Një kameleon që flet në emër të Shqipërisë

Një kameleon që flet në emër të Shqipërisë

Nga Agim Nesho

Edi Rama, sot në Tel Aviv tregoi që qëllimi i tij i vetëm është të tërheqë vëmendjen si showman, pa menduar që shumë njerëz e kanë parë këtë shfaqje në kohë, me personazhe të ndryshëm dhe me përshtatje të fortë me audiencën, për të tërhequr duartrokitje. E kemi parë këtë sjellje dhe retorikë kur i ledhatohej Merkelit, e cila e shikonte vetëm si artist dhe basketbollist; me Presidentin Erdogan, që serioziteti i një shtetari nuk pranonte llogorenë, por vasalin që duhet të zbatonte urdhrat dhe të luftonte Feto-n; e kemi parë në Moskë, ku u spërdrodh për të patur një takim me Putin, e kudo tjetër ku kishte interes për të fituar respekt. Ai e përdor retorikën për tu bërë personazh për ti dhënë audiencës atë që pret të dëgjojë, duke mos kursyer as familjarët e tij, të cilët përdoren prej tij për tu bekuar nga Papa edhe në aeroport, për tu deklaruar në Tel-Aviv se mund të bëhen edhe hebrenj. Ai shan gjithë armiqtë e Izraelit kudo që janë, flet për rilindjen arabe që po i jep vizion botës, ndërsa Europa ka mbetur e zbehtë; lavdëron Trump si orator më i mirë se ai, pasi e ka sharë e telendisur në të gjithë auditorët europianë dhe mediat ndërkombëtare; ju kujton izraelitëve që është mjeshtër në shfrytëzimin e tuneleve të Hamas-it për ti kthyer në qendra atraktive ku mund të fitojnë para si në Shqipëri.

Fjala e tij pa substancë e në vazhdimësi të llogoresë në Parlamentin Shqiptar ku bën personazh Kico Spirin, por që tenton të blejë ndjenjat e atyre që besojnë në ide, të mira apo të këqija, por gjithmonë në funksion të fuqizimit të vendit të tyre.

Edi Rama është i pabesueshëm, dhe si i tillë u shfaq edhe sot. Një njeri që nuk do dhe keqtrajton kombin e tij që po largohet me miliona nga vendi, një njeri që e ka konsideruar Shqipërinë plackë tregu për ta shitur në tregun arab, nuk mund të dojë as hebrenjtë, as të tjerët.

Ai e ka treguar që vite më parë që është bërë me Sudanin dhe Jemenin për t’ju mohuar izraelitëve kryeqytetin e tyre, vetëm se kishte marrë një urdhër, apo ishte prezent në xhaminë e Tiranës kur u bë thirrje për xhihad kundër Izraelit dhe ai heshtte.

Rama është lideri klientelist që sot kërkon të shpëtojë veten kur populli është ngritur në revoltë.

Sot në Tel-Aviv tregoi se është tellalli i vet-vetes, dëshpërimisht i mbetur vetëm, në mëshirën e arabëve, të cilëve ju ka dhënë cdo gjë nga prona e tij personale, Shqipëria. Fatkeqësisht edhe paratë e Katarit nuk do ta shpëtojnë nga dënimi i popullit.

Share it :