Gjekmarkaj: Rama hoqi maskën e fundit për të mbrojtur Ballukun! Kupa është mbushur!

Gjekmarkaj: Rama hoqi maskën e fundit për të mbrojtur Ballukun! Kupa është mbushur!

Nënkryetari i PD, deputeti Agron Gjekmarkaj, duke folur në protestën madhështore para kryeministrisë Edi Rama hoqi maskën e fundit për të mbrojtur Belinda Ballukun. Kupa është mbushur, tani nuk ka më alibi.

 

Ai tha se, jemi sot këtu, në këtë bulevard me emër historie për t’i kthyer Shqipërisë mbi një dekadë jetë të grabitur, krenarinë e nëpërkëmbur dhe shpresën e mohuar.

Fjala e Agron Gjekmarkajt

Vëllezër dhe motra, demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.

I nderuar profesor doktor Sali Berisha.

Sot nuk jemi mbledhur për një protestë të zakonshme. Sot jemi këtu, sepse këtij sistemi pa legjitimitet po i afrohet fundi. Sistemi i Rilindjes dhe Edi Ramës nuk ka më çfarë të prodhojë. Ka shkelur çdo premtim, nuk ka më asnjë alibi.

Ka dhunuar votën e lirë, ka zgjatur jetën e vet përmes manovrave të padenja, ka mbijetuar politikisht duke e shndërruar shtetin në instrument pushteti. Pasojat janë të qarta, eksod biblik i shqiptarëve, ekonomi e deformuar, shoqëri në ankth, shtet i kapur.

Një qeveri mund të qeverisë katër mandate vetëm duke bërë mrekulli për qytetarët. Këtu ndodhi e kundërta, njësimi i partisë me shtetin, blerja, dajaku, propaganda dhe shantazhi. Korrupsioni u shndërrua në mënyrë qeverisjeje, jeta publike u kriminalizua, shteti u mbyt nga babëzia.

Shqipëria 2030 është vetëm një sllogan.

Jeta e përditshme e shqiptarëve është një kthim pas, si në vitin 1976, e maskuar me fjalë, fjalë, fjalë dhe shantazh publik. Ne po sakrifikojmë për ëndrrën evropiane, një ëndërr për të cilën ky komb ka paguar shtrenjtë ndër shekuj, ndërsa pushteti aktual është gati të sakrifikojë Evropën, demokracinë dhe Shqipërinë vetëm për të shpëtuar veten.

Qytetarë të Republikës, jemi në një pikë kritike, kupa është mbushur. Në pushtet për të ruajtur veten është gati ta asgjësojë çdo nuancë të drejtësisë, ta marrë peng atë, të marrë peng parlamentin, të grisë kushtetutën nëpërmjet tiranisë së shumicës abuzuese. Ne nuk do ta lejojmë.

Dje Edi Rama hoqi dhe maskën e fundit, për të mbrojtur zëvendësen e vet Belinda Ballukun, për të mbrojtur veten dhe për të mbrojtur një labirint prej minotauri që e ka ndërtuar vetë, në të cilin po humbet shpresën një shoqëri e tërë. Në këtë labirint, alternativa e vetme që u ofrohet njerëzve është depersonalizimi, të mos mendosh, të mos ndjesh, të mos reagosh, të jesh i nëpërkëmbur, t’i bësh të gjitha këto siç i kërkon sistemi.

Kur drejtësia i nënshtrohet pushtetit, demokracia fillon të vdesë ngadalë.

Sot janë sosur kufijtë e durimit qytetar. Por njëkohësisht, kaq shumë, jemi në majën e dinjitetit tonë. Jemi këtu për të mbrojtur liritë e fituara, pluralizmin, shtetin ligjor, ekonominë e tregut, të ardhmen e fëmijëve tanë.

Jemi sot këtu, në këtë bulevard me emër historie për t’i kthyer Shqipërisë mbi një dekadë jetë të grabitur, krenarinë e nëpërkëmbur dhe shpresën e mohuar. Kjo është sprova jonë morale si opozitë, detyra jonë për të vërtetën, beteja jonë për shpresat dhe të ardhmen tonë evropiane.

Nga jugu në veri, qytetarët sot bëhen bashkë në ushtrimin e vështirë të demokracisë. Sepse demokracia nuk është dhuratë, është betejë, është përgjegjësi. Ajo fillon te qytetari dhe shuhet kur ne heshtim.

Prandaj ne jemi sonte këtu, të vendosur, të duruar, por të palëkundur. Ky popull fal shumë gjëra, por nuk fal mashtrimin, vjedhjen dhe arrogancën e pushtetit, që i detyron qytetarët të largohen nga atdheu i tyre.

Sa shumë jemi sonte! Një mrekulli e kurajos qytetare po ndodh në këtë bulevard.

Por historia na mëson se Shqipëria është shpëtuar në momentet më të rrezikshme, jo nga rastësia, por nga një projekt kombëtar i udhëhequr nga elitat dhe intelektualët e saj.

Në vitin 1990, kur historia po ndahej mes të shkuarës tiranike dhe të ardhmes në liri, studentët dhe intelektualët me në krye Sali Berishën themeluan Partinë Demokratike.

Jo thjesht si një parti të re, por si një projekt kombëtar i ripërtëritjes së Shqipërisë, një projekt që i riktheu vendit pluralizmin, dinjitetin dhe shpresën.

Dhe në këtë rrugë, ëndrra e shqiptarëve u shndërrua në thirrje, thirrje që na çon drejt rrënjëve tona të farkëtuara nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, drejt një Shqipërie si gjithë Evropa. Dhe në këtë rrugë, Shqipëria nuk është e vetme.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian mbështet demokracinë shqiptare dhe jo shurrin e saj. Ata kanë investuar tek liria dhe jo tek korrupsioni. Sot për fat të keq, një pjesë e elitave janë pa projekt, të tërhequr nga frika, të mbyllur në konformizëm, të heshtur përballë pushtetit.

Ne e kuptojmë këtë gjendje njerëzore, e respektojmë, por duhet thënë me ndershmëri, kur elitat heshtin, projektin kombëtar duhet ta marrin dhe po e marrin në dorë qytetarët e Republikës. Dhe sot në këtë shesh, ju jeni garancia morale dhe politike e lirive të intelektualëve e atyre që duhet të flasin por që kanë zgjedhur të heshtin.

Sonte bashkë me ne janë dhe ata që nuk janë fizikisht këtu, rezistenca e heshtur, ata që shohin tek secili prej jush zërin që u është mohuar. Historia jonë e ka provuar se në momentet më të errëta ky komb ka ditur të ringrihet.

Partia Demokratike i solli Shqipërisë lirinë, pluralizmin dhe orientimin perëndimor. Këto nuk janë privilegje, janë themele. Ne respektojmë mendimin ndryshe, edhe heshtjen, edhe frikën njerëzore, por fjala e lirë, dinjiteti dhe e vërteta sonte mbrohen nga ju.

Koha për të reaguar është tani, sepse vonesa në histori shpesh është kthyer në fatalitet. Shqipëria nuk ka më luksin e pritjes, ka vetëm detyrimin e guximit, guximin e misionarëve që sonte do ta bëjnë dhe po e bëjnë historinë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë, rroftë Partia Demokratike, rrofshi ju!

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :
Më keq se Vuçiçi’/ Berisha: Rama vuri sanksione ndaj Kosovës, çfarë duhet të bëjë tjetër të quhet kryetradhtar Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Foltoren në qytetin e Dibrës ka krahasuar qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj Kosovës si “më të rëndë se ai i presidentit serb Aleksandar Vuçiç”. Berisha tha se qeveria shqiptare ka mbajtur qëndrime që dëmtojnë interesin e Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon, duke përmendur takime dhe iniciativa rajonale që kanë synuar rishikimin e kufijve të Kosovës. Ai akuzoi Ramën për qëndrime politike në samite rajonale dhe për përdorim simbolikash, të cilat kanë përçuar mesazhe të gabuara për statusin e Kosovës. Berisha tha gjithashtu se Shqipëria ka mbajtur qëndrime të paprecedenta ndaj Kosovës, duke përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve, të cilat i cilësoi si të dëmshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas tij, veprime të tilla nuk kanë ndodhur më parë nga asnjë qeveri shqiptare dhe përbëjnë, siç u shpreh, devijim nga interesat kombëtare. Deklarata e plotë: Dibrane dhe dibranë, shqiptare dhe shqiptarë, mendoni pak. Mendoni pak çfarë i bëri Kosovës. Më tepër se Vuçiçi. Absolutisht më keq. Ja të ndalemi. Erdhi në pushtet, drejt e në Beograd. Nuk ishte me katër sy. Ishte me gjashtë sy, aty ishte dhe Batoni, ish-agjenti personal i Stankoviçit. Çfarë ra dakord aty? Çfarë u bë? Doli që Kosova duhet të dorëzojë territore. Doli që duhet të ndryshojnë kufijtë e Kosovës. Paçka se Kosova kishte fituar gjyqin ndërkombëtar. Paçka se në gjykatë ndërkombëtare nuk kishte paditur Kosova, kishte paditur Serbia, Kosovën. Dhe Kosova kishte, dhe Serbia kishte humbur gjyqin. Dhe gjykata i kishte njohur kufijtë ekzistues si kufi ndërkombëtar të Kosovës. Gjykata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po ato nuk i njihte Vuçiçi. Dhe tani duhet t’i vinte në diskutim edhe argati i tij. Dështoi me këtë. Shkoi në Novi Sad. Mos harroni kurrë atë hartë të vendosur në katedrën ku po flisnin, e cila tregonte Kosovën pjesë të Serbisë. Në qoftë se simbolet flasin, ai ishte simboli më i urryer ndaj shqiptarëve. Edi Rama fliste aty duke patur përpara një hartë në të cilën Kosova ishte shkrirë, s’ekzistonte më. Dhe këtë hartë e postoi në Facebook-un e tij. Cili ishte kuptimi? Kosova duhej të ndahej. Projekti i parë që thoshin, ja po ti kalojmë ca fshatra të të, aty Preshevës vijnë këtej, këto shkojnë andej e këto me radhë, absolutisht s’ishte asgjë tjetër, vetëm Serbia gjer tek Patrikana në Pejë, i merrte të gjitha ato territore. Ky projekt ishte i Slobodan Millosheviçit dhe e ka sjellë në zyrën time nëpërmjet ndërmjetësve nga Greqia dhe Turqia disa herë. Por natyrisht s’më shkonte mendja kurrë të pranohej. Dështoi dhe me këtë. Vuri sanksione, i pari në Evropë që vuri sanksione ndaj Kosovës. A mund të ndodhë kjo mor miq? Po çfarë duhet të bëjë tjetër më shumë të quhet kryetradhtar? Si moj i vure sanksione? Çfarë të bëri Kosova ty që i vure sanksione? Përveç respektit. Ju e dini çfarë respekti dhe adhurimi kanë për Shqipërinë. Paditi kryeministrin e Kosovës në gjyq, s’ka ndodhur kurrë. Një kryeministër të padisë kryeministrin tjetër. Ky po, e paditi. E paditi sepse natyrisht nuk mund të pranonte kurrë aktet e tij të copëtimit të Kosovës. Do hartonte ky, Paniç i ri, statutin e Asociacionit të komunave serbe si një shtrirje të shtetit serb në Kosovë. Po si mundet? Si mundet një shqiptar? Po se mori përsipër këtë as kryeministri i Maqedonisë, as i Bullgarisë, as i Rumanisë, asnjë! Si mundet ti të jetë një argat i verbër i Vuçiçit? Dhe Veriu i Kosovës tokë e askujt. Ta marrin në dorë KFOR-i. Do kthehet në kohën e bronzit. Se sipas tij Putini do hidhte armë bërthamore në Kosovë.