Bela & Lali, a e ka humbur Rama pushtetin mbi drejtësinë

Bela & Lali, a e ka humbur Rama pushtetin mbi drejtësinë

Nga Andi Bushati

Të dyja këto ngjarje, si ajo për të hequr qafe Lalin me anë të zgjedhjeve të parakohëshme, si edhe tjetra për të shpëtuar Belën ka zgjedha e SPAK, mund të kenë ndryshuar planet e Ramës, mund ti kenë prishur atij humorin, por në asnjë çast nuk kanë cënuar aspak prej pushtetit të tij

Dy ngjarje të ditëve të fundit, ku në të dyja përfshihen personazhet më të larta të qeverisjes së Edi Ramës në vitet e fundit, kanë ringritur edhe njëherë pikpyetjen nëse sistemi i drejtësisë ka arritur ti shpëtojë zgjedhës së kryeministrit.

Fjala është për përballjen e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, ku ai kundërshtoi shkarkimin si kryebashkiak dhe për marrjen të pandehur të Belinda Ballukut nga SPAK. Ajo që, në pamje të parë, konstatojnë të gjithë është fakti se të dyja këto episode kanë ndodhur jashtë dëshirës dhe vullnetit të Edi Ramës.

Nga njëra anë ai u angazhua personalisht për largimin e Veliajt nga zyra, shpalli zgjedhjet e parakohëshme në qytet, caktoi datën dhe pasardhësen që do të konkuronte në to. Pra, duke vendosur që i gjithë ky proces të bëjë prapakthehu duket sikur kushtetuesja ka marrë vendim kundër direktivës së dhënë nga kryeministri; sikur ajo ka sfiduar gjithpushtetshmërinë e tij dhe përdorimin e turpshëm që ai i bëri një zari si Bajram Begaj. Konkluzioni më i thjeshtë që mund të nxirrjej është se Rama ka dalë i humbur.

E njëjta gjë mund të thuhej edhe për rastin Balluku. Kjo jo vetëm për faktin se shefi nuk donte të humbiste në këtë moment numrin 2 të qeverisë, të cilës i kishte deleguar të gjitha kompetencat e punëve të përditshme. As sepse Ballukun e kishte caktuar si prijëse të fushatës elektorale në Tiranë. Por mbi të gjitha, se ndryshe nga më parë, duke vendosur ta marë të pandehur atë, prokuroria e posaçme ka lënë të kuptohet sikur po shkon në thelbin e një çështjeje, ku është direkt i implikuar Edi Rama.

Këto dy episode, pra anullimi i zgjedhjeve të prakohshme për Tiranën dhe kullotja e SPAK-ut, pa leje, në livadhet e ndaluara të qeverisë i kanë dhënë hov të gjithë idhtarëve të drejtësisë së re, ti tundin si shembuj të sukseseve dhe pavarësisë së saj. Ata po nxitojnë të thërasin fitore.

Pse, ju duket e vogël që Gjykata Kushtetuese ti thyejë hundët gjithë mekanizmit (PS, Këshill Bashkiak, Kryeministri, Presidencë, Ogerta Manastrliu), pyesin ata? A mund të ndodhë kjo në një vend ku sistemi është i kapur? Ata shkojnë edhe më tej. Po nëse SPAK-u s’do kishte liri veprimi, a do mundte ti’a rrëmbente Ramës, Belindën? A do guxonte të bënte atë për të cilën është akuzuar deri tani, se e ka të pamundur, hetimin e procedurave? Po edhe nëse do donte të godiste zv/kryeministren, a do shkonte drejtpërdrejt tek 190 milonë eurot e tunelit të Llogarasë, gjë që se ka bërë as me inceneratorët, as me koncesionet në shëndetësi?

Në fakt, panorama nuk është kaq rozë sa e përshkruan kjo luzmë optimistësh të pandreqshëm. Në rastin më të mirë është ende shumë shpejt për të bërtitur: “fitore”. Për ta kuptuar këtë ia vlen ti kalosh të dyja ngjarjet e mësipërme në filigran, përtej përshtypjes së rreme që krijon impakti i parë me to.

Le ta nisim me rastin Veliaj. Po është e vërtetë që Edi Rama dëshëronte ti lante njëherë e mirë hesapet me të duke e nxjerrë përfundimisht nga zyra për të ulur në vend të tij Ogertën. Por pyetja që shtrohet është kjo: Sa të domosdoshme dhe të panegociueshme e kishte këtë?

Këtu nuk po i hyjmë teorive konspirative që po gëlojnë mes kundërshtarëve të tij, se ai ishte friksuar për rezultatin e Tiranës, se Manastirliu nuk po ngjiste, se opozita po rritej. Pra se në fund qe vetë Rama që e urdhëroi kushtetuesen që ta anullonte garën e Tiranës. Ndonëse një version i tillë nuk është i palogjikshëm, atë po e lëmë menjanë, pasi nuk disponojmë fakte për ta mbështetur.

Prandaj rikthehemi tek dilema: sa punë i prishte Ramës nëse zgjedhjet anulloheshin? A nuk vijon të ketë ai kontroll të plotë mbi bashkinë? A nuk e ka zhveshur tashmë ai Veliajn nga çdo kompentencë, deri në pikën që nuk vendos dot më në punë as një punonjëse gjelbërimi? A nuk e detyroi ai të griste nga burgu urdhërin për delegimin e kompetencave tek Sara Goxhaj dhe ta linte drejtimin në duart e atyre që donte shefi? Pra ndonëse Rama mund të ketë dashur të mbyllë kapitullin e Lalit dhe të hapë atë të Ogertës, kjo që ndodhi, në thelb, atij nuk i prish as një punë. Kaq i rëndë është vendimi i kushtetueses kundër tij.

Të njëjtin mirazh të rremë ka reflektuar edhe vendimi për të marrë Belën të pandehur. Ndonëse, në dukje, ndryshe nga rastet e tjera, ajo nuk po hetohet për “kumbllat dhe dardhat e ngrëna pas shpine”, por për një aferë që e ka kryer në bashkëpunim me shefin, ngjarjet e deritanishme dëshmojnë për një kujdes të tepruar në trajtimin e saj.

Në raste të ngjashme, madje për akuza jo kaq të rënda, edhe për Berishën edhe për Ahmetajn, edhe për Metën apo Veliajn, SPAK-u ka zgjedhur masat e kufizimit të lirive. Balluku është ende e lirë, mban në duart e saj pashaportën për udhëtime, madje vijon të shkojë në zyrë, ndonëse është dëshmuar me fakte, si nxjerrja e lejes së punimeve për tunelin, tri vjet pasi ai kishte mbaruar dhe pasi denoncimet ishin bërë, se ajo ka mundësi të manipulojë provat.

Ajo që të bën përshtypje është: pse ky standart i dyfishtë? I njëjti standart vërehet edhe në trajtimin që Ballukut po i bëjnë prokurorët. Boll të shihet komunikata e thatë dhe korrekte e SPAK për penalizimin e saj, shumë me e qetë sesa ato ku përgojoheshin të pandehurit e tjerë. Boll të krahasohet mbajtja e saj në godinë vetëm 15 minuta, ndërkohë që prokurorët, në rastin Veliaj, arritën të prodhojnë tituj bombastikë lajmesh se ai u pyet për plot shtatë orë. Ky trajtim i veçantë si dhe heqja dorë nga metoda e ndjekur deri tani nga SPAK “denigroje moralisht para se ta marrësh të pandehur”, dëshmojnë se fati i Belindës nuk është vendosur. Për të ende po negociohet.

Por më kryesorja, mbi të gjitha, edhe sikur personalisht asaj nesër ti rezervohet fati më i keq i mundshëm, a kemi ne deri më tani ndonjë sinjal se kjo histori do shkojë deri lart, tek njeriu që realisht ka marrë vendim, për tunelin e Llogarasë? A rrezikohet realisht Rama nga drejtësia, kur të gjithë tashmë janë të bindur se është pikërisht ai që qëndron pas skandaleve më të mëdha në këtë vend? Deri më tash për këtë nuk kemi asnjë indicie.

Kështu që deri më tani, të dyja këto ngjarje, si ajo për të mos hequr dot qafe Lalin me anë të zgjedhjeve të parakohëshme, si edhe tjetra për të shpëtuar Belën nga zgjedha e SPAK, mund të kenë ndryshuar planet e Ramës, mund ti kenë prishur atij humorin, ndoshta mund ta kenë yshtur ti bjerë me pëllëmbë tavolinës, por në asnjë çast, nuk kanë cënuar aspak prej pushtetit të tij. Ai e ka në kontroll të plotë bashkinë dhe do ta ketë po ashtu dhe qeverinë edhe në rastin me fatkeq të largimit të zv/kryeministres.

Në një sistem autokratik, nuk ndodh asnjë traumë nëse bie një ingranazh i ndryshueshëm por makineria vijon të punojë njësoj. Ai quhet i tillë, pikërisht se autokrati mbetet i paprekshëm. Prandaj është krejtësisht absurde dhe ilogjike të shpjegosh ngazëllimin e atyre që shpallën fitore për aktet që kushtetuesja dhe SPAK-u ndërmorrën “kundër” Ramës.
Lapsi.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news