Kr!mi i organizuar shqiptar në hartën Europiane

Krimi i organizuar shqiptar në hartën Europiane

Nga raportet e inteligjencës italiane te hetimet e SPAK, dokumentohet shtrirja transnacionale e rrjeteve kriminale shqiptare, ndërsa dobësitë institucionale në Shqipëri mbeten pengesë për një luftë efektive.

Grupe kriminale shqiptare” ato që konsideroheshin një prani periferike në strukturat kriminale të kontinentit, sot përshkruhen në dokumentet zyrtare si një aktor me rol të rëndësishëm në tregjet ilegale ndërkombëtare.

Raportet e institucioneve europiane të sigurisë po evidentojnë një prani gjithnjë e më të konsoliduar të grupeve kriminale shqiptare në rrjetet e krimit të organizuar transnacional veçanërisht në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe aktivitetet ekonomiko-financiare të paligjshme.

Gjetje të ngjashme evidentohen edhe në raportin vjetor të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili konstaton se trafiku i narkotikëve, veçanërisht i kokainës, mbetet aktiviteti kryesor i grupeve kriminale të lidhura me shtetas shqiptarë. Hetimet tregojnë se këto rrjete operojnë përmes zinxhirëve kompleksë furnizimi dhe shpërndarjeje që kalojnë nga vendet prodhuese në Amerikën Latine drejt porteve të mëdha europiane dhe më pas në tregjet e Bashkimit Europian. Strukturimi i roleve brenda grupeve, përdorimi i komunikimeve të enkriptuara, kompanive fiktive dhe kriptovalutave tregon një nivel të lartë organizimi dhe sofistikimi.

Ekspertët argumentojnë se ndërsa rrjetet kriminale kanë arritur të përshtaten shpejt me zhvillimet teknologjike dhe të krijojnë bashkëpunime fleksibël ndërkombëtare, institucionet shqiptare vazhdojnë të përballen me korrupsion, burokraci dhe mungesë burimesh njerëzore të specializuara. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë disa shenja përmirësimi, përfshirë rritjen e operacioneve të përbashkëta dhe forcimin e strukturave të specializuara. Sipas ekspertëve, vetëm përmes një transformimi institucional dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional Shqipëria mund të ndërtojë një sistem sigurie më efektiv për të përballuar krimin e organizuar transnacional.

Krimi i organizuar kërcënon integrimin në BE

Krimi i organizuar minon integritetin ekonomik të Shqipërisë, administratën publike dhe besimin e qytetarëve te institucionet. Kjo kërkon që, përveç ndjekjes penale, të përqendrohemi më shumë tek masat parandaluese.” – tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato në një takim të zhvilluar në Tiranë, ku u diskutua mbi sfidat e krimit të organizuar.

Sipas Ambasadorit, kjo qasje efektive kundër krimit të organizuar është thelbësore për integrimin e suksesshëm të Shqipërisë në BE”.

Por ndërsa në Shqipëri diskutoheshin masat për eleminimin e krimit të organizuar, në Italinë fqinje, prezantohej Raporti i përvitshëm mbi politikën e informacionit të sigurisë “Relazione annuale sulla politica dell’informazione per la sicurezza”.

I prezantuar në Parlament nga disa zyrtarë të lartë përfshirë drejtuesit e shërbimeve inteligjente dhe krerë të Parlamentit Italian, të dhënat e Raportit “Relazione Annuale 2025” flisnin për grupe kriminale shqiptare, të pranishme në një shtrirje të gjerë në gjithë territorin italian, dhe të karakterizuar nga një nivel i lartë specilizimi, sidomos në trafikun e drogës.

Këto grupe kanë krijuar partneritete operative me grupe të tjera kriminale përfshirë organizatat famëkeqe puliane apo rrjetet nigeriane. Gjithashtu sipas Raportit, grupe kriminale me bazë shqiptare kanë zhvilluar marrëdhënie të konsoliduara me rrjetet kriminale në vendet prodhuese të drogës si Amerika Latine, duke siguruar në këtë mënyrë flukset e kokainës drejt tregjeve evropiane.

Përtej trafikut të drogës, në Raport analizohen dhe përdorimi i skemave të sofistikuara financiare për të riinvestuar të ardhurat e paligjshme. Nëpërmjet përdorimit të kompanive fiktive, transaksioneve ndërkombëtare, blerjes së mallrave luksoze si ari dhe metale të çmuara, pasuri të paluajtshme, apo dhe instrumente të avancuara tekniko-financiare, përfshirë asetet kripto dhe platformat e komunikimit të koduar, ata arrijnë ti shmangen kontrollit të ligjit dhe të ruajnë një rezistencë të lartë ndaj hetimeve.

Raporti nënvizon gjithashtu rëndësinë e partneriteteve kriminale ndërkombëtare, ku shqiptarët bashkëpunojnë me grupe të tjera etnike, nëpërmjet përdorimit të praktikave të njohura nga tregje financiare dhe teknologjike me qëllim optimizimin e aktiviteteve të tyre ilegale dhe maksimizimin e fitimeve.

Grupet shqiptare përmenden si aktive në aktivitetet kriminale më të gjera, duke përfshirë trafikimin e armëve të lehta, trafikimin e qenieve njerëzore dhe pastrimin e parave.

Raporti thekson gjithashtu përdorimin në rritje të teknologjive digjitale dhe platformave të komunikimit nga rrjetet kriminale ndërkombëtare për manipulime, mashtrime dhe aktivitete të paligjshme, duke e bërë gjurmimin dhe ndjekjen e tyre një sfidë komplekse për autoritetet ligjzbatuese.

Por, ndërsa Raporti “Relazione Annuale 2025” i konsideron grupet shqiptare një “komponent në rritje gjithnjë më të rëndësishëm të peisazhit kriminal evropian, edhe Raportet e publikuara në Shqipëri, përforcojnë të njëjtat gjetje.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) publikoi të Hënën e 9 Marsit Raportin e përvitshëm, të dhënat e të cilit faktojnë edhe njëherë strukturat e mirëorganizuara dhe shtrirjen ndërkombëtare të grupeve kriminale të lidhura me shtetas shqiptarë. Sipas hetimeve të SPAK, trafiku i narkotikëve, veçanërisht ai i kokainës, vijon të mbetet aktiviteti kryesor kriminal, i organizuar përmes zinxhirëve kompleksë të furnizimit dhe transportit që nisin nga vendet prodhuese në Amerikën Latine dhe përfundojnë në tregjet e Bashkimit Europian.

Droga transportohet kryesisht përmes porteve të mëdha europiane, si ato të Italisë, Spanjës, Belgjikës dhe Holandës, ndërsa shpërndarja realizohet përmes rrjeteve të strukturuara që operojnë në disa vende njëkohësisht. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu ndarje të qarta rolesh brenda grupeve kriminale, përdorimin e kompanive fiktive, dokumenteve të falsifikuara dhe komunikimeve të enkriptuara, si dhe përdorimin e sistemeve informale të transferimit të parave dhe kriptovalutave për të fshehur fitimet e paligjshme.

Këto elemente tregojnë një nivel të lartë organizimi dhe sofistikimi, duke përforcuar konstatimet e raportit italian për karakterin gjithnjë e më transnacional të krimit të organizuar të lidhur me rrjete shqiptare.

Përtej dimensionit të aktivitetit ilegal, Autoritetet Italiane dhe partnerët ndërkombëtarë të sigurisë nënvizojnë nevojën për një bashkëpunim të thelluar midis shteteve dhe përdorimin e strategjive të avancuara për ndjekjen financiare dhe operacionet policore. Bashkëpunimi italian-shqiptar fokusohet kryesisht në ndjekjen e krimit ndërkufitar dhe mbrojtjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, megjithatë, Shqipëria ende ka një rrugë të gjatë për të ndërtuar kapacitete që mund të përballojnë në mënyrë efektive rrjetet kriminale transnacionale.

Por ku qëndrojnë pengesat që e mbajnë vendin prapa homologëve të tij për të kuptuar, ndjekur dhe goditur një fenomen që tashmë operon në mënyrë të strukturuar përtej kufijve kombëtarë?

Sipas Raportit të CSDG-së (Center for the Study of Democracy and Governance) i cili trajton qasjen administrative kundër krimit të organizuar, sfidat kryesore të Shqipërisë për luftën ndaj krimit, shkojnë përtej kapaciteteve teknike. Ato lidhen me një mungesë të bashkëpunimit si kulturë institucionale brenda vendit, i cili kufizon efektivitetin e mekanizmave të sigurisë dhe reflektohet drejtpërdrejt në bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ekserti i Sigurisë Kombëtare, Arjan Dyrmishi, tha për “shteg.org” se pikërisht si pasojë e fragmentimit institucional, bashkëpunimi transnacional mbetet i vështirë.

“Në Shqipëri, fragmentimi institucional dhe mungesa e standardeve të përbashkëta operacionale e bëjnë të vështirë ndërtimin e mekanizmave të avancuar të bashkëpunimit, si ekipet e përhershme të përbashkëta hetimore, qendrat e integruara analitike apo shkëmbimi i menjëhershëm i informacionit të klasifikuar.” – tha ai.

Kur krimi ecën më shpejt se shteti

Credits: Meljana Bregu – Eksperte e gjeopolitikës
Por ndërsa grupet kriminale shqiptare kanë arritur që nëpërmjet shfrytëzimit të avantazheve teknologjike të bashkëpunojnë thuajse në mënyrë të barabartë me mafien italiane, shteti Shqiptar ende nuk ka ka mundur të arrijë nivelin e operimit të shtetit italian përsa i përket luftës kundrejt krimit të organizuar.

Kur krahasohet me Italinë dhe partnerët e tjerë evropianë, ku strukturat policore, prokuroriale dhe inteligjenca financiare funksionojnë në mënyrë të sinkronizuar, Shqipëria duket se mbetet një hap pas, duke lejuar që krimi i organizuar shqiptar të përfitojë nga dobësitë institucionale.

Ekspertja e Gjeopolitikës Meljana Bregu një një intervistë për “shteg.org” tha se problematikën e sheh tek korrupsioni dhe burokracia brenda vendit tonë.

“Organet ligjzbatuese shqiptare mbeten të “izoluara” brenda një sistemi që ende vuan nga korrupsioni, mungesa e fondeve dhe burokracia e rëndë.” – tha Bregu teksa shton se “Agjencitë italiane kanë dekada përvojë dhe ekipe me ekspertë të ndryshëm që punojnë bashkë prej vitesh.”

Bashkëpunimet ndërkombëtare kërkojnë shkëmbim të vazhdueshëm informacioni, koordinim të qëndrueshëm dhe reagim të sinkronizuar. Për ekspertin Dyrmishi kjo dobësi e brendshme ka pasoja të drejtpërdrejta në bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Kur institucionet brenda vendit nuk arrijnë të shkëmbejnë informacion në mënyrë të rregullt dhe të standartizuar, është e vështirë të ndërtohen mekanizma të besueshëm bashkëpunimi me partnerët e jashtëm.” Kjo shpjegon edhe pse, pavarësisht vullnetit politik dhe operacioneve të përbashkëta të suksesshme, Shqipëria ende nuk ka arritur të zhvillojë mekanizma të njëjtë me homologët evropianë në fushën e inteligjencës kriminale, hetimit financiar dhe analizës së rrjeteve transnacionale. – tha ai.

Duket se grupet kriminale shqiptare ecin me hap më të shpejtë se institucionet shqiptare që luftojnë këtë fenomen. Për eskperten e gjeopolitikës, Meljana Bregu kjo vjen si pasojë e burokracive institucionale dhe magësive të burimeve njerëzore të trajnuara nga institucionet, ndryshe nga praktikat që ndjek bota e krimit.

“Mekanizmat e bashkëpunimit vendosen në mënyrë më të shpejtë në botën e krimit, sepse nuk duhet të kalojnë nga burokracia institucionale si bashkëpunimi ndërshtetor që varet nga nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe. Nga ana tjetër, mundësia financiare e krimit të organizuar lejon përdorimin e burimeve njerëzore të kualifikuara ndërsa institucionet publike vuajnë nga mungesa e burimeve njerëzore të trajnuara për të ndjekur fluksin e monedhës digjitale.” – tha profesoresha Bregu.

Sipas Raportit CSDG-së, zhvillimet e vitit 2025 kanë treguar se Shqipëria është në një trajektore përmirësimi. Rritja e operacioneve të përbashkëta, përdorimi i teknologjive të avancuara për monitorimin e territorit, forcimi i strukturave të specializuara dhe përmirësimi i kuadrit ligjor janë hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të një arkitekture moderne të sigurisë.

Sipas ekspertit Dyrmishi, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional nuk është vetëm një çështje teknike, por një transformim kulturor që kërkon lidership, standardizim, transparencë dhe mekanizma të qëndrueshëm koordinimi.

“Vetëm duke adresuar këtë sfidë strukturore, Shqipëria mund të ndërtojë një sistem sigurie të aftë të përballet në mënyrë të barabartë me partnerët evropianë dhe të godasë në mënyrë efektive rrjetet kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit” – e përfundoi ai fjalën e tij.

Ndërsa profesoresha Bregu, e sheh këtë fenomen si pjesë e një tabloje më të gjerë gjeopolitike. Përtej rastit Shqiptar, sipas saj, rrjetet kriminale po bëhen gjithnjë e më të ndërlidhura, ndërkohë që nismat e përbashkëta, që dikur ishin kyçe për goditjen e krimit dhe bashkimin e ligjeve, sot po dështojnë nën presionin e përplasjeve gjeopolitike, mungesës së fondeve dhe interesave të kundërta mes shteteve. /Xhesika Tollia – Shteg.org

Share it :