Kur një grua bëhet objekt fyerjeje në Parlament, reagimi duhet të jetë i fuqishëm!

Kur një grua bëhet objekt fyerjeje në Parlament, reagimi duhet të jetë i fuqishëm!

Nga Alba KEPI

Të fyesh një grua në publik, në social, në media e kudo është e papranueshme; por ta bësh këtë brenda parlamentit është edhe më e rëndë.

Kur një përfaqësues i pushtetit, përdor fyerjen si armë politike, kjo është simptomë e një kulture politike në banalitet.

Parlamenti nuk është një arenë ku fiton ai që flet më rëndë apo është më poshtërues. Ai është vendi ku fjala duhet të ketë peshë, argumenti duhet të ketë forcë dhe respekti duhet të jetë minimumi i domosdoshëm.

Kur një grua bëhet objekt fyerjeje në atë sallë, mesazhi që dërgohet jashtë saj është se pushteti mund të përdorë gjuhën e poshtërimit kudo.

Kjo nuk është vetëm çështje etikete parlamentare. Është çështje kulture dhe respekti ndaj grave.
E Pushteti ka gjithmonë një përgjegjësi më të madhe, sepse ai vendos standardet. E cfarë ndodhi sonte është standardi i kësaj përfaqësie.

E reagimi duhet të jetë jo vetëm nga opozita apo nga organizatat e shoqërisë civile. Reagimi duhet të vijë nga vetë shumica qeverisëse. Heshtja ose relativizimi i një fyerjeje të tillë është një bashkëfajësie morale.

Nëse parlamenti kthehet në një vend ku gratë mund të fyhen e poshtërohen pa pasoja, atëherë nuk kemi vetëm një problem gjuhe kemi një problem demokracie në kuptimin më bazik të saj.

Të fyesh një grua në publik është e papranueshme; por ta bësh këtë brenda parlamentit, është një turp për politikën dhe për institucionet.

Share it :