Fermerët dhe 3 miliardë lekët që nuk u përdorën

Fermerët dhe 3 miliardë lekët që nuk u përdorën

Qeveria dha 3 miliardë lekë për kreditimin e fermerëve, por vitin e kaluar u përdorën vetëm 12%. Ekspertët dhe bankat tregojnë pse skema nuk funksionoi dhe çfarë duhet të ndryshojë për ta bërë funksionale.

Verën e shkuar, qeveria vendosi një fond prej 3 miliardë lekësh për të garantuar kreditimin e fermerëve nga sektori bankar.

“Kjo garanci synon të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha për financimin në këtë sektor, mungesën e kolateralit dhe të nxisë kreditim e këtij sektori kaq të rëndësishëm me kosto sa të ulët”, tha Petrit Malaj, ministër i Financave.

Ministria e Financave merrte përsipër të garantonte 70% të vlerës së kredive, deri në 25 milionë lekë për fermer. Kredia ishte e destinuar për subjekte mikro, të vogla dhe të mesme, dhe për fermerë të regjistruar me NIPT.

Norma e interesit nuk duhej të tejkalonte 2%, ndërsa tarifat totale për huamarrësin 0.5%. Periudha pa pagesë e principalit ishte të paktën 12 muaj, ndërsa afati maksimal i huas pesë vjet. Huadhënësit duhej të ofronin kreditë sipas prioritetit të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Por ndryshe nga sa u premtua, të dhënat zyrtare tregojne se skema dështoi të zgjidhte thesin e bankave për financimin e sektorit të bujqësisë.

Deri në fund të vitit 2025, nga skema u përdorën vetëm 366 milionë lekë, ose 12% e shumës totale.

Pse nuk funksionoi skema?

Ekspertët vënë në dukje se problemi nuk është vetëm buxheti, por edhe mënyra e dizenjimit të skemës.

Elvin Meka, ekspert i sektorit bankar, tha se: “Norma e interesit e kufizuar në 2% për një aktivitet me rrezik të lartë si bujqësia është jorealiste. Garancia sovrane mbulon deri në 70% të riskut, por pjesa tjetër duhet të mbahet nga banka. Me këtë normë interesi, bankat nuk mbulojnë as kostot operative, jo më të sigurojnë fitimin e nevojshëm”

Ai sugjeron rishikim të produktit për ta bërë më të thjeshtë, funksional dhe tërheqës për bankat.

“Ndoshta në vijim qeveria mund të konsiderojë rishikimin e produktit, për ta bërë jo vetëm më të thjeshtë dhe funksional, por dhe për të përfshire dhe gjithë ekzigjencat e bankave, në drejtim të ofrimit të një produkti kredie më efikas dhe të kuptueshëm,” thekson Meka.

Nga ana tjetër, ekspertja për bujqësinë, Esmeralda Ballesha, shpjegon se bankat shqiptare vazhdojnë të jenë konservatore.

“Edhe me garanci sovrane, bankat kërkojnë kolateral, histori të formalizuar financiare dhe plane biznesi të strukturuara,” thotë Ballesha.

Shumë fermerë operojnë gjysmë-formalisht dhe nuk disponojnë dokumentacion të plotë financiar. Përveç kësaj, mungesa e asistencës teknike për aplikuesit dhe procedurat e gjata burokratike e kanë bërë skemën të pakërkuar. Një tjetër faktor është frika nga borxhi. Pas krizave të fundit dhe ndryshimeve klimatike, marrja e një kredie perceptohet si rrezik i lartë.

Për të përmirësuar situatën, Ballesha sugjeron masa konkrete.

“Kuota të dedikuara të bankave për bujqësinë, një fond për start-up rural për të rinjtë 18–35 vjeç, trajtime preferenciale për huamarrësit me procedura të përshpejtuara dhe konsulencë financiare falas për ndihmën në hartimin e planeve biznesi,” argumenton ajo.

E ardhmja e skemës

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi se Skema e Garancisë po jep efektet e para, pas një periudhe përshtatjeje nga fermerët.

Në shkurt, Ministria e Financave dhe ajo e Bujqësisë takuan drejtuesit e bankave tregtare për të diskutuar përmirësime. Bankierët theksuan se norma interesi 2% është e pamjaftueshme për të mbuluar rreziqet dhe kostot, duke e bërë huadhënien për fermerët praktikisht të pamundur.

Ata propozuan ndryshime konkrete si zgjatjen e afatit të kredisë, periudhën favorizuese opsionale, sqarimin e statusit fiskal dhe tregtar të fermerëve, marketing më të koordinuar për njohjen e produktit, dhe përcaktim më të qartë të investimeve të lejuara.

Përfundim

Garancia sovrane mbetet një instrument i nevojshëm për zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Por, pa rishikime strukturore, fondi prej 3 miliardë lekësh do të vazhdojë të jetë një premtim i madh me rezultate minimale.

Ndaj nisur nga të dhënat zyrtare dhe verifikimi i kryer, deklaratën e ministrit të Financave Petrit Malaj se “garancia synon të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha për financimin në këtë sektor, mungesën e kolateralit dhe të nxisë kreditim e këtij sektori kaq të rëndësishëm me kosto sa të ulët” e kategorizojmë premtim pjesërisht të mbajtur./ Esmeralda Topi, Faktoje.al

Share it :