Kjo që po shihni është një hartë e call center-ave mashtrues që ne kemi regjistruar për një natë të vetme nëpër Tiranë, me ndihmën e një të riu, i cili prej vitesh ka punuar në këtë sektor ilegal.
Kuptohet, kjo që treguam është vetëm një pjesë tërësisht e papërfillshme, sepse vlerësohet që numri i këtyre aktiviteteve të paligjshme të jetë shumë herë më i madh.

Në fakt, ndërsa bënim këtë bisedë me të riun, një tjetër bashkëpunëtor, kësaj radhe italian, ishte infiltruar brenda njërit prej call center-ave më të mëdhenj në brendësi të kësaj kulle në mes të Tiranës.
Aty ku Alma, Carlo, Ines, Enzo dhe Franco do t’i mësonin atij sekretet e zanatit të mashtruesit. Gjithçka në vetëm dy ditë…
Në fillim, bashkëpunëtori italian i kishte shkruar adresës së publikuar nga mashtruesit se ishte i interesuar për punë dhe se kishte eksperiencë në Qipro si konsulent. Dhe pak ditë më vonë, pas disa pyetjeve teknike dhe shkëmbimit të të dhënave personale, atij i vjen një telefonatë nga Alma, drejtuese e call center-it, e cila kërkon të dijë se sa para arrinte të zhvaste kur punonte në Qipro.
Një konsulent i vetëm në këtë call center arrin të kapë shifrën e 1 milion eurove në muaj. Nëse këto shifra nga 300 mijë në 1 milion i shumëzojmë me minimumi 50 konsulentë të këtij call center-i, arrijmë pa frikë në 25 deri në 30 milionë euro në muaj.
Italianët janë më të preferuarit për shkak të gjuhës, prandaj edhe trajtimi që u rezervohet atyre që vijnë në Shqipëri për të vjedhur paratë e bashkatdhetarëve të tyre është vërtet special.
Bileta të paguara, shtëpi gratis, rrogë e garantuar, plus përqindjet nga mashtrimi. S’ka mëdyshje: bashkëpunëtori ynë nuk mendohet dy herë… e pranon ofertën…
Dhe pak ditë më vonë pritet në aeroport. Personi që e takon i dorëzon çelësat e apartamentit dhe i tregon adresën ku duhet të shkojë. Banesa e rezervuar për punonjësin e ri italian të call center-it është pak të quhet dinjitoze. Gjithçka e arreduar mjaft mirë dhe fare pranë qendrës së Tiranës.
Ditën e nesërme, siç ishte rënë dakord, prezantohet për të nisur punën në Forever Green Tower, një nga kullat më interesante të Tiranës.
I riu merr ashensorin që të çon në katin e 13-të. Gjithçka në këto ambiente ngjan me një aktivitet të ligjshëm. Në recepsion janë dy vajza, të cilat, si në një hotel, kërkojnë dokumentin, ndërkohë që konsulentët e tjerë po përgatiten të nisin një ditë të zakonshme mashtrimi.
Menjëherë pas prezantimit në recepsion, bashkëpunëtorit i kërkohet të lërë celularin dhe xhupin në njërën nga ndarjet e bëra enkas, ndërkohë që të njëjtën gjë bëjnë edhe kolegët që po hyjnë një nga një në zyrë.
Kuptohet që kjo është një masë sigurie. Askush nuk duhet të dokumentojë aktivitetin kriminal që bëhet çdo ditë në mes të Tiranës. Sapo hyn në sallë, i riu pritet nga Alma, me të cilën kishte komunikuar më përpara.
Tashmë i riu është nën menaxhimin e Carlos, ndërkohë që kolegia e tij është rikthyer në zyrë, nga ku drejton një rrjet të tërë mashtrimi. Carlo, i cili në realitet quhet Klaudio Kaçupi, e ul bashkëpunëtorin tonë në një vend të lirë, në të cilin është i instaluar një kompjuter me dy monitorë.
Dhe nis t’i shpjegojë se si funksionon kjo skemë mashtrimi. Call center-i është i ndarë në sektorë sipas shteteve, dhe personeli kuptohet që është përzgjedhur në bazë të gjuhës që secili zotëron.
Dy platformat në fjalë janë site të krijuara nga mashtruesit për të tërhequr viktimat, të cilët nga celulari apo kompjuteri i tyre shohin një rritje financiare, e cila në fakt është e gjitha një iluzion.
Një skemë sa e thjeshtë, aq edhe perfekte, që çon në gropë financiare me qindra persona në një ditë të vetme, vetëm nga ky call center.
Pavarësisht kësaj, mashtruesit tregohen gjithmonë të kujdesshëm me site-t që përdorin.
Kur bashkëpunëtori ynë ka hyrë në këtë call center ishte mesi i nëntorit, dhe tashmë, kur kanë kaluar tre muaj…
Shumë persona, me sa duket, kanë rënë në rrjetën e mashtruesve.
Në fakt, mjafton të klikosh në crypto24 dhe bit4invest dhe menjëherë të shfaqet një tekst paralajmërues: “Kujdes nga mashtrimi – trading online fals.”
Kur dëgjon këtë person, në pamje të parë një zotëri i vërtetë, i cili shpjegon me kaq qetësi se si duhet të mashtrosh, është vërtet rrënqethëse.
Por kjo nuk është asgjë, sepse tani kalojmë në emra të përveçëm viktimash të mashtruara nga kjo bandë kriminale.
Kur Carlo thotë “ta mbyllim”, nuk ka për qëllim thjesht të zhduken me 90 mijë euro të vjedhura Luanës. Ideja është të provohet edhe një goditje e fundit, duke përdorur këtë strategji. Plusvalenca është një përqindje nga fitimi që, në rastin e Luanës, kap shifrën e 27 mijë eurove.
Problemi është që Luana, një zonjë e panjohur italiane, nuk ka fituar asgjë, përveç grafikëve me të cilët mashtruesit e furnizonin çdo ditë. Por duke besuar në këto grafikë dhe duke parë që ka fituar disa fish mbi shumën prej 90 mijë euro të depozituar, me shumë mundësi do të bëjë edhe një kalim të fundit të shumës që i kërkohet. Dhe aty çdo gjë merr fund.
Gjatë dy ditëve të trajnimit, i infiltruari mëson edhe për një tjetër strategji, gjoja për rikthimin e shumave. Bëhet fjalë për viktima të mashtruara më përpara, të cilët telefonohen duke iu prezantuar si një agjenci e specializuar që u mundëson atyre kthimin e parave të humbura.
Por, kuptohet, më përpara duhet të paguajnë. Dita e parë e punës mes bandës së mashtruesve mbyllet këtu.
Pranë kompjuterit të bashkëpunëtorit tonë afrohet një tjetër drejtuese, me pseudonimin Ines. Ajo i shpjegon se aty pranë është një zyrë e cila kontrollon çdo lëvizje që konsulentët bëjnë në kompjuterët përkatës.
Për më tepër, dinë me saktësi se cili klient duhet telefonuar dhe në cilën orë.
Problemi është se i infiltruari nuk kishte se si të bënte asnjë telefonatë të vetme, qoftë edhe për ta dokumentuar; në të kundërt, do të ishte bërë pjesë e mashtrimit së bashku me të gjithë ne që e monitoronim në distancë.
Prandaj kërkon të marrë kohë, duke bërë sikur kontrollon grafikët e klientëve. Por as kjo nuk është e lehtë, sepse Alma qëndron gjatë gjithë kohës në vëzhgim. Në këto kushte, i riu bën një telefonatë, por limitohet duke folur gjëra krejt të tjera nga propozimi për investime online.
Një bisedë që nuk i intereson gruas nga ana tjetër e telefonit, e cila ia mbyll menjëherë. Sidoqoftë, rëndësi ka që telefonata u ndërpre pa shkaktuar dëme.
Pas dy ditësh pune, i infiltruari është larguar drejt Italisë, duke mbledhur të gjitha provat e nevojshme për dokumentimin e një veprimtarie kriminale, me qëllim mashtrimin e shtetasve evropianë.
Pas kësaj, së bashku me kolegët italianë, me çdo gjë të dokumentuar, i drejtohemi SPAK-ut, i cili menjëherë hapi një hetim për çështjen dhe, pas mbledhjes së të gjitha provave, ia besoi operacionin Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Është mëngjesi i së premtes, 16 janar 2026. 24 orë përpara operacionit. Agjentët e BKH po bëjnë përgatitjet e fundit përpara ndërhyrjes në katin e 13-të të kullës, që në realitet paraqet shumë vështirësi. Një dyshim i tyre mund të shkatërrojë gjithçka, duke shkaktuar madje edhe nisjen e protokollit të emergjencës, që parashikon bllokimin e ashensorëve dhe ndërhyrjen e forcave speciale.
Kaq do të mjaftonte t’u jepte kohë mashtruesve që të shkatërronin çdo provë nga kompjuterët e tyre.
Gjithashtu, për t’u ngjitur në katin e 13-të, atje ku punojnë më shumë se 70 konsulentë mashtrues, është i nevojshëm një bexh që aktivizon ashensorin, të cilin agjentët e BKH po vrasin mendjen se si ta sigurojnë.
Bëhet fjalë për këtë person, i cili të infiltruarit tonë i është prezantuar si Carlo. Është i njëjti që e ka trajnuar se si të mashtrojë viktimat nëpërmjet telefonit. Ndërkohë që mbledhja përgatitore po vijon, një skuadër agjentësh janë poshtë shtëpisë së Carlos, të gatshëm për ta ndaluar dhe shoqëruar për te zyrat e call center-it.
Agjentët kanë analizuar me detaje secilin nga subjektet që drejtojnë këtë grup vjedhësish dhe, me ndihmën e të infiltruarit, njohin jo vetëm fytyrat, por edhe vendet ku qëndrojnë ulur gjatë punës.
Giorgio është italiani me të cilin bashkëpunëtori ynë kishte drekuar në ditën e parë të punës.
Për të qenë të sigurt nëse kjo organizatë kriminale vazhdonte punën rregullisht, një ditë përpara operacionit të SPAK-ut verifikuam hyrje-daljet dhe, në orën 10 të paradites, pamë të futen në pallat Carlon dhe një tjetër konsulent, për ne i paidentifikuar. Gjithçka është nën kontroll. Mungojnë vetëm pak orë.
Është mëngjesi i 17 janarit. Disa agjentë kanë zënë vend jashtë kullës. Dikush në makinë, dikush duke shëtitur gjoja i shkujdesur e dikush tjetër me një gazetë në dorë. Edhe në hollin dhe barin e katit përdhes agjentët janë të gatshëm për të ndërhyrë menjëherë pas sinjalit.
Gjithçka po shkon sipas planit. Holli tashmë është në duart e agjentëve… kur papritur një nga personat e sigurisë së Ambasadës së Izraelit nis të bëjë rezistencë.
Qasja e këtij individi në fillim është agresive, por drejtuesi i operacionit nuk tërhiqet, madje ia bën gjërat të qarta.
Ka refuzuar madje të japë bexhin me të cilin agjentët mund të ngjiteshin në katin e 13-të, atje ku ndodhet call center-i i mashtruesve. Por, me të mbërritur atje, duke parë se situata është tepër serioze, papritur pranon të bashkëpunojë. Tashmë gjithçka është gati për ndërhyrjen finale. Sapo të ngjiten lart, sipas planit, agjentët e BKH do të bllokojnë të gjithë konsulentët në sallë, që sipas pamjeve të siguruara nga bashkëpunëtori janë rreth 70 persona.
Qëllimi i parë është të ndalohet secili prej tyre të prekë celularin dhe kompjuterin, nga ku me një klik mund të fshijnë të dhëna tepër të vlefshme për hetimin.
Mos harrojmë që kemi të bëjmë me një mashtrim informatik të bazuar në kriptovalutë, prandaj si në celularë ashtu dhe në kompjuterë mund të gjenden portat e hyrjes në kasafortat dixhitale, në të cilat me shumë mundësi ndodhen miliona euro të vjedhura nga klientët e mashtruar.
Ndërsa një grup i vogël agjentësh marrin ashensorin për t’u ngjitur lart, të tjerët vrapojnë shkallëve për të mos u lënë asnjë mundësi mashtruesve për t’u larguar.
Por kur dyert e ashensorit hapen, në katin e 13-të nuk ka asgjë.
Zyra të boshatisura, asnjë konsulent, asnjë gjurmë e aktivitetit kriminal që zhvillohej rregullisht deri një ditë më parë.
Call center-i është zhvendosur. Dikush i ka njoftuar në kohë.
Carlo sërish preferon të heshtë, duke mos pranuar të tregojë asgjë, prandaj agjentët e zbresin poshtë, e prangosin dhe ia dorëzojnë policisë, e cila e shoqëron për në qeli.
Sipas prokurorisë, ky individ është një hallkë e rëndësishme e grupit kriminal ku bën pjesë dhe mund të ketë qenë ai organizatori i zhvendosjes së të gjitha materialeve nga Green Tower.
Ndërkohë, në ambientet tashmë të boshatisura të call center-it, agjentët po bëjnë një kontroll të imtësishëm, me shpresën se do të gjejnë sadopak prova të ekzistencës së këtij aktiviteti, por fatkeqësisht çdo gjë kompromentuese është hequr, aq sa duket se përpara nesh aty ka hyrë një skuadër pastrimi. Nuk ka qoftë edhe një kabllo, një fletë, një shënim që të tregojë se aty çdo ditë mashtrohej viktima e radhës. Kanë mbetur vetëm tavolinat e boshatisura dhe lulet dekorative.
Në dy ditët e qëndrimit të tij, bashkëpunëtori italian ka dëgjuar për ekzistencën e një tjetër ambienti të call center-it, në katin e nëntë. Informacion që i është dhënë SPAK-ut, i cili ka dërguar agjentët edhe atje.
Asnjë gjurmë nga call center-i. Gjithçka e pastruar me shumë kujdes, për të mos lënë asnjë provë. Njëlloj si në ambientet sipër. Përfshi edhe frigoriferët plot me pije freskuese, që tregojnë qartë se deri pak orë më përpara aktiviteti ka funksionuar me ritmin e zakonshëm.
Befasia me të cilën u përballëm na zhgënjeu, por edhe na vuri në dyshime për rrjedhje informacioni që ndihmoi mashtruesit të largoheshin me urgjencë nga Green Tower.
Këtë shpresojmë që ta zbulojnë hetimet që janë në vijim.
Ndërkohë, pavarësisht kësaj të papriture të hidhur, SPAK dhe BKH nuk ngritën duart aty. Largimi me urgjencë brenda natës i të gjitha materialeve nga kulla, duke boshatisur dy kate me më shumë se 100 kompjuterë, monitorë dhe dokumente, nuk mund të ishte punë e një apo dy individëve, por një aksion i mirëorganizuar.
Prandaj pyetja është: si u larguan dhe ku përfunduan të gjitha ato materiale? Tani do t’jua shpjegojmë të gjithën.
Ky zotëri është pronari i pallatit, i cili një natë përpara operacionit të SPAK-ut thotë se ka parë lëvizje nëpër ashensorë, duke i bllokuar këta të fundit. Pra, mashtruesit që kishin zyrat në katin e 13-të, të alarmuar nga informacioni që kishin marrë në minutën e fundit, po transportonin gjithçka duke zënë gjatë gjithë kohës ashensorët, aq sa i kanë rënë në sy edhe pronarit të ndërtesës.
Në këtë pikë tabloja është e qartë dhe, kur agjentët sekuestrojnë pamjet e kamerave të sigurisë së pallatit dhe i kthejnë pas në orën 21 të një nate më parë… Më mirë shikojini vetë…
Janë katër të rinj, të cilët hyjnë e dalin në zyrat e call center-it dhe mbledhin me shpejtësi kompjuterët, monitorët dhe dokumentet, duke i ngarkuar në karroca dhe bidonë të mëdhenj mbeturinash. Më pas, duke përdorur ashensorët, zbresin në garazh dhe aty i ngarkojnë të gjitha materialet në furgonë. Pastrimi i zyrave vijon për disa orë, deri kur mjetet e ngarkuara dalin nga kati nëntokësor i pallatit.
Në këtë mënyrë, drejtuesit e call center-it ishin të sigurt se kësaj radhe gjërat kishin shkuar vaj, duke harruar se në epokën që jetojmë, ku monitorohemi në çdo gjë dhe gjithçka, këto lloj arratisjesh mund të përfundojnë shpejt.
Agjentët e BKH kanë kontrolluar me durim për orë me radhë kamerat e sigurisë të bashkisë dhe bizneseve, duke nisur nga metrat e parë të daljes së makinave nga garazhi i kullës.
Deri kur janë ndalur në parkingun e njërës nga kullat më të bukura dhe luksoze të Tiranës, Down Town One. Agjentët ngjiten në katin e pestë të kullës, ku kapin në flagrancë pesë persona, të cilët po përpiqeshin të fshinin çdo të dhënë kompromentuese nga kompjuterët. Më pas i bllokojnë dhe i arrestojnë.
Kësaj radhe, po. SPAK ka qëlluar në shenjë.
Duke sekuestruar qindra hard disqe të jashtëm, USB, karta memorie, hardware që me shumë mundësi mbajnë mijëra të dhëna të personave të mashtruar, software të përdorur dhe, mbi të gjitha, password-et hyrëse në kasafortat dixhitale, ku mund të kenë përfunduar milionat e eurove të vjedhura nga ky grup kriminal.
Dhe një nga provat që na vërtetojnë që këto materiale i përkasin call center-it në katin e 13-të të Green Tower, ku ishte infiltruar njeriu ynë, janë këto tre telajo motivuese me të cilat ai u përball që në momentin e parë kur hyri për të punuar mes mashtruesve. Por ka edhe prova të tjera…
Si p.sh. bidonët e mbeturinave plot me materiale kompromentuese që mashtruesit i kanë ngarkuar në furgonë për t’i transportuar më pas në pallatin e ri.
Por ka edhe një befasi tjetër tronditëse.
Ndërsa agjentët kontrollojnë në të gjithë hapësirën e katit të pestë, përballen me një numër të pafund sallash, gati për të nisur punën. Qindra tavolina e karrige, kompjuterë të papërdorur ende në qese, televizorë po ashtu ende të paketuar, mobilje të sapomontuara. Një call center gjigant që në pak ditë pritej të vihej në punë me rreth 500 vende operatorësh dhe konsulentësh, gati për të rinisur mashtrimet me miliona euro.
Për fat të mirë, kjo veprimtari kriminale është bllokuar në kohë…
Ndërkohë që në prangat e SPAK-ut janë vënë tetë persona, mes tyre edhe Carlo dhe Enzo, dy nga kokat e këtij grupi mashtruesish.
Por puna jonë nuk ka mbaruar ende.
Në qarkullim, në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, në Shkodër, Fier, Vlorë, janë me qindra grupe të ngjashme kriminale, të cilët çdo ditë zhvasin miliona nga qytetarët evropianë./Piranjat






