Dështimi i Eco Tirana, qindra milionë euro në plehra
Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të fondeve publike dhe fitimeve financiare të Eco Tirana, situata e menaxhimit të mbetjeve në kryeqytet mbetet problematike. Që nga krijimi i kompanisë në vitin 2016, premtimet për diferencim në burim dhe pastrim modern nuk janë përmbushur, ndërsa shpenzimet janë rritur dhe shërbimi ka mbetur i pjesshëm.
Qytetarë të Tiranës kanë sinjalizuar që prej muajve të verës për kosha plehrash të tejmbushur pranë lagjeve të tyre. Gjatë muajit dhjetor, ACQJ vëzhgoi në terren se si në kryeqytet, pranë shkollave, siç është rasti i Shkollës “Kosova”, kopshteve pranë rrugicës që lidh Myslym Shyrin me Unazën, dhe zonave të banuara si rruga e Kavajës, zona e Medresesë pranë tregut industrial dhe zona e shkollës “Mihal Grameno”, pirgjet e mbetjeve janë dëshmi e një kryeqyteti të pistë, që ka dështuar në menaxhimin e mbetjeve, edhe pse qytetarët paguajnë taksa dhe buxheti i shtetit nuk është kursyer me fonde.
Gjatë muajve të verës, koshat e tejmbushur, qeset plastike dhe bidonët e shpërndarë, mbi të gjitha era e rëndë, e bënin Tiranën të dukej larg një qyteti europian.
Ajo që është më e pakuptueshme është se fondet rriten, por mbetjet shtohen. Po pse Tirana ka dështuar në diferencimin dhe menaxhimin e mbetjeve?
Nëse do t’u referoheshim premtimeve të kryebashkiakut Veliaj, Tirana duhej të ishte një histori suksesi në pastërti. Në praktikë, ajo është kthyer në një shembull se si një reformë mund të dështojë, pavarësisht gllabërimit të parasë publike që vijon të bëhet. Në qendër të këtij dështimi qëndron kompania Eco Tirana, e prezantuar në vitin 2016 si zgjidhja moderne për pastrimin dhe diferencimin e mbetjeve urbane.
Eco Tirana dhe “revolucioni i gjelbër” që nuk u arrit asnjëherë
Eco Tirana u krijua në vitin 2016 si një kompani gjysmë-publike, ku 51% e aksioneve zotërohen nga Bashkia e Tiranës dhe 49% nga kompania italiane “AGSM AIM”. Prezantimi publik i saj u shoqërua me premtime të mëdha, duke nisur nga diferencimi i mbetjeve në burim, mbulimi i të gjithë territorit të qytetit dhe transformimi i Tiranës në një model europian, me synim një afat rekord prej 18 muajsh. Që në premtimin kohor, çdo ekspert dukej skeptik.
Kryebashkiaku Erion Veliaj e quante projektin një “hap historik drejt qytetit të gjelbër”, duke premtuar se Tirana do të ndahej nga kaosi i mbetjeve dhe do të hynte në një epokë të re të menaxhimit modern. Në daljet publike të asaj kohe, Veliaj fliste për “fundin e epokës së plehrave në rrugë” dhe për një sistem që do të funksiononte sipas standardeve më të mira europiane.
Por në të vërtetë, ajo që duhej të ishte fundi i një epoke, nuk ishte gjë tjetër veçse fillimi I njue epoke të re dështimi.
Fillimisht, Eco Tirana u ngarkua vetëm me pastrimin e të ashtuquajturës “zonë e kuqe”, një pjesë e kufizuar e qytetit. Zonat jashtë Unazës së Mesme vazhduan t’u jepeshin kompanive private. Diferencimi i mbetjeve, shtylla kryesore e projektit, nuk u zbatua kurrë.
Me vendimin e 27 shtatorit 2023, Bashkia e Tiranës ia zgjeroi për herë të parë territorin Eco Tiranës. Një tjetër ndryshim pasoi më 15 nëntor 2023, ndërsa në shkurt 2024 territori i pastrimit u shtri në pesë zona. Kontrata përfundimtare u lidh më 8 mars 2024.
Sot, Eco Tirana pastron vetëm rreth një të katërtën e qytetit, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga operatorë të tjerë. Megjithatë, as kjo “zgjidhje” e re nuk solli përmirësim të dukshëm në terren. Qytetarët vazhdojnë të raportojnë pirgje plehrash në kryeqytet.
Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, problemi i mbetjeve në Tiranë nuk është thjesht teknik.
“Nuk bëhet fjalë për një dështim aksidental, por për një dështim të prodhuar me vetëdije politike”, thotë ajo.
Tabaku thekson se Tirana kishte një zgjidhje funksionale që në vitin 2015, përmes projektit të GIZ për ndarjen e mbetjeve në burim.
“Ishte një model europian, me kosto të ulët dhe i zbatueshëm. Ky projekt u braktis qëllimisht dhe u zëvendësua me modelin e inceneratorëve, i cili bie ndesh me direktivat e Bashkimit Europian”, tha ajo.
Sipas saj, fakti që sot mbetjet përfundojnë të gjitha të përziera në landfill nuk është rastësi.
“Qëllimi nuk ishte ndërtimi i një sistemi pastrimi dhe riciklimi, por justifikimi i pagesave milionëshe përmes groposjes së mbetjeve. Tirana është e papastër sepse pastrimi u sakrifikua në funksion të një afere”, thotë Tabaku.
Pyetjes nëse një kompani e vetme mund të merrte përsipër një reformë kaq komplekse për një qytet me mbi një milion banorë, Tabaku i përgjigjet prerë: jo.
“Problemi nuk është kapaciteti i kompanisë, por modeli mbi të cilin ajo u ndërtua. Eco Tirana u konceptua si zgjatim operacional i skemës së inceneratorëve, në një treg pa konkurrencë reale”, shprehet ajo.
Sipas saj, në vend të një sistemi të decentralizuar, me edukim qytetar dhe ndarje në burim, u ndërtua një mekanizëm që thjesht grumbullon mbetje dhe taksa për t’i dërguar drejt një inceneratori që nuk ekziston.




