Berisha: Mandati i Ballukut po kërcënon integrimin! Edi Rama po fsheh mesazhin ultimativ që mori në Bruksel
Kryetari i PD, Sali Berisha në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, u shpreh se, mandati i Lubi Ballukut po kërcënon seriozisht procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se po fsheh mesazhin ultimativ që mori në Bruksel.
Berisha theksoi se politika e pushtetit po shfrytëzon imunitetin dhe bllokon drejtësinë për të mbrojtur interesat e veta dhe të bashkëpunëtorëve, duke sakrifikuar integrimin evropian të vendit dhe të ardhmen e qytetarëve shqiptarë.
Berisha: Siç e shihni, këta të vetëquajtur parlamentarë, nuk kanë asnjë interes tjetër përveç interesave të tyre vetjake, përveç interesave të pasurimit të paligjshëm të tyre, të avokatisë të krimeve të tyre.
Sot, parlamenti nuk mund të trajtonte asnjë çështje tjetër përveç mandatit të Lubi Ballukut, mandat i cili po kërcënon sot procesin më jetik të qytetarëve shqiptarë.
Po kërcënon në mënyrë thelbësore, në mënyrë decizive integrimin tonë në BE.
Edi Rama si bashkëhajdut u fsheh shqiptarëve mesazhin ultimativ që mori në Bruksel për sa i përket mandatit të Lubi Ballukut.
Mesazhin e mori nga BE, autoritetet më të larta të këtij bashkimi, të cilat i bënë të qartë se referuar deklaratës së Presidentit të Bashkimit Europian, zotit Antonio Costa, u diskutua edhe për gjendjen kritike të Shqipërisë.
Ky është një moment kritik për fatin e të ardhmes tonë evropiane.
Edi Ramës në mëngjes pas këtij takimi, iu bë e qartë në takimin me përfaqësuesit më kryesore të BE, se nuk do të tolerohet në mënyrë absolute përdorimi i imunitetit për mbrojtjen e korrupsionit dhe bllokimi i kërkesave të prokurorisë për heqjen e imunitetit.
Pyetje: Cilat janë këto vende që kanë bërë presion?
Sali Berisha: Ato që udhëheqin dhe që përcaktojnë…
Pyetje: Për të qenë më specifikë…
Sali Berisha: Kanë qenë disa vende, unë nuk po i nxjerr meqenëse nuk bëhem dot zëdhënës i tyre.
Pyetje: A është Gjermania një ndër to?
Padyshim që Gjermania është vend kryesor dhe Gjermania, mendoj unë, me dy vizitat e fundit që janë bërë, të ministrit të jashtëm, që ishte vizitë rajonale, dhe të ministrit për çështjet evropiane, direkt në Shqipëri, ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë më tej bllokimin e drejtësisë.
Pasi ju duhet ta dini se në çdo kancelari, ato që ne dimë për AKSHI-n, ato që ne dimë për Lindën e Surrelit dhe Mirlindën e AKSHI-t, për baxhanakun e Ramës, Armand Frangun, ato janë vetëm maja e Surrelit, çfarë dinë të tjerët falë deponimeve, dëshmive jashtëzakonisht tronditëse të Gerond Meçes.
Dhe jo vetëm Gerond Meçes, sepse del që ka edhe dëshmitarë të tjerë të penduar që kanë bërë autopsinë.
Por duhet t’u them këtu, autopsinë më të plotë të AKSHI-t e ka bërë videoteka dhe fonoteka e Ergys Agasit. Ajo është një rezervuar krimesh monstruoze.
Aty janë të regjistruar ministra, Edi Rama vetë, gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të tjerë të lartë, të cilët janë delinkuentë.
Janë lule ato që dëgjoni për të tjerët në vendet e tjera, çfarë gjendet në videotekën dhe fonotekën se ky ka qenë një maniak, sa vije këmbën brenda zyrës së tij, të regjistronte zërin dhe të filmonte çdo gjë.
Pyetje: Nga e dini ju zoti Berisha?
Sali Berisha: Këto dihen. Unë mund të di edhe më shumë, por nuk dua ta devijoj diskursin, sepse diskursi duhet të mbetet tek qindra milionë euro që janë vjedhur nga Armand Frangu në emër të Edi Rarmës dhe Linda Ramës.
Nuk duhet të devijoj diskursin sepse skandalet e mëdha që kanë dalë aty. Aty janë kryer vrasje me porosi, janë kryer krime monstruoze, që të gjithë në funksion të pasurimit dhe fitimit të zgjedhjeve nga Edi Rama.
Pra, kemi të bëjmë me një përpjekje djallëzore për të shkelmuar interesat e qytetarëve shqiptarë në procesin e integrimit evropian, për t’i sakrifikuar për këto interesa dhe mbrojtur Edi Ramën, Lubi Ballukun dhe ndërprerë procesin e integrimit.
Por shqiptarët nuk do e pranojnë.
20 shkurti është dita e kryengritjes më të madhe në historinë e Shqipërisë, pas 20 shkurtit të vitit 1991.






