Qytetari: Shqipëria po humbet të rinjtë, shteti nuk funksionon, nuk mund të heshtim!
Në foltoren e radhës të PD, qyqtetari Marjan Geci, u shpreh se situata në vend është bërë e padurueshme dhe se qytetarët nuk mund të qëndrojnë indiferentë përballë varfërisë, papunësisë dhe emigracionit masiv.
Ai denoncoi keqfunksionimin e shtetit, rritjen e çmimeve dhe pasigurinë që përballen çdo ditë familjet shqiptare, duke theksuar se ikja e të rinjve është kthyer nga zgjedhje personale në refleks kolektiv.
Fjala e Gecit
Nuk mund të jetë më i tërhequr, sepse politika nuk është diçka abstrakte. Ajo ndikon në jetën e secilit prej nesh, dhe e kemi ne në dorë t’i themi stop kur shohim që na përzëjnë, na varfërojnë e na vjedhin përditë. Ndaj ne dalim në këtë foltore dhe në çdo protestë. Ne dalim sepse e ndjejmë se jeta në këtë vend po bëhet gjithnjë e më e vështirë, sepse ardhmja nuk ndërtohet më këtu kur mendohet diku tjetër. Dhe sepse ikja është kthyer nga zgjedhje personale në refleks kolektiv.
Jam këtu si një i ri që jeton çdo ditë me të njëjtat probleme dhe që jeton gjithmonë me shqetësimet dhe me të njëjtat llogari që në fund të muajit nuk dalin. Dhe pyetja është kjo: A ka ky vend, a ka ky shtet një vend për ne, apo duhet të mendojmë vetëm të ikim? Duhet t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje. Unë e di që shumë prej jush e bëjnë këtë pyetje, por indiferenca nuk është më zgjedhje. Ne jemi brezi që jemi rritur me idenë se Shqipëria është gjithmonë në tranzicion, gjithmonë në përmirësim, gjithmonë pak më mirë se dje. Por kurrë mjaftueshëm për të jetuar me dinjitet. Në fakt, sot është më keq se dje.
U mësuam të presim, të përshtatemi, të ulim pritshmëritë, derisa kuptuam se problemi nuk është durimi ynë, por një shtet që nuk funksionon për qytetarët e zakonshëm. Në lagjet tona nuk flitet më për luks; flitet për mbijetesë, flitet për prindër që punojnë dy punë dhe prapë nuk ia dalin. Flitet për të rinj që duan të ndërtojnë jetën këtu, por çdo muaj e kanë më të vështirë të qëndrojnë. Qiratë janë rritur, faturat janë rritur, çmimi i ushqimeve është rritur, vetëm rrogat kanë mbetur pas.
Shohim kulla dhe pallate çdo ditë që ndërtohen, por në asnjë moment nuk shohim siguri. Shohim reklama për zhvillim, por nuk shohim drejtësi për njerëzit e zakonshëm. Shohim 14 miliardë euro të vjedhura në pak vite, para të marra nga xhepat tanë dhe të përqendruara tek një pakicë, ndërsa shumica lufton për të mbyllur muajin. Na ka mësuar, ose janë përpjekur të na mësojnë, të ulim kokën, të pranojmë padrejtësinë si diçka normale. Të na thonë se nëse nuk ia del, nuk ke çfarë bën tjetër veçse të ikësh. Fajin e ka sistemi, e ka opozita, rrethanat, kushdo tjetër përveç atij që realisht ka përgjegjësinë.
Por e vërteta është kjo: kur shteti nuk funksionon për qytetarin, qytetari nuk ka më pse të heshtë. Është e drejta jonë, është detyra jonë të vijmë dhe të ngremë zërin. Ne jemi këtu për të bashkuar ata që punojnë, që paguajnë, që respektojnë rregulla dhe që kërkojnë vetëm një jetë normale. Jemi këtu kundër një modeli që i mban njerëzit gjithmonë në pritje, gjithmonë të pasigurt dhe gjithmonë të varur.
Partia Demokratike ka detyrimin të flasë për këta njerëz, jo vetëm në fushata, por çdo ditë. Të flasë për punën, për familjen, për sigurinë dhe për dinjitetin. Ne nuk premtojmë gjëra të pamundura. Premtojmë rregulla të barabarta për të gjithë. Premtojmë një shtet që nuk shkel mbi kokë, por lë hapësirë të ndërtojmë jetën me punë të ndershme. Do të jemi këtu çdo të hënë dhe çdo ditë tjetër. Do të jemi këtu më 10 shkurt, më të shumtë se kurrë, për t’i thënë qartë që askush nuk mund të tallet më me ne. Për të garantuar këtij vendi një të ardhme me dinjitet dhe për ta quajtur Shqipërinë sërish shtëpinë tonë të munguar.




