Porto Romano pret miratimin nga NATO/ Si i shpërfilli Rama gjeneralët në 2021

Porto Romano pret miratimin nga NATO/ Si i shpërfilli Rama gjeneralët në 2021

I kapur gafil, në një situatë me disa të panjohura në Durrës, Edi Rama ka pranuar se po pret një përgjigje nga NATO për portin e ri në Porto Romano. Situata po komplikohet.

Në njërën anë qëndron projekti i Durrës Marina, i lidhur me interesat e biznesmenit arab Mohammed Alabbar, i cili kërkon zhvendosjen e portit ekzistues nga qyteti për t’i hapur vend një kompleksi gjigant turistik dhe rezidencial. Në anën tjetër qëndron realiteti strategjik i rajonit dhe rezerva e strukturave ushtarake të NATO-s, të cilat nuk kanë asnjë interes të krijojnë një “grykë shisheje” logjistike në Korridorin VIII duke dobësuar funksionin e portit aktual të Durrësit

Pikërisht mes këtyre dy presioneve, Rama u detyrua të pranojë publikisht se qeveria shqiptare nuk është më në kontroll të plotë të procesit dhe se projekti i portit të ri në Porto Romano ndodhet në pritje të një vendimi nga zyrat e NATO-s.

Përgjatë monologut të fundjavës në rrjetet sociale, kryeministri u ra prap “700 tenxhereve” mediatike dhe politike me shpresë se zhurma e batutave do ta fashisë problemin që ka në Durrës si mospërputhje me planet e NATO-s.

Rama përsëriti versionin se tenderi i portit të ri në Porto Romano dështoi për arsye të luftës në Lindjen e Mesme, tha se nuk kishte pasur presione as nga Bashkimi Europian, as nga SHBA, por në fund u detyrua të pranojë një fakt që e ndryshon krejtësisht fabulën: projekti i Porto Romanos ndodhet në tryezën e NATO-s dhe Shqipëria është e detyruar të presë aprovimin nga zyrat qëndrore të shtabit për një filtër “politik”, siç u shpreh Edi Rama.

“Projekti i hartuar nga kompania më e madhe në botë, me reputacion të padiskutueshëm, Royal Haskoning është në tryezën e NATO-s. Ka kaluar të gjithë filtrat teknik dhe tani pret të hyjë bashkë me grupin e disa projekteve të tjera të mëdha, në filtrin politik pikërisht sepse është një projekt me një vlerë të konsiderueshme gjeopolitike” tha Rama.

Kryeministri nuk sqaroi çfarë nënkupton konkretisht me “filtër politik”, por nga të dhënat që kemi deri tani kuptohet se zhvendosja e portit të ri në Porto Romano vjen me disa kufizime për Korridorin VIII. Porti i Durrësit, konsiderohet si një nyje logjistike rajonale që lidhet me korridorin dhe me portet e thata të Prishtinës dhe Shkupit. Por ajo që nuk përmendet është se projekti i Porto Romanos parashikon kapacitete shumë më të vogla se porti ekzistues i Durrësit.

Sipas një përllogaritjeje të bërë nga ish-koloneli Artur Meçollari, bazuar në parametrat teknikë të projektit, porti i ri do të mund të përpunonte maksimumi 500 mijë kontenierë në vit, një volum shumë më i vogël në krahasim me portet e tjera të rajonit dhe dukshëm më i kufizuar se potenciali i portit aktual në Durrës.

Edhe në një email që u dërgua nga Dhoma Amerikane e Tregtisë viheshin në dukje parametrat e ulët të projektit për portin e ri në Porto Romano. Në kërkesën e tij për Ramën, kreu i dhomës Grant Vancleve shkruante: “Një Porto Romano me ujëra të thella, i lidhur me Korridorin 8, do të forconte ndjeshëm mobilitetin dhe qëndrueshmërinë e NATO-s në Evropën Juglindore”.

Por për të kuptuar se i mbërritëm në situatën aktuale, ia vlen t’u rikthehesh disa episodeve vite më parë të dokumentuara në arkiva. Aty fshihet shpërfillja që Rama u bëri mesazheve të ushtarakëve të NATO-s duke ecur para me projektin e arabit Mohammet Alabbar pa menduar se do të mund të vinte një ditë që të gjendej nën presion.

Në vitin 2021, pak ditë pasi Rama kishte bërë publike planet për zhvendosjen e portit të Durrësit, aty zbarkuan disa gjeneralë të NATO-s në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”, një nga manovrat më të mëdha ushtarake të zhvilluara ndonjëherë në rajon. Dy drejtuesit më të lartë ishin Gjenerali Chris Cavoli, Komandant i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë dhe Afrikë dhe Gjeneral-Majori Joseph Jarrard, zv.komandant.

Në Shqipëri atëherë kaluan rreth 6 mijë trupa të aleancës dhe në postimin që ka bërë në Facebook, ambasada amerikane theksonte publikisht rëndësinë e portit të Durrësit për operacionin: “Porti do të jetë një nyje e rëndësishme logjistike për stërvitjen e ardhshme Defender Europe 21. Anijet ushtarake të logjistikës do të dorëzojnë pajisje luftarake për stërvitjen në Shqipëri përmes Portit të Durrësit këtë verë. Kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë për aleancën e NATO-s”.

Deklaratat e ambasadës amerikane vinin në kontrast me planet që kishte bërë me dije atëherë kryeministri Edi Rama për Portin e Durrësit, të cilin synonte ta transformonte në një port turistik, me marina për jahte, një terminal modern pasagjerësh dhe ndërtesa të reja, pallate dhe hotele me qëllime tregtare.

Akoma dhe më i drejtpërdrejtë ka qenë atëherë gjenerali i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Christopher G. Cavoli, i cili në maj 2021 vizitoi portin e Durrësit për të vëzhguar operacionet e stërvitjes DEFENDER-Europe 21, e cila shënoi nisjen e këtij ushtrimi të drejtuar nga ushtria amerikane.

Në shkrimin e vitit 2021 për Defense Visual Information Distribution Service (DVIDS) e cila është një platformë zyrtare mediatike e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së ku është pasqyruar fjala e gjeneralit amerikan, theksohet rëndësia e veçantë gjeografike të Shqipërisë dhe në veçanti të portit të Durrësit.

“I vendosur në jugperëndim të Ballkanit, porti i Durrësit u jep SHBA-së dhe aleatëve akses në rajonin e Ballkanit., shkruan dvidshub.net. Operacionet logjistike që zhvillohen aty do të mbështesin trupat në terren ndërsa stërviten për t’iu përgjigjur çdo krize apo kërcënimi në rajon.

“Është një port i madh strategjik. Ka qenë i tillë për shekuj, madje për mijëvjeçarë. Këtu erdhi Jul Cezari kur po ndiqte Pompeun”, shpjegoi Cavoli.

Kuptohet se preferenca strategjike e NATO-s për portin ekzistues të Durrësit nuk ka qenë asnjëherë sekret dhe ndryshe nga sa thotë Edi Rama sot, portin e ri nuk po e pengojnë as trafikantët e drogës dhe as çmimet e larta të materialeve të ndërtimit.

Pozitat ku gjendet kryeministri nuk është as produkt i ndonjë komploti apo presioni të fshehtë tregtar. Ajo është thjesht rezultati i një përplasjeje mes dy logjikave: logjikës ushtarake të NATO-s dhe logjikës së zhvillimit imobiliar që qëndron pas projektit të Durrës Marina dhe të cilën Rama e ka shtyrë para duke menduar se ushtarakët do të dorëzohen para faktit të kryer.

Mbetet për t’u parë se si do të jetë fundi i kësaj historie, por ideja se propaganda mund të ndryshojë vendimmarrjen strategjike të NATO-s për hir të marinës dhe kompleksit turistik nga Emiratet e Bashkuara duket më shumë si një iluzion politik, në kufijtë e marrëzisë. Aq më tepër në një situatë kur lufta në Ukrainë vazhdon prej 4 vitesh dhe vatra të tjera konfliktesh po shtohen në botë. /Lapsi.al

Share it :