Me leje për fushatë/ Skema e përdorimit të administratës në zgjedhjet e 11 majit
Mëngjesin e 20 janarit 2025, në telefonin e një zyrtari vendor të një bashkie në jug të vendit mbërriti një mesazh nga eprori i tij. “Duhet që të marrësh lejen vjetore, do angazohemi në fushatë,” udhëzonte ai.
Punonjësi, i cili zgjodhi të identifikohej me emrin Alban, kërkoi një ditë më vonë lejen vjetore, por në të vërtetë nuk pushoi.
Në vend të punës së tij të zakonshme në zyrë, Albani* zbriti në terren për të mbledhur të dhëna mbi votuesit dhe përkatësinë e tyre politike në ndihmë të shtabeve elektorale të Partisë Socialiste, që kishin ndezur tashmë motorrët e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai e përshkruan punën e tij në fushatë si “krehje të listës së zgjedhësve”.
“Puna jonë ishte shumë e qartë, në zyrat elektorale të PS filtronim të gjitha listat e zgjedhësve. Kemi analizuar çdo emër dhe kemi bërë ndarjet përkatëse, ku në 11 maj ishim të qetë për çdo qytetar që paraqitej në qendrën e votimit,” tha zyrtari lokal në kushtet e anonimatit.
Ai nuk ishte i vetmi.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se mijëra punonjës të administratës publike në pushtetin qendror dhe lokal morën lejet vjetore në periudhën janar – prill 2025; periudhë e cila përkon me fushatën elektorale në terren për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Krahasuar me vitin jozgjedhor 2024, numri i lejeve vjetore u rrit me gati 40% në shumicën e bashkive kryesore dhe institucioneve të tjera qendrore – shifra që, sipas ekspertëve, pasqyrojnë përdorimin e gjerë të nëpunësve publikë në mbledhjen e votave.
“Burimet shtetërore janë përdorur vazhdimisht, por tashmë ato janë kthyer në normalitet dhe kjo përbën shqetësim kryesor dhe ndryshim nga zgjedhjet e viteve përpara 2009,” thotë Afrim Krasniqi, drejtori i Institutit të Studimeve Politike me qendër në Tiranë.
“Ndikimi është statistikor në vota dhe përmbajtësor në cilësinë e politikës dhe parlamentit,” shtoi ai.
Fluksi i lejeve vjetore
Përgjatë viteve zgjedhore, punonjësit e administratës publike në Shqipëri njëherazi pësojnë dhe ushtrojnë presion për të mbledhur vota në favor të partisë në pushtet. Sipas raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama përfitoi avantazhe të padrejta nga përdorimi i gjerë i burimeve publike si dhe nga presioni mbi votuesit, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike.
Misionet vëzhguese morën gjithashtu raporte të shumta që pretendonin presion mbi punonjësit bashkiakë nga eprorët e tyre për të mbështetur ose marrë pjesë në fushatën e Partisë Socialiste. Shqetësime u ngritën gjithashtu në lidhje me ndikimin e rrjeteve të patronazhit në të gjithë vendin, të përdorura si leva për të siguruar vota në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve.
Për të dokumentuar përfshirjen e administratës publike në periudhën parazgjedhore, BIRN kërkoi përmes ligjit për të drejtën e informimit të dhëna statistikore nga ministritë dhe bashkitë kryesore të vendit mbi numrin e lejeve vjetore të dhëna në periudhën janar- prill 2025 dhe e krahasoi atë me të njëjtën periudhë të viteve 2023 dhe 2024.
Nga 20 institucione qendrore dhe lokale që iu përgjigjën kërkesave, në periudhën janar-prill 2025 kishin përfituar lejen vjetore 5673 punonjës ose 40% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Bashkia e Tiranës kryeson më një rritje prej 30 për qind të lejeve vjetore krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, e ndjekur nga Ministria e Inovacionit dhe Kulturës dhe ajo e Mjedisit.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë gjithashtu se brenda institucioneve, numri i lejeve vjetore të dhëna në periudhën janar- prill 2025 varion nga 5 për qind në 33 për qind të stafit për ministri të caktuara. Ndërkohë, në disa bashki të vendit, më shumë se gjysma e stafit ndodhej me leje vjetore në të njëjtën periudhë.
Institucioni më me pak leje vjetore rezulton të jetë Kuvendi i Shqipërisë, ndërkohë që Kryeministria refuzoi të vinte në dispozicion të dhënat duke pretenduar se nuk i disponon këto statistika.
Statistikat mbi lejet vjetore konfirmojnë angazhimin e Partisë Socialiste në zgjedhje disa muaj përpara fushatës zyrtare; ku trendi rritës fillon në janar dhe kulmon në muajt shkurt dhe mars 2025. Në të njëjtën linjë me statistikat, punonjës të administratës i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se u detyruan të merrnin lejet vjetore në këto periudha edhe për shkak të angazhimit me shqiptarët e diasporës.
Drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta i tha BIRN se angazhimi i punonjësve të administratës publike ka potencialin që të ndikojë ndjeshëm në procesin zgjedhor.




