Seanca në GJKKO/ Cakrani zbulon provën e re dhe paralajmeron per ata qe do thirren te deshmojne
Në përfundim të seancës paraprake ndaj ish-presidentit Ilir Meta, avokati i tij Kujtim Cakrani ka bërë publike një provë të re që synon të rrëzojë akuzat për lobim, duke paralajmëruar thirrjen në gjykatë të kryeministrit Rama dhe 73 deputetëve të tjerë.
Pas seancës së mbajtur në GJKKO, Cakrani deklaroi se pala mbrojtëse ka dorëzuar si provë një ndërhyrje të ish-ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili në atë kohë kishte falënderuar zotin Meta për rolin e tij në reformën në drejtësi. Sipas avokatit, kjo provë dëshmon se lobimi për të cilin akuzohet Meta nuk ka qenë korruptiv apo i lidhur me pastrim parash, por në funksion të reformës në drejtësi, një proces që, siç tha ai, “bashkoi të gjithë deputetët”.
Lobimi tashmë doli në dritë të diellit që nuk ka qenë as korruptiv dhe as nuk ka pasur pastrim të produkteve të veprës penale, por ka qenë në funksion të reformës në drejtësi,” theksoi Cakrani. Gjykata e ka pranuar këtë provë të re, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të shpallet në datën 18 të këtij muaji.
Avokati shprehu bindjen se “gjykata do të ngrihet në lartësinë e duhur” dhe do të marrë një vendim pozitiv.
“Ju do të shikoni një show fantastik përsa i përket deputetëve që duhet të vijnë këtu të dëshmojnë,” tha Cakrani me ironi.
Avokati sqaroi gjithashtu se mbrojtja ka tërhequr përkohësisht kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë për Metën, në pritje të një vendimi nga Gjykata e Lartë lidhur me afatet e paraburgimit. Ai theksoi se tërheqja nuk është përfundimtare dhe u shpreh i bindur se “zoti Meta sa më shpejti do të jetë në liri”.
Kujti Cakrani: Atëherë, sot përfundoi, i dhanë fund seancës paraprake, ku bënë replikë prokurorët. Pa dyshim folëm edhe ne avokatët, por sot ne dorëzuam një provë shumë të rëndësishme, siç ishte intervista ose ndërhyrja e ambasadorit Lu, i cili ka falenderuar në kohë zotin Meta për reformën në drejtësi dhe ka ngritur një, besim atë në kohë që të gjithë deputetët u bënë bashkë për të votuar reformën në drejtësi dhe kjo ishte një arritje e madhe e kohës. Sepse lobimi, përsa i përket zotit Meta, për të cilën ai akuzohet, ka lidhje me reformën në drejtësi dhe lobimi tashmë doli në dritë të diellit që nuk ka qenë as korruptiv dhe as janë fshehur as pastrim të produkteve të veprës penale, por ka qenë në funksion të reformës në drejtësi dhe në funksion të një drejtësie sa më të drejtë dhe për një shtet të së drejtës. Kështu që, këtë provë e pranoi gjykata dhe do shprehen në datën 18, ku do jetë edhe vendimi përfundimtar i gjykatës. Kështu që jemi tashmë në rrugë të mbarë. Unë kam besim që gjykata do ngrihet këtë radhë në lartësinë që e kërkon ligji, detyra, pa dyshim dhe funksioni dhe kështu që do kemi një vendimmarrje pozitive për disa episode që janë aty, që ata i quajnë korruptive, po në fakt vepra penale për të cilën akuzohet zoti Meta dhe të tjerë, nuk ekziston ose nuk faktohet të jetë kryer nga këta persona.
Gazetarët: Në fund çfarë kërkuat? Cila ishte kërkesa e fundit?
Kujtim Cakrani: Përsa i përket ÇEZ-DIA, ne kemi kërkuar pushimin e çështjes. Në alternativë kemi kërkuar të kthehet dhe të pyeten të gjithë personat kryesorë që janë ata të ÇEZ-DIA-s, pra, përzgjedhja që është bërë në kohë për zotin Ismailaj e kështu me radhë dhe lidhjet që ata kanë patur me DIA-n dhe njohjet nëse kanë patur me zotin Meta dhe nëse dinë ata ndonjë ndikim në procesin e përzgjedhjes, pra ndikim nga zoti Meta. Kemi kërkuar për çështjen e lobimit, pa dyshim, që dhe kjo të kthehet dhe të pyeten personat kyç siç janë drejtuesit kompanisë së lobimit, të pyeten personat të cilët kanë kryer, pagesa për llogari që quhen llogari të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe të gjithë këta persona duhet të pyeten me letër porosi, ose të dëshmojnë përpara oficerit të policisë, pra përpara BKH-së.
Gjithashtu kemi kërkuar për çështjen, përsa i përket ligjit të minerave, që edhe ky është një ligj i cili është propozuar dhe miratuar nga Partia Socialiste, të thirret dhe të pyetet si person që ka dijeni që e ka mbrojtur këtë ligj në kuvend në vitin 2015, kryeministri i kohës zoti Rama, të pyeten të gjithë ata deputetë të cilët e iniciuan këtë dhe të cilët i shkuan deri në fund këtij ligji, deri në votimin përfundimtar. Pra, të thirren, të 73 deputetët që kanë votuar këtë ligj, nëse ka pasur ndonjë ndikim nga zonja Kryemadhi apo nga zoti Meta. Kështu që ju do shikoni një shoë fantastik përsa i përket deputetëve që duhet të vijnë këtu të dëshmojnë.






