Shteti i kapur nga mafia, vetëm uniteti e largon këtë të keqe’/ Alimehmeti: 24 janari një protestë vendimtare për të ardhmen

Shteti i kapur nga mafia, vetëm uniteti e largon këtë të keqe’/ Alimehmeti: 24 janari një protestë vendimtare për të ardhmen

Partia Demokratike ka zhvilluar një takim me banorët dhe simpatizantët në zonën e Kombinatit në Tiranë, në prani të liderit të opozitës, Sali Berisha, si dhe drejtuesve të tjerë të lartë të PD-së.

Gjatë fjalës së tij, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, u ndal te problematikat me të cilat përballen banorët e zonës, duke theksuar se shpesh ka qenë i pranishëm në Kombinat për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet, sidomos nga prishjet e banesave për interesa ndërtimi.

Alimehmeti kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke deklaruar se vendi është kapluar nga abuzimi dhe korrupsioni në sektorë jetikë si shëndetësia, ushqimi dhe rendi, ndërsa rinia, sipas tij, po detyrohet të largohet masivisht nga vendi. Ai theksoi se këto janë arsyet që opozita ka thirrur protestën kombëtare të 24 janarit, të cilën e cilësoi si tepër të rëndësishme.

Në fjalën e tij, Alimehmeti vuri theksin te roli i strukturave bazë të Partisë Demokratike, duke i quajtur ato shtyllën kurrizore të partisë dhe urën lidhëse mes qytetarëve dhe lidershipit qendror. Sipas tij, forca e PD-së nuk matet vetëm me numra, por me përkushtimin, lëvizjen në terren, kontaktin me qytetarët dhe besimin që ajo përcjell.

Ai bëri thirrje për unitet dhe bashkëpunim brenda partisë, duke theksuar se pavarësisht mendimeve të ndryshme për rrugën drejt fitores, qëllimi është i përbashkët: largimi i qeverisjes aktuale. Alimehmeti u shpreh i bindur se vetëm përmes bashkimit, korrektesës dhe organizimit, Partia Demokratike mund të fitojë besimin e qytetarëve dhe të arrijë suksesin.

Fjala e tij u mbyll me falënderime për pjesëmarrësit dhe me mesazhin e besimit se PD ka të gjitha aftësitë për t’ia dalë me punë, unitet dhe angazhim të përbashkët.

Alimehmeti:

I nderuar profesor Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Është gjithmonë një kënaqësi të jem unë mes jush, sepse në këtë kombinat, e tha pak më parë zonja Zefi, kryetarja e degës gjashtë këtu, kam ardhur fatkeqësisht vetëm për ato shtëpitë të cilat duan t’i hedhin në tokë sa herë dhe nuk duan t’i hedhin në tokë se kanë ndonjë nevojë për ju, por sepse duan të ndërtojnë ndonjë kullë tjetër apo ndonjë ndërtim tjetër aty e juve t’ju surgjynosin në një vend tjetër.

Fatkeqësisht kam ardhur vetëm për gjëra negative se kështu është, për të mbrojtur qytetarët nga këto lloj abuzimesh, se në këtë shtet që e ka kapluar komplet e keqja, ku e kaplon shëndetësinë mafia e ilaçeve, ku e kaplon ushqimin tonë të përditshëm mafia e ushqimeve, ku jemi të kapur nga narkotrafiku, ku të rinjtë tanë ikin nga mëngjesi deri në darkë, neve duhet të fillojmë të angazhohemi, sepse kjo është e vërteta.

Kjo është dhe arsyeja pse me 24 janar ne këtë e kemi protestë kombëtare tejet të rëndësishme. E në këtë aspekt, neve me të vërtetë jemi parti e fjalës së dhënë por duhet t’i kthejmë këto sot edhe në disa veprime. E duhet t’i kthejmë nga duke nisur pikërisht nga strukturat, se ju jeni shtylla kurrizore e partisë. Të jemi shumë të qartë, zemra e çdo organizmi është gjithmonë struktura bazë e juaja dhe këtë forcë neve s’e masim dot vetëm me numra. Numrat i ka të mëdha Partia Demokratike, por i mat edhe me lëvizjen e saj, me përkushtimin, me dyert që troket, me njerëzit që takon, me besimin që përçon. Se patjetër jeni ju ura lidhëse ndërmjet njerëzve dhe selisë qendrore dhe figurave drejtuese kryesore. Për këtë nuk ka asnjë lloj dyshimi.

E në këtë aspekt neve të gjithë duhet të punojmë bashkë. Mund t’i kemi mendime ndryshe se si mund të shkojmë drejt fitores, po fitoren e kemi një dhe të përbashkët. Se ka vetëm një mundësi që ne kemi, të largojmë këtë krikë që e ka kap këtë shtet këtu. Ta largojmë dhe ta largojmë bashkë. E kjo bëhet vetëm duke qenë neve shembull korrektese dhe organizimi. Duke qenë ne të bashkuar, duke qenë ne me një zë, duke qenë ne të qartë për qëndrimin që ne qëndrojmë, edhe njerëzit do na besojnë më shumë. Kështu që në këtë aspekt këtu me besim, me punë dhe me unitet, unë jam krejt i bindur që Partia Demokratike i ka të gjitha aftësitë e saj për të arritur e për t’ia dalë. Ju falenderoj se s’dua t’ju marr më shumë kohë. Faleminderit.

Share it :