Trump mund të shërojë kancerin dhe të majtët do ta sulmonin për mënyrën
Peter Lucas/ Boston Herald
Është krejt e përshtatshme që autoritetet amerikane e sollën diktatorin socialist Nicolas Maduro në pranga, të përkulur dhe të akuzuar penalisht, në një burg në Nju Jork.
Maduro është një shembull për njujorkezët dhe për këdo tjetër që po vëzhgon se çfarë mund t’i bëjë socializmi një vendi.
Në më pak se 30 vjet, Hugo Chavez dhe pasardhësi i tij Maduro e çuan Venezuelën – dikur një demokraci energjike dhe e begatë – në gjunjë.
Dikur zilì e Amerikës së Jugut, këta diktatorë socialistë e shndërruan Venezuelën, një vend dikur i hapur dhe prodhues i pasur nafte, në një shtet policor të mbyllur, aktiviteti kryesor i të cilit u bë trafikimi i drogës drejt SHBA-së dhe vendeve të tjera të botës.
Ekspertë ligjorë theksojnë se ligji amerikan lejon ndjekjen penale të Madurros.
Duke u kthyer kundër SHBA-së, ata e hapën Venezuelën ndaj vendeve si Kina, Rusia, Irani dhe Kuba – të gjitha diktatura që nuk dëshirojnë asgjë tjetër veçse fatkeqësi për SHBA-në, demokracinë udhëheqëse të botës.
Duke parë marshimin e të dyshuarit si narkoterrorist Maduro drejt paraburgimit, njujorkezët mund të ndihen mirënjohës që kryebashkiaku i sapozgjedhur Zohran Mamdani – i cili kundërshtoi arrestimin e shokut të tij socialist Maduro – ka një mandat katërvjeçar dhe e ka të kufizuar mundësinë për të shkaktuar dëme.
Ndërsa venezuelianët e mërguar në mbarë botën e përshëndetën Trumpin për rrëzimin e Maduros, i cili ishte zgjedhur në mënyrë të rreme që në fillim, partia Demokratët Socialistë e Mamdanit sulmoi Trumpin dhe kërkoi lirimin e Madurros.
Por nga të gjitha vendet ku agjentët amerikanë mund ta kishin çuar Maduron, ka një domethënie të veçantë fakti që e sollën në Nju Jorkun e Mamdanit, konkretisht në “ngrohtësinë” e burgut famëkeq Metropolitan Detention Center në Brooklyn.
Në fund të fundit, në fjalimin e tij inaugurues tri ditë më parë, Mamdani u zotua të “zëvendësojë ftohtësinë e individualizmit të ashpër me ngrohtësinë e kolektivizmit”.
Nëse e besoni këtë, atëherë do t’ju kishte pëlqyer të jetonit në Bashkimin Sovjetik nën Stalinin, në Kinë nën Maon, në Shqipëri nën Hoxhën apo në Venezuelë nën Maduron.
Është për të ardhur keq që autoritetet arrestuese nuk e sollwn Maduron në Boston. Po ta kishin bërë, kryebashkiakja Michelle Wu dhe guvernatorja Maura Healey do të mund t’i kishin dhënë strehim dhe përfitime sociale.
E vërteta është se u desh “individualizmi i ashpër” dhe i guximshëm i Donald Trumpit për të kapur Maduron dhe për të rrëzuar narrativën e rreme të “ngrohtësisë” së socializmit.
Donald Trump e shpëtoi Venezuelën dhe do të sigurohet që vendi të rikthehet te demokracia që dikur ishte – i begatë dhe i lirë.
Vetëm Trump dhe një ushtri amerikane e jashtëzakonshme, në një operacion mahnitës, mundën ta nxirrnin Maduron e akuzuar penalisht dhe gruan e tij Cilia Flores nga “kalaja” e tyre në Karakas dhe t’i sillnin para drejtësisë.
Ky operacion e tejkaloi aksionin ushtarak të vitit 1989 në Panama, nën Presidentin George H.W. Bush, për kapjen e bos-it të drogës së akuzuar, gjeneral Manuel Noriega.
Ai operacion, i quajtur Operation Just Cause, pa 9,000 trupa amerikane t’i bashkoheshin 12,000 të tjerëve tashmë në Panama për t’u përballur me Forcat e Mbrojtjes Panameze të Noriegas.
Pas një jave luftimesh, që i kushtuan jetën 23 ushtarëve amerikanë, Noriega u kap, u gjykua, u dënua dhe kaloi 40 vjet në burg përpara se të vdiste në paraburgim.
Kjo është ajo që e pret Maduron.
Ndryshe nga Panama, nuk pati pushtim të Venezuelës. Në vend të kësaj, një operacion i gjatë, i mirëplanifikuar i zbatimit të ligjit për kapjen e Maduros zgjati më pak se tri orë dhe ishte një mrekulli ushtarake për t’u parë. Asnjë amerikan nuk u vra.
Pjesa më e trishtueshme e gjithë kësaj është se si demokratë të verbuar nga urrejtja janë rreshtuar në krah të armiqve të Shteteve të Bashkuara, duke kritikuar Trumpin për sjelljen para drejtësisë të një trafikanti të dyshuar droge, për ndalimin e përmbytjes së drogës drejt SHBA-së, për rikthimin e demokracisë në Venezuelë dhe për frenimin e përpjekjeve dashakeqe të Rusisë, Kinës, Iranit dhe Kubës për të destabilizuar Amerikën.
Trump mund të shëronte kancerin dhe demokratët sërish do ta sulmonin për mënyrën se si e bëri.




