Berisha: Shqipëria nuk do ketë asnjë tarifë për mallrat amerikane, jam i bindur se edhe SHBA do t’i heqë

Berisha: Shqipëria nuk do ketë asnjë tarifë për mallrat amerikane, jam i bindur se edhe SHBA do t’i heqë

Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Sindikatave të Bashkuara, u shpreh se shqiptarët do të kuptojnë shumë shpejt përmasat e vjedhjes dhe abuzimeve që po ndodhin në vend.
Ai e kritikoi ashpër qeverinë për ndarjen e pasurive dhe shpërdorimin e fondeve publike, duke theksuar se ky sistem është i dëmshëm për çdo qytetar dhe nuk respekton meritat e njerëzve që punojnë me mund.
“Po të dashur miq, shumë shpejt do të shohin shqiptarët, do kuptojnë se sa egërsisht janë vjedhur ata.
Ju jeni dëshmitarë, u dyfishuan rrogat, u dyfishuan pensionet e ulëta, u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë dhe buxheti ishte sa gjysma e buxhetit të sotëm, se ne ia linim biznesit, ne ishim me taksa të ulëta.
Ne prapë do shkojmë me taksat më të ulëta.
Por këto që ndodhin nuk mund të imagjinohen.
Këta ndajnë pasuritë me vete, me gratë, me familjarët, me vëllezërit, me motrat, me krushqitë, dhe pastaj ndërtohet rruga me çmim 10 herë më të lartë, edhe më shumë.
Ndërtohet unaza 17 milionë euro kilometri, në një kohë kur bajpasi i Fierit është ndërtuar me 2.8 milionë euro kilometri, po kaq i gjerë.
Ndërkohë që unaza, segmenti që u ndërtua nga ne, me të gjitha veprat, kushtoi gjithsej 3.8 milionë euro kilometri.
Kurse kjo e merr e pret dhe e copëton unazën sikur ta ketë pronë të saj me 14 kontrata që të vjedhë në secilën kontratë maksimumin dhe pastaj nuk del për pensione. Pastaj thotë rrokullisemi po të rrisim pensionet. Sigurisht kur vjedh në këtë mënyrë, njerëzit i përçmon, i neverit.
Po kjo merr fund më 11 maj.
Ndaj dhe të bëjmë gjithçka në këtë betejë para së gjithash për shqiptarin dinjitoz, për një shqiptar që nuk numëron kafashatën.
Por jo vetëm kaq, ju jeni njerëz të prodhimit. Motoja jonë është Made in Albania. Dhe Made in Albania, rezervat më përrallore i ka në nëntokën shqiptare, i ka në çdo skaj të këtij vendi.
Ne do bëjmë gjithçka që shqiptarët të prodhojnë dhe të krijojnë mirëqenie kudo që janë.
Ne do ulim taksat për bizneset në 10 përqind.
10 përqind është taksa e drejtë, është taksa e librave të shenjtë, taksa e shekujve dhe mijëvjeçarëve.
E provuam, dha rezultate të shkëlqyera. Jo vetëm që nuk u pakësuan të ardhurat, u dyfishuan të ardhurat.
Ne do bëjmë gjithçka që Made in Albania të mbushë tregjet shqiptare dhe tregjet e botës.
SHBA kanë vendosur një sistem tarifash sepse të gjithë kanë pasur tarifa ndaj tyre.
Kjo është e vërteta. Ta mësoni të vërtetën.
Të gjithë këta që qahen sot, kanë pasur tarifa.
Shqipëria nuk do ketë asnjë tarifë për mallrat amerikane dhe jam i bindur se kjo gjë do ndodhë edhe me qeverinë e SHBA pasi t’i heqim ne.
Edhe njëherë, u garantoj për një partneritet luajal dhe zëri juaj, avokat i fuqishëm i njerëzve të punës, do jetë një zë që do dëgjohet nga qeveria.
Dhe nuk do mburret si ai që del nëpër botë dhe thotë ne nuk kemi sindikata. Nuk ka sindikata se nuk pyet për to ai.
Kurse ne do u dëgjojmë ju, do bashkëpunojmë me ju, do marrim parasysh interesat tuaja dhe do shndërrojmë Shqipërinë në Shqipëri Madhështore, në Shqipërinë e ëndrrave të fëmijëve tanë”, tha Berisha.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news