Të zyrtarizohet grupi parlamentar 2B!
Së fundmi, brenda rilindjes në Parlament, është ravijëzuar një grup i ri parlamentar. Kryesisht me deputetet e reja, që janë aty vetëm më një qëllim, të bertasin për Belinda Ballukun, zyrtarisht e pandehur për abuzim me të paktën 1.1 miliardë euro.
Të kuptohemi, të gjithë deputetët e PS janë tërhequr nga veshi prej Belës dhe Palloshit dhe bëjnë çfarë u thonë ata për të mbrojtur korrupsionin, shkelur rregulloren e Kushtetutën.
Disa e bëjnë me koken ulur, si të zënë në faj, po ama janë disa syresh që të marrin gjak në vetull. A thua se kujdestarja e tyre i ka kursyer shtetit 1.1 miliardë euro dhe nuk i ka vjedhur, a thua se nuk ka intimiduar dëshmitarët, a thua se ka vepruar me minimumin e etikës politike e qytetare duke dorëzuar mandatin, imunitetin, e duke shkuar para drejtësisë.
Teksa ka kryer çdo shkelje të mundshme ligjore, kushtetuese, etike e morale, dhe mbahet me thonj për të mos lejuar drejtësi e barazi para ligjit, prapë Belinda ka grupin e saj të kamikazëve brenda PS, që e adhurojnë e hidhen në zjarr për të.
Ato nuk janë as Valentina Leskaj e as Ermelinda Meksi, apo zonja të tjera me stof në atë parti. Por janë të rejat, që janë aty enkas për t’u kthyer në parzmore dhe që nuk kanë asnjë mendim e aq më pak vizion.
Do ishte e udhës që në këto kushte, të legalizohej si grup i ri parlamentar.
Të konsolidohen e të ecin para. GRUPI 2B!






