‘Rama po bën gjithçka të mbrojë Ballukun’, Ndoja: Mund të ndryshojë Kodin e Procedurës Penale
Debati i ndezur publik dhe politik rreth kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të ish-ministres Belinda Balluku duket se fsheh një prapaskenë më të thellë se thjesht një çështje individuale. Sipas deputetit të PD që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv Arjan Ndoja, e gjithë situata po shfrytëzohet nga mazhoranca si një pretekst për të ndërmarrë ndryshime thelbësore në Kodin e Procedurës Penale, një lëvizje që mund të ndikojë balancat e pushtetit dhe sistemin e drejtësisë.
Në kushtet kur një ndryshim kushtetues është praktikisht i pamundur pa konsensusin e opozitës, pasi kërkon 93 vota të cilat mazhoranca nuk i zotëron, vëmendja është zhvendosur drejt ligjeve organike. Objektivi konkret duket se është neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, i cili rregullon masat ndaluese për zyrtarët e lartë. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, deputeti demokrat tha se, “propozimi synon të përfshijë edhe ministrat nën të njëjtën mbrojtje procedurale që gëzojnë deputetët, duke barazuar statusin e tyre përballë ligjit në këto raste”.
Në rastin konkret të Ballukut, SPAK ka paraqitur dy kërkesa të ndryshme: një për masë ndaluese (pezullimin nga detyra) dhe një tjetër, më e rëndë, për arrestimin e saj. Sipas ekspertëve, kërkesa për arrestim, nëse do të ishte trajtuar me përparësi, do t’i jepte fund menjëherë debatit për pezullimin, pasi një person i arrestuar e ka objektivisht të pamundur të ushtrojë funksionet publike. Zvarritja dhe përqendrimi i diskutimit te masa më e lehtë interpretohet si një taktikë politike për të fituar kohë dhe për të krijuar hapësirën e nevojshme për ndërhyrjet ligjore të synuara.
Flavio Qarri: Pse duket sikur shoqëria jonë tani që është halli i Ballukut dhe Ramës, nuk dimë çfarë bëhet me atë që dyshohet që ka vjedhur?
Arjan Ndoja: Vetëm një saktësim nga pikëpamja ligjore. Domethënë që të ndryshosh kushtetutën duhen 93 vota. Nuk i ka sot qeverisja aktuale. Atëherë, ndryshim kushtetues nuk pritet të ketë në qoftë se nuk ka vullnet nga të dy palët. Nuk i arrin numrat edhe me partitë e tjera të vogla që rreshtohen si jashtë koalicioneve. Nuk i arrin. Janë 90. Po t’i llogarisësh të gjitha dhe aleatët tanë sikur ikën të gjitha kështu, kështu që nuk i arrin dot. Tani shtrohet problemi, tek pjesa e ndryshimeve të tjera me ligje që kërkojnë 3/5, siç janë kodi penal apo kodi i procedurës penale ku kërkohet të bëhet ndryshimi, ai neni 242, për masat ndaluese. Aty ai mundet t’i sigurojë numrat dhe mund ta bëjë këtë gjë.
Dhe thotë, masa e sigurimit është kufizim i lirisë së personit me qëllim vënien në dispozicion të organit procedues për një hetim të shpejtë dhe objektiv të çështjes. Jo thjesht kur ekzekutohet dënimi mbasi ka marrë vendimi formë të prerë…




