Ujërat e ndotura/ Miliona euro për impiante që s’funksionojnë! Qeveria u kalon barrën bizneseve private

Ujërat e ndotura/ Miliona euro për impiante që s’funksionojnë! Qeveria u kalon barrën bizneseve private

Ndërsa impiantet publike të trajtimit mungojnë ose nuk funksionojnë, qeveria u kalon barrën bizneseve private, duke i detyruar të investojnë mijëra euro dhe duke i gjobitur për një shërbim që shteti ka detyrimin ligjor për ta garantuar.

Gjatë verës së vitit 2023, qeveria shqiptare deklaroi emergjencë mjedisore në zonat bregdetare, duke argumentuar se ndotja e ujërave kërcënonte shëndetin publik dhe turizmin.

Fill pas kësaj, në fund të dhjetorit 2023, qeveria miratoi një akt normativ, që u pasua me miratimin e një udhëzimi të përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe asaj të Turizmit, iniciativa ligjore që i hapën rrugë gjobëvënies së subjekteve private.

Në kundërshtim me aktin normativ të qeverisë, i cili synonte vetëm miratimin e rregullave teknike për trajtimin e ujërave të ndotura nga subjektet që nuk janë të lidhura me rrjetin publik, udhëzimi i firmosur nga Balluku dhe Kumbaro zgjeroi në mënyrë arbitrare rrethin e subjekteve, duke përfshirë të gjitha bizneset, pavarësisht se kishin kontrata të lidhura me rrjetin publik të ujësjellës-kanalizimeve.

Të dhënat e “shteg.org” tregojnë se mbi 115 subjekte u gjobitën gjatë vitit 2025 dhe vlera totale e ndëshkimit të vendosur nga inspektorët e ujësjellës-kanalizimeve ishte mbi 2 milionë euro. Numri i gjobave dyshohet të jetë më i lartë dhe të dhënat e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se gjobat e inspektorëve të AKU-së janë kundërshtuar në gjykatat administrative.

Ndërkohë, dy organizata që veprojnë në turizëm kanë paditur qeverinë në Gjykatën Kushtetuese duke argumentuar se udhëzimi i dy ministrive cenon rëndë të drejtat dhe interesat legjitime të subjekteve private, pasi imponon investime të detyruara për impiante private trajtimi në vlerën e 150,000 eurove, shoqëruar me gjoba të rënda dhe masa ekzekutive të menjëhershme për pezullim ose mbyllje aktiviteti, edhe kur subjektet kanë respektuar plotësisht kontratat me operatorët publikë të ujësjellës-kanalizimeve.

Qeveria shpërndan barrën e trajtimit të ujërave tek bizneset

Në ditën e parë të punës së Kuvendit, më 3 janar 2024, në sekretari u depozitua kërkesa e qeverisë për miratimin e një akti normativ që synonte zgjidhjen e një herë e mirë të çështjes së ujërave të ndotura në vend, sidomos në zonën bregdetare.

Qeveria, duke iu referuar Nenit 101 të Kushtetutës, që në kushte emergjente i lejon vendimmarrjen qeverisë, kishte miratuar më 28 dhjetor 2023, Aktin Normativ Nr. 8 për marrjen e masave për trajtimin e ujërave të ndotura që shkarkohen në ujëra larëse.

Ndërhyrja justifikohej me emergjencën mjedisore që institucionet përgjegjëse të qeverisë kishin konstatuar gjatë sezonit turistik të atij viti.

“Situata emergjente u konstatua nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e mjedisit, kryesisht gjatë sezonit turistik veror 2023, ku ndotjet e dukshme mjedisore, shkarkimet e pakontrolluara në ujëra larëse dhe problemet me gropat septike, krijonin një ambient të ndotur, me pasoja për shëndetin e njerëzve dhe me efekt negativ në klimën e turizmit” – thuhet në relacionin dërguar Kuvendit, ku si shkaktar kryesor të ndotjes mjedisore ishin identifikuar rreth 9 mijë subjekte tregtare në mbarë vendin.

Dy komisione parlamentare, ai i çështjeve ligjore dhe për veprimtaritë prodhuese, e miratuan aktin në dy mbledhje të zhvilluara në platformat online, në datat 16 dhe 17 janar, dhe 5 ditë më vonë, ky akt normativ u miratua edhe nga mazhoranca parlamentare socialiste.

Po me kaq urgjencë vepruan edhe dy ministritë e linjës, që propozuan vendimin qeveritar.

Dokumentet tregojnë se në ditët e para të shkurtit 2025, dy ministret, Kumbaro dhe Balluku nënshkruan një udhëzim i cili detyronte çdo operator turistik që ushtron aktivitetin pranë ujërave larëse, të vendosnin impiante për trajtimin e ujërave të ndotura, një investim ky që varion nga 40,000 – 150,000 euro.

Për të garantuar zbatimin e udhëzimit, u ndërtua dhe një “task-forcë”, e përbërë prej 48 punonjësish me një buxhet prej 323.8 milionë lekësh, detyra e të cilëve ishte të kontrollonin terrenin.

Në kundërshtim me aktin normativ, që fliste për rreth 9,000 subjekte që ushtronin aktivitetin pranë zonave ujore, në udhëzim dhe në deklaratat e tyre ministrat flisnin për detyrimet që kishte çdo subjekt për vendosjen e impianteve.

“Nga sot, 90 ditë afat për të gjithë subjektet, që të vendosin impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura. Ndëshkim deri në pezullim për këdo që abuzon” – shkruante zv/kryeministria Balluku në shkurt 2025, duke pritur që sezoni turistik i atij viti të na gjejë me ujëra akoma më të pastër në det, liqen apo lumenj.

Menjëherë pas kësaj inspektorët e task-forcës u shpërndanë në tërë vendin.

Për Olsi Nikan, drejtorin e organizatës Eco Albania, akti normativ por dhe marrëveshjet e nënshkruara nga dy ministritë e linjës, ishte një nismë që legjitimoi grabitjen e biznesve.

“Kjo nismë ligjore ngre shqetësime serioze për mënyrën se si trajton bizneset, pasi krijon një situatë të pabarabartë dhe me kosto të lartë financiare. Në praktikë, subjektet vendosen përballë dy alternativave të vështira: ose të përballen me gjoba që mund të arrijnë deri në vlerën e impiantit, ose të detyrohen të realizojnë investimin përkatës, pa ofruar një mekanizëm të arsyeshëm ndërmjetësues apo mbështetës. Një qasje e tillë rrezikon të perceptohet si e padrejtë dhe penalizuese ndaj sektorit privat.” – thotë për “shteg.org” Nika, sipas të cilit detyrimin për përpunimin e ujërave të ndotura e ka shteti, dhe jo subjektet private.

“Furnizimi me ujë dhe largimi i ujërave të përdorur është një atribut, është një detyrim ligjor i shtetit përmes ndërmarrjeve që shteti i ka ngritur në bashki, në njësitë e qeverisjes vendore. Kështu ka qenë që në Romën e lashtë, në qytetet e tjera që u ndërtuan më pas, në revolucionin industrial kur edhe ujërat filluan të ndoteshin edhe në Londër e njëjta gjë u ndoq. Pra është një shërbim që duhet ta ofrojë shteti” shpjegon drejtori i Eco Albania.

Por, kjo nuk e pengoi Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku të zhvillojë ture në mbarë vendin për të ndjekur nga afër zbatimin e aktit normativ për trajtimin e ujërave të ndotura nga subjektet hoteliere që operojnë gjatë vijës bregdetare.

Monitorimi i vendosjes së impianteve për trajtimin e ujërave u mbështet edhe nga kryeministri Edi Rama i cili në postimet në rrjetet sociale tregonte suksesin e grupit të task-forcës.

Dhe pse çdo operator turistik është i detyruar të nënshkruajë kontratë me Ujësjellës-Kanalizimet për përpunimin e ujërave të ndotura, dhe bashkitë kanë detyrimin ligjor për vendosjen e impianteve, në kulmin e sezonit turistik bizneset u gjobitën nga aksionet masive që kryen inspektorët e task-forcës.

Në të dhënat zyrtare rezulton se mbi 115 subjekte u gjobitën në një vlerë që shkonte më shumë se dy milionë euro, disa prej tyre edhe gjatë sezonit turistik.

Shumë pronarë deklaruan se gjobat ishin të larta, selektive dhe shpesh të lidhura me ndikime politike dhe financiare, duke krijuar një atmosferë ku emergjenca shërbeu më shumë si justifikim për presion ekonomik sesa për mbrojtje reale mjedisore.

Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve në një përgjigje zyrtare i tha “shteg.org” se inspektorët e task-forcës nuk kanë vendosur asnjë masë për heqjen e licencës së subjekteve që nuk kanë vendosur impiante kushtueshme.

Por ky institucion refuzoi të japë informacion mbi numrin e gjobave të vendosura nga marsi i 2024 deri në nëntor të 2025. Zyra e shtypit të këtij institucioni ofroi vendimin e qeverisë, por pa bërë transparencë asnjë vendim tjetër të marrë nga inspektorët në dëm të operatorëve privatë.

Por të dhënat e hapura tregojnë se që prej miratimit të aktit normativ në fund të vitit 2023, me qëllim mbrojtjen e ujërave nga ndotjet e subjekteve, deri në gusht të vitit 2025 janë vënë gjithsej 115 masa administrative.

Masat administrative dyshohet se mund të jenë më të larta dhe dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se shumica e këtyre akteve janë kundërshtuar në gjykatat administrative. Referuar kërkesave të padive, operatorët turistikë janë gjobitur edhe pse disa dispononin kontrata me operatorë privatë për vendosjen e impianteve, apo dhe me ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve për përpunimin e ujërave të ndotura.

Impiantet, një biznes në lulëzim

Namik Sadiku është ndër operatorët turistikë, në Shkëmbin e Kavajës, që u gjobit me 24 milionë lekë më 18 shtator 2024 nga inspektorët e Task Forcës. Ai zotëron një të tretën pjesë të një pallati-kompleks me 200 hyrje. Dokumentet tregojnë se për ushtrimin e aktivitetit të tij, Namiku ka një kontratë me Ujësjellës-Kanalizime Durrës dhe ujërat e ndotura i shkarkon vetëm në rrjetin e kanalizimeve, shërbim për të cilin ai paguan çdo muaj.

Por pavarësisht se kishte nënshkruar çdo dokument dhe kryente çdo pagesë me ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimit të Durrësit, pa përfunduar ende sezoni turistik, në dyert e kompleksit u shfaqën inspektorët e kësaj ndërmarrjeje.

“Erdhën 3 djem dhe gjatë kohës komunikonin me të tjerët ku duket se merrnin urdhra. Pa më shpjeguar se çfarë akti bëhej fjalë, vendosën gjobë” – tregon për “shteg.org” Namik Sadiku.

Gjatë kontrollit, inspektorët konstatuan se në kompleks nuk ishte vendosur impianti i trajtimit të ujërave të ndotura, siç edhe urdhërdhëronte akti normativ i qeverisë.

Dhe pse Namiku ushtronte aktivitetin e tij me të paktën 3 bashkëaksionerë në të njëjtin godinë, inspektorët gjobitën vetëm Namikun me 24 milionë lekë të vjetra.

“Gjobat po vendosen në mënyrë subjektive. Në të njëjtin pallat, ndërtuesi ka 50 dhoma dhe nuk ka marrë asnjë gjobë” – tregon Namik Sadiku mbi gjobën, e cila i “rrëmbeu” gjithçka që ai kishte futur gjatë sezonit turistik të 2024.

Drejtori i Eco Albanian detyrimin e bizneseve për të vendosur impiante nuk e sheh si një nismë të qeverisë për të përmirësuar cilësinë e ujit në vend, por si detyrim për të shitur impiante, të cilat sipas tij nuk janë zgjidhje e problemit të ndotjes së ujërave.

“Nga pikëpamja teknike dhe rregullatore, decentralizimi i trajtimit të ujërave të përdorura në nivel njësie individuale (on-site treatment systems) paraqet një rrezik të shtuar për fragmentimin e kontrollit të ndotjes. Ndryshe nga impiantet e centralizuara publike të trajtimit të ujërave të ndotura (WWTP), të cilat operojnë mbi bazën e standardeve të unifikuara, protokolleve të mirëmbajtjes dhe monitorimit të vazhdueshëm, shpërndarja e dhjetëra apo qindra impianteve të vogla krijon një shumësi pikash potenciale të shkarkimit jo-konform. Kjo rrit probabilitetin e mosrespektimit të parametrave të lejuar për BOD, COD, lëndë pezull, nutrientë apo ndotës të tjerë specifikë.

Për më tepër, kapaciteti i strukturave inspektuese për të kryer monitorim sistematik, të shpeshtë dhe në kohë reale në një sistem kaq të difuz është i kufizuar praktikisht. Kontrolli i performancës operacionale, i cikleve të mirëmbajtjes dhe i përputhshmërisë me kushtet e lejes mjedisore bëhet shumë më kompleks, duke ulur sigurinë e trajtimit efektiv dhe të qëndrueshëm të ujërave” – shpjegon Nika.

Investimi për instalimin e një impianti varion nga 40,000 – 150,000 euro, një shumë që sipas pronarëve të subjekteve është shumë e lartë duke marrë parasysh faktin që vendosja e impianteve që trajtojnë ujërat e ndotura është detyrim dhe funksion i bashkive të ushtruar përmes Ujësjellës-Kanalizimeve.

“Legjislacioni EU përcakton qartë që trajtimi i ujërave të ndotura është detyrim ligjor i shtetit dhe komunave, jo i biznesit përvetës. Shumë biznese janë të lidhura tashmë me rrjetin ose kanë gropa septike të miratuara në lejet e ndërtimit, dhe nuk mund të detyrohen të investojnë sërish në sisteme të reja pa rimbursim.” – thotë për “shteg.org” kreu i shoqatës së operatorëve turistikë, Zak Topuzi.

Ndërsa Olsi Nika thotë se janë njësitë e qeverisjes vendore që duhet të trajtojnë ujërat e përdorura dhe mbetjet e ngurta urbane të gjeneruara në territorin e administrimit të tyre, ndërsa detyrimi i bizneseve për vendosjen e impianteve nuk është gjë tjetër veçse një skemë biznesi.

“Këto lloj nismash ligjore paraqiten si masa për përmirësimin e cilësisë së ujërave të ndotura, por në thelb nuk garantojnë arritjen e qëllimit të shpallur. Në skenarin më optimist, ndikimi i tyre mbetet minimal, pasi detyrimi u adresohet vetëm bizneseve, të cilat përbëjnë më pak se gjysmën e njësive që gjenerojnë ujëra të përdorur, duke lënë jashtë një pjesë të konsiderueshme të burimeve të shkarkimit, si njësitë e banimit. Në këto kushte, përmirësimi sistemik i cilësisë së ujërave larës është i kufizuar. Në skenarin më problematik, një qasje e tillë mund edhe ta përkeqësojë situatën, duke promovuar një model trajtimi të fragmentuar dhe difuz, që rrit numrin e pikave potenciale të ndotjes dhe e bën monitorimin efektiv të vështirë. Kjo krijon dyshime të arsyeshme se nisma të tilla mund të mos jenë të orientuara primarisht drejt përmirësimit të parametrave mjedisorë, por drejt favorizimit të tregtimit të impianteve individuale, pa siguruar domosdoshmërisht rritje reale të cilësisë së ujërave” – shpjegon Nika.

Dokumentet tregojnë se në kulmin e operacioneve të inspektorëve të ujësjellës-kanalizimeve, kompani të njohura në fushën e ndërtimit filluan të ofronin shërbimin e vendosjes së impianteve.

Një ndër kompanitë që vetëreklamohet si lider në fushën e ujësjellës-kanalizimeve dhe menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri është “Water Treatment Albania”. Kompania është pjesë e Ismailaj Group, e njohur për investimet në infrastrukturë dhe në sektorin e ndërtimit.

Një tjetër subjekt që operon në këtë fushë është WAST WATER STORE, e njohur më parë si “Water Shop”, e themeluar më 3 qershor 2024. Kjo shoqëri ka lidhur kontrata me dy subjekte dhe ka pësuar një zgjerim të rëndësishëm të objektit të veprimtarisë së saj. Më datë 19 qershor 2024, objekti fillestar, i cili përfshinte import-eksportin dhe tregtimin e aparaturave për trajtimin e ujit të pijshëm, u ndryshua dhe u zgjerua për të përfshirë import-eksportin dhe tregtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, si me shumicë ashtu edhe me pakicë. Ky zgjerim erdhi pas miratimit të Aktit Normativ nr. 8.

Një kompani e tretë është Ecosoft Albania, e cila në faqen e saj reklamon vendosjen e disa impianteve në jugun e vendit. Kompania zotërohet nga “TEOREN” e cila, sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit ka shtuar në aktivitetin e saj tregtar vendosjen dhe mirëmbajtjen e sistemeve hidraulike dhe elektrike.

Shoqëria e përmendur në dy nga tetë subjektet që paditën AKUK është ISEC SHPK e themeluar më 5 janar 2014.

Nga verifikimet e gazetarëve të “shteg.org” rezulton se subjektet e listuara më sipër janë ato që ofrojnë impiante për trajtimin e ujërave të ndotura dhe gjithashtu janë subjektet që kanë lidhur më shumë kontrata gjatë vitit të fundit.

Asnjëra prej kompanive nuk iu përgjigj pyetjeve për koment, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Turizmit deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kanë komentuar pasojat e shkaktuara tek biznesi nga udhëzimi i firmosur prej dy ministrave, Balluku dhe Kumbaro.

Dy ministri, një udhëzim dhe një barrë e paligjshme për biznesin

Credits: Faqja zyrtare e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku – Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro gjatë miratimit të udhëzimit të përbashkët për detyrimin e bizneseve në vendosjen e impianteve

Gjykata e Shkallës së Parë nuk i dha të drejtë Namik Sadikut, por dokumentet tregojnë se ai nuk ishte i vetmi operator turistik që iu drejtua gjykatës për shfuqizimin e gjobave të vendosura nga inspektorët e ujësjellës-kanalizimeve.

“Shteg.org” pati të paktën 13 vendime administrative ku pala e paditur nga operatorët turistikë ishte agjencia e Ujësjellës-Kanalizimeve; inspektorët e të cilëve kanë vendosur gjoba që varionin nga 15 milion deri në 24 milion lekë të vjetra, ndërsa të dhënat tregojnë se ndaj këtij institucioni janë ngritur mbi 58 procese gjyqësore.

Ilirian Tasellari, i rikthyer në Shqipëri në vitin 2010 dhe që ka hapur një subjekt që operon në fushën e turizmit, thotë se udhëzimi i përbashkët mes ministrive i lejon inspektorët të marrin masa edhe ndaj subjekteve të lidhura me rrjetin publik të kanalizimeve.

Sipas tij, udhëzimi i nënshkruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po prodhon pasoja të rënda ekonomike dhe juridike për mijëra biznese turistike, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tij.

Udhëzimi, i cili në pamje të parë synon të rregullojë standardet teknike për trajtimin e ujërave të ndotura pranë ose në ujëra larëse, ka shkuar shumë përtej këtij qëllimi, duke krijuar detyrime të reja, të kushtueshme dhe të paautorizuara me ligj.

Në bazë të nenit 5 të Aktit Normativ nr. 8, datë 28.12.2023, ministritë ishin të autorizuara vetëm për të miratuar rregulla teknike. Megjithatë, përmes nenit 6 të Udhëzimit të Përbashkët, është zgjeruar në mënyrë arbitrare rrethi i subjekteve që i nënshtrohen detyrimit për instalimin e impianteve private të trajtimit të ujërave të ndotura.

“Subjektet që ushtrojnë veprimtari ekzistuese, janë në proces ndërtimi ose kanë aplikuar për leje ndërtimi, të lidhura ose jo me rrjetin publik të kanalizimeve, duhet të instalojnë impiante të trajtimit të ujërave të ndotura…” thuhet në udhëzim.

Ky formulim përfshin edhe bizneset që janë të lidhura me rrjetin publik të ujësjellës-kanalizimeve (UK) dhe që, sipas ligjit, paguajnë rregullisht për shërbimin e trajtimit të ujërave të ndotura nga operatorët publikë.

Sipas kuadrit ligjor ekzistues, trajtimi i ujërave urbane është funksion publik, që realizohet nga shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në varësi të bashkive. Vetë materiali shpjegues i Aktit Normativ nr. 8/2023 e pranon qartë se problemi kryesor lidhet me zonat: “që mbulohen pjesërisht me rrjet kanalizimesh” dhe ku subjektet “përdorin zgjidhje të papërshtatshme individuale, si gropat septike” – sqaron akti normativ.

Megjithatë, me nënshkrimin e përbashkët të udhëzimit, dy ministritë kanë vendosur që edhe subjektet që kanë kontrata me ndërmarrjet e ujësjellësve kanalizime detyrohen të ndërtojnë impiante private.

“Ndodh që një biznes e trajton ujin siç duhet, tjetri ngjitur nuk mund ta trajtojë sepse s’ka para për ta mirëmbajtur siç duhet, në fund do derdhin në të njëjtin kolektor, edhe shtëpisë dhe uji do të jetë po njësoj i ndotur. Këtu del që qëllimi nuk na qenka ky, qëllimi është i pastër ‘hajde të shesim impiante’. Kjo është një skemë e pastër për të shitur impiante dhe jo për të patur një cilësi shumë të mirë, apo të mirë të ujërave larës.” – thotë Nika.

Ndërsa operatorët turistik enden dyerve të gjykatave, dy organizata përfaqësuese të sektorit të turizmit iu drejtuan zyrës ligjore “Respublika” për të ngritur një padi në Gjykatën Kushtetuese, ku akti normativ i qeverisë konsiderohet antikushtetues, i paligjshëm dhe i dëmshëm, jo vetëm për operatorët turistikë, por edhe për interesin publik mjedisor.

Udhëzim antikushtetues

Operatorët turistik të grupuar në dy organizata iu drejtuan Qendrës së ResPublika për të kërkuar shfuqizimin e udhëzimit të dy ministrive të miratuara në kuadër të Aktit Normativ nr. 8.

Sipas tyre, ishte pikërisht Neni 6 i Udhëzimit i cili i detyronte subjektet e strukturave akomoduese, edhe kur ato janë të lidhura me rrjetin publik të ujësjellës-kanalizimeve, të instalojnë impiante private të trajtimit të ujërave të ndotura.

Shoqatat argumentuan për juristët se këto biznese paguanin tarifë mujore për trajtimin e ujërave të ndotura dhe se detyrimi për të ndërtuar impiante private për të njëjtin shërbim përkthehet në kosto të dyfishta.

Pas shqyrtimit të çdo procesi vendimmarrje, studioja ligjore pranoi kërkesën e operatorëve duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për pezullimin dhe shfuqizimin e pjesshëm të nenit 6 të Udhëzimit të dy ministrive, “Për miratimin e rregullores teknike mbi standardet për trajtimin e ujërave të ndotura për subjektet që shkarkojnë ujëra të ndotur dhe të patrajtuara pranë ose në ujëra larëse”, dhe konkretisht të frazës “…të lidhur ose jo me rrjetin publik të kanalizimeve”.

“Kjo kërkesë bazohet në faktin se neni 6 i marrëveshjes imponon detyrime që janë antikushtetuese në formë dhe përmbajtje, dhe cenojnë të drejtat ligjore, ekonomike dhe mjedisore të subjekteve të lidhura me rrjetin publik të ujësjellës-kanalizimeve” – thuhet në kërkesën e avokatëve Dorian Matlija dhe Irene Dule, drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Sipas avokatëve, zbatimi i nenit 6 ka prodhuar pasoja të menjëhershme dhe të pakthyeshme për mijëra operatorë të lidhur me rrjetin publik, të cilët po përballen me detyrimin për investime prej 40,000–150,000 euro që nuk kthehen, me gjoba të rënda që ekzekutohen menjëherë, me rrezikun e pezullimit të aktivitetit dhe me vendosjen e tabelave poshtëruese, duke cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtën e pronës, lirinë ekonomike, reputacionin profesional dhe pritshmëritë legjitime.

Nga pikëpamja mjedisore, avokatët theksojnë se detyrimi për impiante individuale nuk sjell përfitim publik. Sipas tyre, impiantet private shpesh përzihen në rrjetin publik, duke rritur rrezikun e ndotjes dytësore dhe duke krijuar një iluzion administrativ, që largon vëmendjen nga ndotësit realë dhe ul motivimin për mirëmbajtjen e impianteve publike.

“Raportet e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitet 2021–2022 tregojnë se ndotësit kryesorë të ujërave bregdetare janë shkarkimet e UK-ve dhe ndotjet industriale, jo strukturat akomoduese të lidhura me kanalizimet,” – thuhet në dokument.

Kërkesa nënvizon se trajtimi i ujërave të ndotura është funksion i bashkive, i ushtruar përmes UK-ve, dhe transferimi i detyrimeve te subjektet private shkel parimin e subsidiaritetit dhe nenet 13 dhe 108 të Kushtetutës.

“Udhëzimi përmbys këtë strukturë kushtetuese duke i transferuar detyrimet publike te subjektet private, pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me parimin e subsidiaritetit” – argumentojnë avokatët të cilët në emër të dy organizatave kërkojnë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e Neni 6 të Udhëzimit të dy ministrive.

Avokatët në emër të dy organizatave kërkojnë edhe pezullimin e menjëhershëm të detyrimeve që rrjedhin nga ky nen për subjektet e lidhura me rrjetin publik.

“Përgjegjësia duhet të qëndrojë aty ku ligji e parashikon, tek shteti dhe institucionet publike,” – përfundon kërkesa sipas të cilës pezullimi i menjëhershëm dhe shfuqizimi i pjesshëm të nenit të kundërshtuar do të sillte jo vetëm shpëtimin nga mbyllja të dhjetëra bizneseve, por edhe do përmirësonte objektivin për mbrojtjen e mjedisit.

Miliona euro për impiante që nuk funksionojnë

Në vitin 2023, kur u iniciua nisma e qeverisë që ia kalonte barrën sektorit privat për trajtimin e ujërave të ndotura, Shqipëria u promovua si një histori suksesi turistik me mbi 9 milionë vizitorë dhe cilësia e ujërave larëse arriti nivelin më të keq të dekadës së fundit. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbuloi se investimet në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane kanë ardhur në rënie nga viti në vit, ndërsa fondet publike janë përdorur kryesisht për të mbajtur në funksion impiantet ekzistuese, jo për të ndërtuar kapacitete të reja.

Qeveria shqiptare ka investuar mbi 112 milionë euro për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura, ndërsa 100 milionë të tjera janë shpenzuar për një impiant që nuk ekziston, si ai i Kasharit.

“Impianti i trajtimit të ujërave të përdorur të Qytetit të Tiranës nuk është vënë në funksion, nuk i mbledh ujërat, të bëjë trajtimin siç duhet, nuk ka, nuk ekziston fare.

Pellgu i Ishmit i vuan, pra të gjithë këta lumenj grumbullohen në Ishëm dhe aty derdhen, derdhen në det të patrajtuara. Lana është më emblematiku sepse është me të vërtetë një kolektor i madh i ujërave të përdorur” – thotë Olsi Nika.

Edhe pse numërohen 16 impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, vetëm 10% e popullsisë e merr këtë shërbim, ndërsa ujërat e zeza dhe industriale vijojnë të shkarkohen në lumenj e dete, duke krijuar dëme të pallogaritshme për mjedisin dhe shëndetin e popullsisë.

“Për të tretin vit radhazi, raportet e Agjencisë Europiane të Mjedisit evidentojnë Shqipërinë ndër vendet me performancën më të dobët sa i takon cilësisë së ujërave larës. Vlerësimet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e tyre klasifikohet në kategori “e dobët” ose “e pamjaftueshme”, çka lidhet drejtpërdrejt me mungesën e eficiencës në trajtim dhe me mungesën e impianteve funksionale në zona të caktuara. Ndërkohë, fokusi publik është përqendruar kryesisht në zonat bregdetare, ku nevoja për impiante trajtimi është e qartë. Megjithatë, ndotja ka karakter difuz dhe buron shpesh nga brendësia e territorit. Shkarkimet urbane dhe industriale në basenet lumore transmetohen përmes lumenjve deri në det, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujërave bregdetare. Kjo nënvizon nevojën për një qasje të integruar në nivel pellgu ujëmbledhës, dhe jo vetëm për ndërhyrje të fragmentuara në vijën bregdetare” thotë Olsi Nika.

Ndërsa Aleko Miho, profesor i Botanikës dhe ekspert i mjedisit në Universitetin e Tiranës, thotë për “shteg.org” se kur ujërat e zeza nuk mblidhen dhe trajtohen siç duhet, ato kthehen në burime të rëndësishme ndotjeje për ujërat sipërfaqësore, ujërat nëntokësore, si dhe për ujin e pijshëm. Ai thekson se këto shkarkime janë burim infeksioni dhe sëmundjesh për ekosistemet ujore dhe për njeriun.

Sipas Mihos, kjo situatë është krijuar nga menaxhimi i pamjaftueshëm i mbetjeve urbane nga bashkitë, si dhe nga ndotja që vjen nga shkarkimet e ujërave të ndotura dhe mbetjeve industriale, të ndërtimit, urbanizmit, infrastrukturës turistike, rrugëve dhe minierave.

“Njerëzit bien në kontakt me ujë të papastër, sidomos ujë të pijshëm dhe jo të sigurt, mund të pësojnë infeksione bakteriale që çojnë deri në vdekje. Sëmundjet bakteriale më të rëndësishme që transmetohen përmes ujit janë kolera, ethet tifoide (nga salmonellat) dhe dizenteria bacilare (nga shigellat) dhe diarre akute dhe shqetësime të stomakut (nga koliformët fekalë)” – përfundon Aleko Miho./ Shteg.org

Share it :