuk ka dhënë asnjë koment për mediat.

Hetimet për Karçanajn

Mirlinda Karçanaj, drejtoresha jetëgjatë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe personi që ka menaxhuar qindramilionë euro nga taksat e qytetarëve, u mor e pandehur dhe u vendos nën masën e sigurisë arrest shtëpie, bashkë me zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi. Tre biznesmenë, Andis Papa, Gëzim Hoxha e Rogers Rryta, u lanë në masë sigurie ndalim të largimit nga vendi.

Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, një biznesmen tjetër fitues i prokurimeve të AKSHI-t, kompania e të cilit SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024.

Akuzat e SPAK ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj

SPAK ka zbardhur akuzat ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj, Hava Delibashi dhe zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Ndaj Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, janë ngritur akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Ndaj Hava Delibashit, e cila një ditë më parë (24 mars) u lirua nga arresti i shtepisë, rëndojnë akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ndërsa zv.drejtori i policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, është pezulluar nga detyra.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Share it :